RREGULLORE E ORGANIZIMIT DHE FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT TË BASHKISË VLORË

PJESA E PARË
ORGANIZIMI I KËSHILLIT TË BASHKISË

Kreu I
DISPOZITA PARAPRAKE

Neni 1
Objekti i rregullores

1. Kjo rregullore disiplinon organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Bashkisë dhe organeve të tjera këshillimore, si dhe të drejtat e këshilltarëve të Bashkisë, bazuar në ligjin 139/2015 “Per vetqeverisjen vendore”

Neni 2
Interpretimi

1. Zgjidhja e çështjeve që kanë të bëjnë me aplikimin dhe interpretimin e kësaj rregulloreje, jashtë mbledhjes së Këshillit i delegohet Konferencës së Kryetarëve të Grupeve të Këshillit.

2. Për të gjitha çështjet që do të lindin gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Këshillit dhe që nuk janë të parashikuara në këtë rregullore, vendos Kryetari i seancës. Në qoftë se është e nevojshme, ai ndërpret seancën dhe mbledh Konferencën e Kryetarëve të Grupeve për të diskutuar dhe vendosur për çëshjen që diskutohet.

Neni 3
Përbërja e Këshillit të Bashkisë

1. Këshilli i Bashkisë përbëhet nga 41 këshilltarë, prej të cilëve zgjidhet një Kryetar dhe një Zv/Kryetar i Këshillit.

2. Në mbledhjet e Këshillit të Bashkisë mund të marrë pjesë Kryetari i Bashkisë.

Neni 4
Ushtrimi i funksionit të këshilltarëve

1. Këshilltarët fillojnë ushtrimin e funksionit të tyre me marrjen e mandatit, zakonisht në mbledhjen e parë të Këshillit të Bashkisë. Për vlefshmërinë e mandateve ngrihet Komisioni i mandateve i përbërë nga 5 këshilltarë nga grupe të ndryshme politike në Këshill. Grupi i këshilltarëve që zotëron shumicën e mandateve në këshill përfaqësohet në këtë komision nga 2 këshilltarë.

2. Kryetari i Këshillit të Bashkisë, brenda 15 ditëve nga betimi i këshilltarëve, i dorëzon atyre një mandat ku vërtetohet funksioni i këshilltarit dhe kohëzgjatja e këtij funksioni.

Neni 5
Kohëzgjatja e mandatit të këshilltarëve

1. Këshilli i Bashkisë ushtron funksionin e tij për katër vjet, deri në zgjedhjen e Këshillit të ri pasardhës. Në periudhën nga data e zgjedhjeve deri në konstituimin e këshillit të ri, këshilli i mëparshëm ushtron funksione të kufizuara dhe merr vendime vetëm në raste të situatave emergjente.

2. Mandati i këshilltarit mbaron para afatit kur verifikohet një nga pikat e parashikuara në nenin 49 pika 4 e ligjit 139/2015 “Per vetqeverisjen vendore”

3. Mandati i Keshilltarit mbaron përpara afatit, me propozimin e komisionit të mandateve, kur ai nuk merr pjesë në mbledhjet e Këshillit për një periudhë 6 mujore (ligji 139/2015 ,neni 49,germa e. Për të vlerësuar mandatin e këshilltarit mblidhet Komisioni i Mandateve, i cili shpreh mendime të motivuara para Këshillit dhe, në qoftëse mendimi nuk është unanim, mendimi i shumicës shoqërohet me mendimin e pakicës.

4. Këshilltari që diskutohet, ka 10 ditë nga dita e marrjes së njoftimit, për të formuluar arsyetimin ose fakte që do të anullojnë shkarkimin e tij nga funksioni.

5. Në qoftë se mbas 10 ditëve këshilltari nuk kundërshton vendimin e Komisionit, ai shkarkohet nga funksioni i këshilltarit.

6. Vendimi i jepet personit të shkarkuar brenda pesë ditëve dhe vendin e tij e zë kandidati i rradhës në listë shumemërore të subjektit ku bënte pjesë këshilltari i shkarkuar.

