Sherbimet publike sipas fushave te percaktuara ligji 139/2015

Mbi shërbimet që ofron bashkia

Shërbimet në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike

Prodhimi, trajtimi, transmetimi dhe furnizimi me ujë të pijshëm.
Mbledhja, largimi dhe trajtimi i ujërave të ndotura.
Mbledhja dhe largimi i ujërave të shiut dhe mbrojtja nga përmbytjet në zonat e banuara.
Ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrugëve vendore dhe sinjalizimit rrugor, të trotuareve dhe shesheve publike vendore.
Ndriçimi i mjediseve publike.
Transporti publik vendor.
Ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e varrezave publike, si dhe garantimi i shërbimit publik të varrimit.
Shërbimi i dekorit publik.
Parqet, lulishtet dhe hapësirat e gjelbra publike.
Mbledhja, largimi dhe trajtimi i mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake.
Ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave arsimore të sistemit shkollor parauniversitar, me përjashtim të shkollave profesionale.
Administrimi dhe rregullimi i sistemit arsimor parashkollor në kopshte dhe çerdhe.
Ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave të shërbimit parësor shëndetësor dhe zhvillimi i aktiviteteve edukuese e promovuese në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e shëndetit, si dhe administrimin e qendrave e të shërbimeve të tjera në fushën e shëndetit publik, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Planifikimi, administrimi, zhvillimi dhe kontrolli i territorit, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Instrumentet për administrimin e shërbimeve publike
Njësitë e vetëqeverisjes vendore sigurojnë dhënien e shërbimeve publike, nëpërmjet një ose më shumë instrumenteve të mëposhtme:
a) njësive organizative të veta, që janë pjesë e strukturës administrative të njësisë vendore;
b) ndërmarrjeve për shërbimet publike, sipas legjislacionit në fuqi;
c) kontraktimit të dhënies së shërbimeve me palë të treta;
ç)  përdorimit të instrumenteve të përshtatshme të partneritetit publik dhe privat, sipas legjislacionit në fuqi;
d) krijimit të shoqërive tregtare në pronësi apo bashkëpronësi të njësisë vendore, sipas legjislacionit në fuqi.
Në çdo rast, pavarësisht nga instrumenti i përzgjedhur, njësia vendore do të jetë përgjegjëse për:
a) hartimin dhe vendosjen e një sistemi administrimi të performancës së shërbimit, bazuar mbi standarde vendore dhe/ose standarde minimale kombëtare;
b) hartimin dhe vendosjen e një sistemi treguesish, përfshirë edhe aspektin gjinor për matjen e performancës;
c) krijimin e një njësie të posaçme në strukturën e njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila do të jetë përgjegjëse për prezantimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e performancës e të shërbimit, përfshirë edhe aspektin gjinor.
Njësia e vetëqeverisjes vendore mund të ofrojë mbështetje financiare për ndërmarrjet bashkiake  për  shërbimet  publike  dhe/ose  për  shoqëritë  tregtare  me  kapital  të  njësisë  së vetëqeverisjes vendore, fusha e veprimit të së cilës lidhet me dhënien e një shërbimi publik që është përgjegjësi e kësaj njësie.

 

Shërbimet në fushën e shërbimeve sociale

Krijimi dhe administrimi i shërbimeve sociale, në nivel vendor, për shtresat në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët, gratë, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara, viktima të trafikut, nëna apo prindër me shumë fëmijë, të moshuarit etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Ndërtimi dhe administrimi i banesave për strehimin social, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Ndërtimi dhe administrimi i qendrave për ofrimin e shërbimeve sociale vendore.
Krijimi, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mirëqenien sociale, të fondit social për financimin e shërbimeve, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Shërbimet në fushën e kulturës, sportit dhe shërbimeve argëtuese 

Zhvillimi, mbrojtja dhe promovimi i vlerave e të trashëgimisë kulturore me interes vendor, si dhe administrimi i objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.
Organizimi i aktiviteteve kulturore dhe promovimin e identitetit kombëtar e lokal, si dhe administrimi i objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.
Zhvillimi, mbrojtja dhe promovimi i bibliotekave e të ambienteve për lexim, me qëllim edukimin e përgjithshëm të qytetarëve.
Organizimi i aktiviteteve sportive, çlodhëse e argëtuese, zhvillimi dhe administrimi i institucioneve e të objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.

