VKM nr. 776 DT. 26.12.2018- PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE E TË PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2018-2019
PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE E TË PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2018-2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit të punës”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Nxënësit, të cilët ndjekin studimet në institucionet arsimore, publike, të arsimit parauniversitar, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
- Nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë, përfitojnë bursë brenda kuotave dhe kritereve, si më poshtë vijon:
2.1. Sipas kriterit ekonomik:
- a) Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre dhe që plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Nxënësit e arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, të cilët akomodohen në konvikte publike dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1.
2.2. Sipas rezultateve të arritura:
Nxënësit e arsimit profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta).
2.3. Jashtë kriterit ekonomik:
- a) Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin e jetimit;
b) Nxënësit, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik;
ç) Nxënësit, të cilët gëzojnë statusin ligjor që nuk shikojnë apo nuk dëgjojnë;
d) Nxënësit, fëmijë të personave që gëzojnë statusin e invalidit, të cilët përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë të ardhura të tjera;
dh) Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional;
e) Nxënësit, të cilët janë identifikuar dhe trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ë) Nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës;
f) Nxënëset (vajza), të cilat ndjekin drejtimet mësimore mekanikë, elektroteknikë, përpunim druri, gjeodezi, shërbim mjete transporti, termo-hidraulikë;
g) Nxënësit/fëmijët me një prind.
Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se data 31 dhjetor 2018, për këto kategori nxënësish, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike duhet të dërgojnë në njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore përkatëse, ku ata ndjekin studimet, listën e nxënësve përfitues, sipas pikës 2.3, të këtij vendimi.
2.4. Sipas degëve parësore të zhvillimit ekonomik të vendit dhe vendbanimit të përhershëm, nxënësit, të cilët ndjekin me kohë të plotë arsimin profesional:
- a) në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit;
b) me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit: Dibër, Bulqizë, Mat, Kukës, Has, Tropojë, Pukë, Mirditë, Malësi e Madhe, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Përmet, Skrapar dhe Tepelenë. - Nxënësit e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose humbasin të drejtën e përfitimit të saj, kur:
- a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) shpallen ngelës apo përsëritës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese. - Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në konsultim me institucionet arsimore, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar dhe të arsimit profesional, të cilët ndjekin vitin e parë akademik 2018-2019, dhe ua dërgojnë njësive bazë të vetëqeverisjes vendore, jo më vonë se data 1 dhjetor 2018.
4.1. Drejtorët e shkollave profesionale, për nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet me kohë të plotë në vitin e parë shkollor 2018-2019, sipas pikës 2.4, u dërgojnë informacion njësive bazë të vetëqeverisjes vendore jo më vonë se data 20 nëntor 2018.
- Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, bazuar në planin e përcaktuar për to, me vendim të këshillit bashkiak, miratojnë dhënien e bursave sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve nga shtresat, kategoritë sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë/miratojnë për nxënësit dhe 1/2 (gjysmë) burse.
5.1. Nxënësit e shkollave profesionale, të cilët ndjekin vitin e dytë në drejtimet mësimore: bujqësi, veterinari, pyje, ndërtim, peshkim, detari, gjeologji-miniera dhe shpim e shfrytëzim i vendburimeve të naftës dhe gazit, dhe nxënëset (vajza), sipas shkronjës “f”, të pikës 2.3, të cilët kanë përfituar bursë në vitin e parë dhe në vitin shkollor 2017-2018 nuk rezultojnë mbetës, përfitojnë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit.
5.2. Bursat e nxënësve për vitin e parë shqyrtohen dhe miratohen nga këshilli bashkiak, sipas vendbanimit të përhershëm të prindit/nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore.
5.3. Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga këshilli bashkiak, sipas vendndodhjes territoriale e administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore, sipas planit të bursave të miratuara në vitin paraardhës nga këshilli bashkiak i njësive të vetëqeverisjes vendore.
5.4. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të miratuara për vitin akademik 2018-2019, mbështetur në numrin e nxënësve të regjistruar, vendosin për dhënien e bursave sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të shkollave profesionale e konvikteve, në të cilat janë vendosur nxënësit.
- Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, detyrimisht, duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se data 31 janar 2019, drejtorive të shkollave profesionale për arsimin profesional dhe drejtorive rajonale arsimore/zyrave arsimore vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë zyrtarisht, çdo tre muaj, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për fondet buxhetore të shpenzuara dhe numrin e nxënësve që trajtohen me kuota financiare të ushqimit në konvikte dhe bursa.
- Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale paraqesin/dërgojnë zyrtarisht në njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkesat për miratimin e bursës për nxënësit, të cilët përfitojnë bursë sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 e 2.4, të këtij vendimi. Nxënësit, të cilët kanë përfituar bursë vitin e parë me vendim të këshillit bashkiak ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, të cilëve nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës, e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit.
- Nxënësit, të cilët gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore kanë përfituar bursë nga njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, e përfitojnë atë dhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose të kuotës financiare, drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit/prindërit, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë.