Kreu II
KRYESIA DHE SEKRETARI I KËSHILLIT

Neni 6
Kryetari i Këshillit të Bashkisë

1. Sekretari i Këshillit thërret mbledhjen e parë të Këshillit jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjes nga KQZ. Mbledhja e parë e Këshillit deri në zgjedhjen e Kryetarit të tij, drejtohet nga këshilltari më i vjetër në moshë.

2. Kandidaturat për Kryetar të Këshillit mund të dalin nga një grup prej jo më pak se 3 këshilltarë. Një këshilltar nuk mund të marrë pjesë në më shumë se një grup propozues.

3. Seanca e mbledhjes për zgjedhjen e Kryetarit e zv/Kryetarit bëhet pa debat.

4. Në rastin e mungesës së përkohshme të Kryetarit, funksionet e kryetarit kryhen nga Zv/Kryetari dhe, në mungesë dhe të këtij të fundit, nga këshilltari me i vjetër në moshë.

5. Zv/kryetari i keshillit jo me vone se 20 dite nga dita kur vendi i kryetarit mbetet vakant therret mbledhjen e keshillit per zgjedhjen e kryetarit te ri

Neni 7
Funksioni i Kryetarit

1. Kryetari i Këshillit ka detyrë kryesore të kujdeset për të drejtat dhe prerogativat e këshilltarëve, duke garantuar ushtrimin efektiv të funksionit të tyre, si dhe të zbatojë me përpikmëri interpretimin korrekt të kësaj rregulloreje.

2. Këshillit të bashkise t’i vihen në dispozicion nga Kryetari i bashkisë 3 punonjës të policisë bashkiake në çdo mbledhje për garantimin e ruajtjes dhe sigurisë në sallë.

3. Kryetari përfaqëson Këshillin, thërret mbledhjet e Këshillit dhe, i ndihmuar nga zv/kryetari, drejton me paanshmëri dhe barazi mbledhjet dhe diskutimet. Gjatë mbledhjeve, saktëson çëshjet për të cilat do të votohet, jep të drejtën e fjalës dhe lexon rezultatet e votimeve.

4. Kryetari kujdeset për marrëdhëniet e Këshillit të Bashkisë me Kryetarin e Bashkisë, zyrën e kontrollit ekonomik-financiar në Bashki, institucionet dhe ndërmarjet në varësi ose me sipërmarrje në Bashki.

5 Kryetari drejton mbledhjen e kryetarëve të grupeve dhe kur e sheh te nevojshme therret dhe kryetarët e komisioneve per probleme te mbarevajtjes se Keshillit te Bashkise
6 Kryetari lexon korrespondencën që i dërgohet këshillit dhe bën delegimin përkates për konsiderim të mëtejshëm.

7 Kryetari kujdeset që këshilli të përfaqësohet në veprimtari ku ftohet këshilli dhe, në bashkëpunim me kryetarët e grupeve politike, cakton këshilltarët të cilët do të marrin pjesë në delegacione, ceremoni apo aktivitete ku ftohet Këshilli i Bashkisë, kjo në rastet kur ftesat nuk janë nominale.

Neni 8
Shkarkimi i Kryetarit

1. Kryetari i Këshillit shkarkohet për shkelje të rënda të ligjit, për paaftësi, sjellje e qëndrime që vijnë në kundërshtim me pozitën dhe figurën e Kryetarit.

2. Propozimi për shkarkimin e Kryetarit bëhet nga të paktën 14 këshilltarë.

Neni 9
Zv/Kryetari i Këshillit të Bashkisë

1. Këshilli zgjedh nga përbërja e tij një Zv/Kryetar. Seanca për zgjedhjen e Zv/Kryetarit drejtohet nga Kryetari i Këshillit.

2. Rregullat për zgjedhjen dhe shkarkimin e Zv/Kryetarit janë analoge me ato të Kryetarit.

Neni 10
Sekretari i Këshillit të Bashkisë

1. Këshilli, me propozim të Kryetarit, emëron me votim të fshehtë Sekretarin e Këshillit me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të këshilltarëve.