Shërbimet në fushën e mbrojtjes së mjedisit

Sigurimi, në nivel vendor, të masave për  mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja.
Sigurimi, në nivel vendor, të masave për  mbrojtjen nga ndotja akustike.
Zhvillimi i aktiviteteve edukuese dhe promovuese, në nivel vendor, të cilat lidhen me mbrojtjen e mjedisit.

Shërbimet në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, pyjeve dhe kullotave publike, natyrës dhe biodiversitetit

Administrimi, shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të transferuar në pronësi të tyre, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Administrimi dhe mbrojtja e tokave bujqësore e të kategorive të tjera të resurseve, si toka të pafrytshme etj., sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Krijimi dhe administrimi i sistemit vendor të informacionit dhe këshillimit bujqësor e rural, sipas legjislacionit në fuqi.
Krijimi dhe administrimi i skemave vendore të granteve për bujqësinë e zhvillimin rural, të financuara nga buxheti lokal dhe/ose me bashkëfinancim nga të tretët, duke garantuar akses të balancuar gjinor.
Administrimi i fondit pyjor dhe kullosor publik, sipas legjislacionit në fuqi.
Mbrojtja e natyrës e të biodiversitetit, sipas legjislacionit në fuqi.

Instrumentet për administrimin e shërbimeve
Njësitë organizative si pjese e strukturës administrative të njësisë vendore jane : Drejtoria e Pronave Publike dhe Menaxhimit te Aseteve dhe Sektori Pyjor

Shërbimet në fushën e zhvillimit ekonomik vendor  

Hartimi i planeve strategjike të zhvillimit e të programeve për zhvillimin ekonomik vendor.
Ngritja dhe funksionimi i tregjeve publike dhe të rrjetit të tregtisë.
Mbështetjen për zhvillimin e biznesit të vogël, nëpërmjet veprimtarive nxitëse, të tilla si panaire e reklama në vende publike.
Organizimi   i   shërbimeve   në   mbështetje   të   zhvillimit   ekonomik   vendor,   si informacioni për bizneset, aktivitetet promovuese, vënia në dispozicion e aseteve publike etj.
Publikimi i broshurave informative, krijimi i portaleve me profil ekonomik etj.
Dhënia e granteve financiare për mbështetjen e aktiviteteve të biznesit të vogël e të mesëm, sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin në fuqi, duke garantuar akses të balancuar gjinor.
Mbështetja për përmiresimin e klimës për zhvillimin e biznesit nëpërmjet ngritjes së strukturave të dedikuara, bashkëpunimit me institucione të specializuara dhe aktorët e interesuar për hartimin e strategjive dhe planeve zhvillimore lokale.

Shërbimet në fushën e sigurisë publike

Mbrojtja civile, në nivel vendor, dhe administrimi i  strukturave përkatëse, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Garantimi i shërbimit të zjarrfikësve, në nivel vendor, dhe administrimi i strukturave përkatëse, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.
Garantimi i mbarëvajtjes së marrëdhënieve në komunitet, parandalimi dhe ndërmjetësimi për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.
Parandalimi i kundërvajtjeve administrative, forcimi, inspektimi dhe monitorimi i zbatimit të rregulloreve e të akteve të njësive të vetëqeverisjes vendore brenda juridiksionit të tyre vendor dhe në përputhje me përcaktimet ligjore.

Shërbimet në fushën e funksioneve dhe kompetencave të deleguara

 

Funksionet dhe kompetencat e deleguara janë të detyrueshme ose jo të detyrueshme.
Funksione dhe kompetenca të detyrueshme janë ato të përcaktuara me ligj.
Institucionet qendrore, kur lejohet me ligj, autorizojnë bashkinë të kryejnë funksione të caktuara, duke përcaktuar, kur është e nevojshme, procedurat e kryerjes e të kontrollit për zbatimin e tyre.
Institucionet qendrore mund të autorizojnë bashkinë të ushtrojnë një kompetencë të vetme për një funksion të caktuar.
Bashkisë mund t’i delegohen funksione dhe kompetenca të tjera jo të detyrueshme,  mbi  bazën  e  një  marrëveshjeje  midis  njësisë  së  vetëqeverisjes  vendore përkatëse dhe institucionit qendror përgjegjës me ligj për këtë funksion ose kompetencë.
Në  çdo  rast  qeverisja  qendrore  u  garanton  njësive  të  vetëqeverisjes  vendore mbështetjen e nevojshme financiare për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të deleguara.
Bashkia  me nismën e saj, mund të përdorë burimet e veta financiare për ushtrimin e funksioneve e të kompetencave të deleguara, me synim ngritjen në nivel më të lartë të shërbimit në interes të bashkësisë.