8.1. Për nxënësit, të cilët kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2018-2019, drejtorët e shkollave profesionale si dhe të shkollave të tjera të arsimit parauniversitar dërgojnë zyrtarisht, në datën 5, të çdo muaji, pranë njësive bazë të vetëqeverisjes vendore, informacion të detajuar për frekuentimin e shkollës/praktikës profesionale nga nxënësit që përfitojnë bursë.
- Nxënësit, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë, përfitojnë çdo vit, falas, veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë institucionet shtetërore.
9.1. Nxënësve, të cilët kanë përfituar statusin ligjor të jetimit, invalidit paraplegjik, tetraplegjik, statusin ligjor të personave që nuk shikojnë, të personave që nuk dëgjojnë, u sigurohen falas akomodimi/fjetja, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet pas paraqitjes së librezës, kartës shëndetësore dhe epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
9.2. Nxënësit jetimë, të cilët ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit parauniversitar, trajtohen me pagesë suplementare edhe për periudhën e pushimeve verore, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
9.3. Nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas kuotës financiare të përcaktuar në pasqyrën nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9.4. Fëmijët/nxënësit dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, me nevoja të veçanta psikosociale, pa konvikt, trajtohen me fonde të buxhetit të shtetit, me një kuotë ushqimore (drekë) me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë, sipas kuotës financiare të përcaktuar në pasqyrën nr.4.
9.5. Nxënësve të arsimit parauniversitar, të cilët banojnë në zonat rurale që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km dhe që akomodohen në konvikte publike, bursa u jepet në formën e kuotës ushqimore. Në asnjë rast bursa nuk jepet në formën e kuotës financiare.
- Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.
- Nxënësve, të cilët përfitojnë bursë sipas rezultateve të arritura, jashtë kriterit ekonomik, që janë akomoduar në konvikte ose jo, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj, pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësve/prindërve.
- Nxënësve, të cilët përfitojnë bursë në arsimin profesional, sipas shkronjave “dh” e “f”, të pikës 2.3, dhe shkronjës “a”, të pikës 2.4, e nxënësve romë e egjiptianë, masa e miratuar e bursës mujore u paguhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore çdo muaj, pranë bankave të nivelit të dytë, në llogarinë bankare të nxënësve/prindërve.
- Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore realizojnë pagesën e bursës mujore për nxënësit përfitues vetëm pasi drejtorët e shkollave profesionale konfirmojnë zyrtarisht, brenda datës 5, të çdo muaji, pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, informacionin për ndjekjen e shkollës/mësimit për nxënësit që përfitojnë bursë.
- Nxënësve, të cilët nuk ndjekin mësimin/shkollën apo praktikën profesionale pa arsye ligjore apo shëndetësore, u ndërpritet bursa menjëherë.
- Masa e bursës dhe kuota financiare ushqimore ditore për nxënësit jepet, respektivisht, sipas pasqyrave nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
- Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, që ndjekin shkollat profesionale, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, për vitin e ri shkollor 2018-2019, të japë 2 100 (dy mijë e njëqind) bursa.
- Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për të gjitha kategoritë e nxënësve, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar, të parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, pa përfshirë nxënësit që ndjekin shkollat profesionale, për vitin e ri shkollor 2018-2019 të japë 800 (tetëqind) bursa.
- Efektet financiare të vitit akademik 2018-2019 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë Financave dhe Ekonomisë, për vitet 2018 e 2019.
- Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, për të gjitha kategoritë e shkollave, është data 31 janar 2019. Vendimet e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore, të miratuara jashtë këtij afati, janë të pavlefshme.
- Vendimet e njësive bazë të vetëqeverisjes vendore bëhen publike në faqen zyrtare të institucionit për nxënësit, komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.
- Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, njësitë arsimore vendore (DAR/ZA) dhe shkollat e arsimit të mesëm profesional për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KUSHTET EKONOMIKE TE NXENESIT PER DHENIEN E BURSES. (Viti mesimor 2018–2019 )
Te ardhurat per fryme
Nr | Perberja familjare
|
Perfitojne bursa Me te ardhura mujore
leke / fryme |
Perfitojne gjysme bursa.
Me te ardhura mujore leke/ fryme |
Me pagese
Me te ardhura mujore leke/ fryme |
Per qytetin
|
||||
1 | Per familjet me 2 persona | Deri ne 3 200 leke | 3 200 – 4 600 leke | Mbi 4 600 leke |
2 | Per familjet me 3 persona | Deri ne 3 100 leke | 3 100 -4 500 leke | Mbi 4 500 leke |
3 | Per familjet me 4 persona | Deri ne 3 000 leke | 3 000 – 4 400 leke | Mbi 4 400 leke |
4 | Per familjet me 5 persona | Deri ne 2 900 leke | 2 900- 4 300 leke | Mbi 4 300 leke |
5 | Per familjet me 6 persona | Deri ne 2 800 leke | 2 800- 4 200 leke | Mbi 4 200 leke |
6 | Per familjet me 7 persona | Deri ne 2 700 leke | 2 700 -4 100 leke | Mbi 4 100 leke |
7 | Per familjet me 8 persona | Deri ne 2 600 leke | 2 600 – 4 000 leke | Mbi 4 000 leke |