2. Sekretari i Këshillit përgjigjet për mbajtjen e dokumentacionit zyrtar të Këshillit, ndjekjen e punës për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve, njoftimin për zhvillimin e mbledhjeve, shpalljen dhe publikimin e njoftimeve dhe akteve të Këshillit të Bashkisë, përgatitjen e seancave të këshillimit me komunitetin dhe mbikqyr respektimin e kësaj rregullore.

3. Sekretari i Këshillit merr detyra specifike nga Kryetari i Këshillit. Bashkëpunon me Kryetarin e Bashkisë dhe e vë në dijeni atë me gojë ose me shkrim për problemet që lindin.

4. Ndihmon kryetarin gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Këshillit

5. Sekretari i këshillit mban regjistrin elektronik të vendimeve ku të përfshihet edhe hyrja në fuqi e tyre, duke specifikuar llojin e aktit.

6. Shkarkimi i Sekretarit të Këshillit mund të propozohet nga Kryetari i Këshillit, ose nga jo më pak se 15 këshilltarë, vetëm për shkelje të rënda të ligjit.

Neni 11
Konferenca e Grupeve të Këshilltarëve të Bashkisë

1. Konferenca e Grupeve të Këshilltarëve është organ këshillimor dhe përbëhet nga Kryetari, Zv/kryetari, Sekretari i Këshillit dhe Kryetarët e grupeve të këshilltarëve.

2. Në mbledhjen e parë të Konferencës së Grupeve të Këshilltarëve, pas kostituimit të Këshillit të ri të Bashkisë, kryetarët e grupeve bien dakort për ndarjen e hapësirave të sallës ku do të zhvillohen mbledhjet e Këshillit.

3. Konferenca e Grupeve të Këshilltarëve harton programin tre mujor të zhvillimit të mbledhjeve dhe e paraqet në Këshill për miratim.

4. Mbledhjen e Konferencës së Grupeve të Këshilltarëve e drejton Kryetari i Këshillit, në mungesë të tij Zv/Kryetari i Këshillit.

5. Gjatë diskutimit të programit të zhvillimit të mbledhjeve, Konferenca e Grupeve të Këshilltarëve, kur e shikon të arsyeshme, thërret një nga drejtuesit e Bashkisë, sipas problematikës që shqyrtohet, por edhe drejtues të institucioneve brenda juridiksionit territorial të bashkisë, për të raportuar mbi punën dhe problematikat e sektorit / institucionit që drejton.

Kreu III
GRUPET E KËSHILLTARËVE

Neni 12
Organizimi i grupeve të këshilltarëve

1. Këshilltarët e zgjedhur nga e njëjta listë, si rregull, formojnë një grup këshilltarësh.

2. Këshilltari që vendos të bëjë pjesë në një grup të ndryshëm nga ai ku është zgjedhur, duhet t’i komunikojë këtë vendim kryetarit të këshillit, duke paraqitur edhe deklaratën me shkrim për pranim nga grupi i ri.

3. Asnjë grup nuk mund të ketë më pak se tre këshilltarë.

4. Mund të konstituohet një grup i përzier, i përbërë nga këshilltarë që vijnë nga lista me më pak se tre kandidatë të zgjedhur ose këshilltarë që janë larguar nga grupe të ndryshëm këshilltarësh.

5. Grupet duhet t’i komunikojnë me shkrim Kryetarit të Këshillit listën me emrat dhe nënshkrimin e anëtarëve si dhe emrin e kryetarit të grupit; në mungesë të kryetarit të grupit konsiderohet i tillë zv/Kryetari dhe në mungesë të tij këshilltari më i vjetër në moshë anëtar i këtij grupi.

6. Kryetari informon Këshillin për përbërjet e grupeve, kryetarët e grupeve, ndryshimet në përbërje dhe numrin e anëtarëve dhe ndryshimet në numrin e grupeve të formësuar.

