Trajtimi i mbetjeve urbane, merr fund zvarritja më shumë se 12 vjeçare

 

Projekti i Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta, një nga premtimet e mia elektorale dhe njëkohësisht një nga sfidat më të spikatura në mandatin katër vjeçar në krye të Bashkisë Vlorë, tashmë po shkon drejt finalizimit.
Pas një periudhe të gjatë zvarritjeje, më shumë se 12 vjeçare, trajtimi i mbetjeve urbane do të ngrihet në nivelet më të përparuara bashkëkohore, përmes një investimi prej 21.3 milionë euro, financuar nga Qeveria Gjermane, Banka Gjermane KFW, Qeveria Shqiptare dhe Bashkia Vlorë.
Sot, u firmos edhe marrëveshja përkatëse për Financimin e Projektit të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta në rajonin e Vlorës, mes Qeverisë Shqiptare të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Gjermane KFW, çka përbën edhe aktin zyrtar final përpara fillimit të punimeve për zbatimin e këtij projekti, që pritet të startojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Projekti i integruar është i ndarë në aksin e kredisë me një vlerë prej 12.5 milionë euro, si edhe dhe në dy grante në vlera respektive 7.5 dhe 1.3 milionë euro. Ai përfshin ndërtimin e një sistemi modern të menaxhimit të integruar të mbetjeve, i cili garanton standarde të larta në mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve nayrore, reduktimin e gazrave, çka shoqërohet edhe me përmirësimin e cilësisë së jetesës për popullsinë e zonës.
Landfilli do të ndërtohet në afërsi të fshatit Sherrishtë dhe do të ketë një kapacitet të përgjithshëm prej rreth 350,000 tonë mbetje. Pjesë e këtij investimi do të jetë edhe ndërtimi i sistemit të grumbullimit të gazrave, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura nga mbetjet, impianti i ndarjes së mbetjeve të riciklueshme me kapacitet 60,000 tonë/vit, ndërkohë që parashikohen edhe hapësira kompostimi për mbetjet organike me një kapacitet deri në 4,200 tonë në vit.
Krahas kësaj, është parashikuar edhe një investim për trajtimin e pikave aktuale të trajtimit të mbetjeve dhe mbylljen e hapësirës ekzistuese të depozitimit, ose vendhedhja në periferi të qytetit.
Pjesë e këtij projekti madhor, është edhe fondi i parashikuar për furnizimin me makineri e pajisje moderne për pastrimin e rrugëve, grumbullimin dhe transportin e mbetjeve.
Ky projekt, është një nga investimet më të mëdha në Vlorë në 26 vite dhe zgjidh një nga problemet më të rëndësishme, atë të trajtimit të mbetjeve urbane, në përputhje me standardet bashkëkohore.

You may also like...