Kreu IV
KOMISIONET E PËRHERSHËM DHE TË POSAÇËM

Neni 13
Komisionet e përhershëm

1. Këshilli në mbledhjen e dytë të tij zgjedh komisionet zyrtare të tij që quhen komisione të përhershëm si
a. Komisioni për çështjet e ekomomisë, financave dhe privatizimet.
b. Komisioni i mandateve dhe i rregullores,
c. Komisioni i shërbimeve dhe strehimit.
d. Komisioni për arsimin, kulturën, sportet dhe OJF-të.
e. Komisioni juridik, i rendit publik dhe i mbrojtjes.
f. Komisioni për zhvillimin urbanistik dhe ndërtimet.
g. Komisioni për mbrojtjen e mjedisit, shërbimeve shëndetësore dhe zhvillimin e turizmit.
h. Komisioni për informacionin dhe mardhëniet me publikun.
i. Komisioni për marrëdhëniet me jashtë.
j. Komisioni për mbikqyrjen, kontrollin dhe nënshkrimin e procesverbaleve të mbledhjeve.
k. Komisioni për zhvillimet bujqësore dhe blegtorale dhe agrobiznesit.

2. Këshilltarët mund të jenë anëtarë njëkohësisht në më shumë se një komision të përhershëm por jo më shumë se në tre të tillë.

3. Numri i këshilltarëve në komisione është 7. Shumicën e Këshilltarëve në komision e ka grupi të cilit me marrëveshje i është lënë vendi i Kryetarit.

4. Nuk mund të jenë anëtarë të komisioneve të përhershëm Kryetari dhe zv/Kryetari i Këshillit.

5. Këshilltarët, jo anëtarë të një komisioni, mund të marrin pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e një komisioni tjeter.

6. Në mbledhjen e parë të komisionit, e cila drejtohet nga komisioneri më i vjetër në moshë, zgjidhet Kryesia e përbërë nga Kryetari dhe zv/kryetari i komisionit. Zv/kryetari bashkëpunon me Kryetarin dhe e zëvendëson atë kur mungon në mbledhje.

Neni 14
Detyra e komisioneve të përhershëm

1. Komisionet e përhershëm kryejnë këto detyra
a. Shqyrtojnë sipas përkatësisë p/vendimet si dhe aktet normativë, duke përpiluar, si rregull, një informacion me shkrim për vendimet e tyre.
b. Ndjekin dhe kontrollojnë veprimtarinë e drejtorive dhe zyrave në Bashki sipas sektorëve përkatës dhe i paraqesin problemet dhe shqetësimet në Këshill.
c. Përgatisin p/vendime, deklarata, rezoluta dhe dokumente të tjera, të cilat ia paraqesin Këshillit, por duke bashkëpunuar edhe me administratën dhe titullarin e bashkisë.
d. Komisionet e specializuara kanë përparësi në shqyrtimin e p/vendimeve. Ata shqyrtojnë analiza, studime e sqarime të paraqitura nga administrata e Bashkisë.
e. Komisioni juridik i shqyrton të gjitha p/vendimet dhe mblidhet i pari, jep mendime të argumentuara për ligjshmërinë ose papajtueshmërinë ligjore të p/vendimit.

2. Të gjitha p/vendimet, si rregull, duhet të diskutohen në komisionet e specializuara dhe në komisionin juridik para se të shqyrtohen në Këshill.

3. Për diskutimin e p/vendimeve, komisionet thërresin drejtuesit e zyrave, drejtorive dhe nëpunës nga administrata e Bashkisë, të cilët sjellin shpjegime rreth p/vendimit. Mund të thirren specialistë të tjerë të jashtëm, me mirëkuptimin e Komisionit, sipas problematikës. Për projekt-vendime të rëndësishëm, në komisione duhet të asistojnë edhe zv/kryetarët e bashkisë sipas drejtorive që mbulojnë.

4. Kur një këshilltar mungon 3 herë radhaz në mbledhjen e komisionit dhe të këshillit pa arsye, i tërhiqet vëmendja në këshill. Kryetari i këshillit vendos ta trajtojë në këshill nëse ky këshilltar do të jetë më pjesë e komisionit përkatës apo do të zëvendësohet me një tjetër brenda grupit ku aderon.

Neni 15
Komisionet e posaçëm

1. Komisionet e posaçëm ngrihen me propozim të 1/3-ës së këshilltarëve. Objekti dhe përbërja e këtyre komisioneve bëhet me vendim të këshillit, të votuar me maxhorancë absolute të numrit të përgjithshëm të këshilltarëve, me një afat kohëzgjatje të përcaktuar në vendim, me detyrë kryerjen e hetimeve, studimeve dhe kërkimeve të nevojshme për mirëfunksionimin e administratës së Bashkisë dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

2. Komisionet hetimore ngrihen për çështje të interesit publik, me kërkesën e 1/3-ës së këshilltarëve.

3. Ngritja dhe kompozimi i këtyre komisioneve bëhet sipas modaliteteve të parashikuara për komisionet e përhershëm, duke u përfaqësuar nga të gjithë grupet pjesëmarrës në këshill.

4. Në mbledhjet e komisioneve të posaçëm mbahet procesverbal. Kur aktiviteti i këtij komisioni kryhet jashtë zyrave, Kryetari i Komisionit urdhëron të protokollohet përmbledhje e diskutimeve dhe aktivitetit që zhvillohet.

5. Në fund të mandatit, komisionet e posaçëm paraqesin raportin e rezultateve të punës në Këshill.

PJESA E DYTË
KËSHILLTARËT E BASHKISË

Kreu I
TË DREJTAT DHE INICIATIVAT E KËSHILLTARËVE

Neni 16
E drejta e informimit

1. Këshilltarët e Bashkisë që duan të marrin informacione të nevojshme për kryerjen e funksionit gjatë mandatit të tyre, i drejtohen në çdo kohë Sekretarit të Këshillit të Bashkisë, përgjegjësve të ndërmarjeve apo institucioneve në varësi të Bashkisë, por edhe Kryesisë së Këshillit, apo Drejtorive të shoqërive të përbashkëta për aktet e të cilave Këshilli Bashkise duhet të shprehet.

2. E drejta dhe konsultimi vlen për të gjitha aktet e administratës së Bashkisë.

3. Këshilltari ka të drejtë të marrë në çdo kohë kopje të akteve që i duhen për ta ndihmuar atë në trajtimin e çështjeve në Këshill. Të gjitha kopjet e akteve i japen pa asnjë tarifë pagese duke shënuar se përdorimi i këtyre akteve është i limituar në ushtrimin e të drejtave të lidhura me detyrën që ai kryen.

Neni 17
E drejta e iniciativës

1. Çdo këshilltar ka të drejtën e iniciativës për çdo argument të parashikuar me ligj si kompetencë e Këshillit Bashkisë

2. E drejta e iniciativës ushtrohet nëpërmjet paraqitjes së p/vendimeve dhe amendamenteve, pyetjeve, propozimeve apo mocioneve.

3. P/vendimet e përgatitura nga zyrat dhe drejtoritë e administratës së bashkisë paraqiten tek Sekretari i Këshillit nga sektori i Protokollit të bashkisë, pasi kanë marrë firmën e titullarit të saj, i cili i transmeton kopje të p/vendimit gjithë Këshilltarëve.

Neni 18
E drejta për të mbledhur Këshillin

1. Kërkesa për të mbledhur Këshillin, e firmosur nga 1/3 e Këshilltarëve, i drejtohet Kryetarit të Këshillit dhe përmban aryet dhe argumentet që do të trajtohen në mbledhje.

2. Kryetari mbledh Këshillin brenda 10 ditëve nga dita e regjistrimit të Kërkesës.

Neni 19
E drejta për të marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve

1. Çdo Këshilltar mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve ku nuk është anëtar, të kërkojë fjalën, të bëjë propozime, të paraqesë amendamente dhe t’i mbrojë ato, por gjithnjë pa të drejtë vote.

Neni 20
Deklarata në hapje të mbledhjes

1. Në hapje të mbledhjes, Kryetari i Bashkisë mund të kërkojë fjalën për të bërë deklarata të shkurtra ose komente në lidhje me fakte të rëndësisë së veçantë, të cilat nuk janë objekt i rendit të ditës dhe nuk kërkojnë vendime ose ndryshime të akteve të marrë më parë. Në lidhje me këtë deklaratë, grupet e Këshilltarëve kanë të drejtë të ndërhyjnë për jo më shumë se 5 minuta secili.

2. Në fillim të mbledhjes, Këshilltarët mund të tërheqin vëmendjen për probleme të interesit të përgjithshmëm lokal. Kryetari i Bashkisë dhe specialistë nga administrata e Bashkisë mund të japin përgjigje të shkurtëra, jo më shumë se pesë minuta për këto argumente.

Neni 21
E drejta për pyetje dhe mocione

1. Çdo këshilltar mund të paraqesë pyetje mbi çështje që kanë lidhje me aktivitetin e Bashkisë, ose me jetën kulturore, sociale e civile të qytetit, dhe raportet e Bashkisë me institucione të tjera.

2. Pyetjet dhe mocionet bëhen me shkrim, i drejtohen Kryetarit të Këshillit dhe ai ia kalon organeve përkatëse.

3. Këshilltari mund të nënshkruajë pyetje apo mocione të përgatitura nga këshilltarë të tjerë, por si propozues konsiderohet këshilltari që e ka firmosur i pari.

Neni 22
Pyetjet jashtë programit

1. Këshilltarët kanë të drejtë t’i drejtojnë pyetje Kryetarit të Bashkisë dhe çdo drejtuesi tjetër në Bashki.

2. Përgjigjet vihen në pikën e parë të rendit të ditës.

3. Këshilltarët duhet të sqarojnë për tre minuta pyetjet e depozituara me shkrim dhe përgjigjja nuk mund të jetë më shumë se pesë minuta. Pas përgjigjes, këshilltari që ka drejtuar pyetjen mund të shprehet se është i kënaqur nga përgjigjja ose jo, për jo më shumë se dy minuta.

4. Kryetari i Këshillit ka të drejtë të mos pranojë e të mos vendosë në rendin e ditës pyetje pa u njohur të paktën tre ditë përpara zhvillimt të mbledhjes së Këshillit me to.

Neni 23
Iniciativat për projekt-vendime

1. Çdo këshilltar ka të drejtë të paraqesë p/vendime për çështjet që janë kompetencë e Këshillit, duke zbatuar rregullat e parashikuar në nenin 26 pika 6 të kësaj rregullore. Si rregull nuk mund të paraqiten P/V për buxhetin, taksat, strehimin, urbanistikën shërbimet dhe numrin e punonjësve nga këshilltarë ose grupe këshilltarësh pa ndjekur procedurat ligjore

Kreu II
DETYRAT E KËSHILLTARËVE

Neni 24
Detyrat

1. Këshilltari duhet të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit.

Neni 25
Abstenimi

1. Këshilltari duhet të mos marrë pjesë në diskutime dhe votime p/vendimesh që kanë një interes direkt personal ose të famijarëve të afërt të përcaktuar me ligj.

2. Këshilltari, i cili largohet nga salla e mbledhjes për aryen e përmendur më sipër, njofton kryetarin e grupit të tij dhe ai Sekretarin e Këshillit. Ky i fundit, nëpërmjet specialistit të protokollit pasqyron në procesverbalin e mbledhjes faktin.

PJESA E TRETË
FUNKSIONIMI I KËSHILLIT TË BASHKISË

Kreu I
Organizimi i punimeve

Neni 26
Programi i punimeve të Këshillit

1. Konferenca e Grupeve të Këshilltarëve organizon aktivitetin e Këshillit të Bashkisë, duke programuar punimet.

2. Programi ndërtohet duke pasur parasysh prioritetet e paraqitura nga Kryetari i Bashkisë dhe nga propozimet e grupeve të këshilltarëve, si dhe me kërkesat për diskutime mocionesh e interpelanca.

3. Programi i punës hartohet në mbledhjen e Konferencës se Kryetarëve të Grupeve dhe miratohet në Këshill për një periudhë tre mujore me shumicën e anëtarëve prezent në votim.

4. Në bazë të programit definitiv, Kryesia e Këshillit formulon kalendarin e punëve, i cili përmban çështjet dhe mbledhjet për trajtimin e tyre.

5. Kryesia mund të vendosë, për çështje me urgjencë të motivuar, të shtojë në kalendarin e punëve argumente që nuk janë në programin e miratuar në Konferencë, duke përcaktuar edhe në se është e nevojshme të zhvillohen mbledhje suplementare të nevojshme për trajtimin e tyre.

6. Materialet dhe projekt/vendimet drejtuesit e drejtorive dhe të zyrave i paraqesin përmes sektorit të protokollit tek Sekretari i Këshillit brenda datës 20 të çdo muaji.

Neni 27
Rendi i ditës

1. Rendi i ditës i punës së Këshillit të Bashkisë, i njoftohet secilit këshilltar përmes postës së tij elektronike. Kopje e rendit të ditës së mbledhjes vihet edhe në dispozicion të zyrës së informacionit në Bashki për shpallje në stendat përkatëse, si dhe publikohet në faqen e internetit të bashkisë.

2. Për të diskutuar çështje që nuk janë programuar në rendin e ditës, merret vendim nga Këshilli me shumicë të cilësuar të këshilltarëve të pranishëm dhe kjo vetëm për probleme emergjente.

3. Rendi i ditës, kur ka shtesa për probleme emergjente, miratohet nga Këshilli në fillim të mbledhjes me votim.

Kreu II
MBLEDHJET E KËSHILLIT

Neni 28
Salla dhe pjesët e rezervuara të saj

1. Mbledhjet e Këshillit të Bashkisë zhvillohen në sallën përkatëse, në të cilën janë rezervuar hapësirat për grupet e këshilltarëve, Kryesinë e Këshillit të Bashkisë, Kryetarin e Bashkisë, Sekretarin e Këshillit të Bashkisë, Administratën e Bashkisë, publikun dhe organet e informacionit publik.

2. Kryetari i Këshillit, Zv/kryetari dhe Sekretari i Këshillit të Bashkise vendosen në një tavolinë përballë Keshillit.

3. Kryetari i Bashkise vendoset në një tavolinë më vete, së bashku me zëvendësit e tij.

4. Administrata e bashkisë vendoset pas anëtarëve të Këshillit. Drejtoret e drejtorive mund të flasin nga vendi ose në foltore.

5. Asnjë person i huaj nuk mund të qëndrojë në pjesën e sallës të rezervuar për Këshillin, me përjashtim të punonjësve të shërbimit.

6. Përfaqësuesit e mediave të shkruara ose vizive qëndrojnë në krahun e majtë të drejtuesve të këshillit dhe nuk u lejohet që gjatë zhvillimit të mbledhjes të vendosen para tyre dhe ndërmjet këshilltarëve

7. Diten qe zhvillohet mbledhja e Këshillit të Bashkisë dhe për gjithë kohën e zhvillimit të saj jashtë ndërtesës ku zhvillohet mbledhja,vendoset Flamuri Kombëtar dhe Flamuri i Bashkisë.

Neni 29
Mbledhjet e hapura për publikun

1. Mbledhjet e Këshillit janë të hapura për publikun.

2. Pjesëmarrja e publikut garantohet edhe me ndihmën e mjeteve audiovizive sipas modaliteteve të vendosura nga Kryesia e Këshillit.

3. Këshilli, me shumicë te cilesuar, vendos për rastet kur mbledhja bëhet e mbyllur.

Neni 30
Mbledhjet e mbyllura

1. Kur vendoset të zhvillohet mbledhje e mbyllur, drejtuesi i seancës u kërkon personave të ftuar, personave të tjerë nga publiku dhe mediave, të lënë sallën.

2. Nuk mund të zhvillohet mbledhje e mbyllur kur shqyrtohet buxheti, taksat-tatimet, tjetërsime prone publike, etj.

Neni 31
Thirrja e mbledhjes dhe depozitimi i akteve

1. Njoftimi për mbledhjen e Këshillit, të cilit i bashkëngjiten rendi i ditës dhe materialet e mbledhjes bëhet nga Sekretari Këshillit. Njoftimi duhet të përmbajë datën, vendin dhe orën e zhvillimit të mbledhjes.

2. Njoftimi i dorëzohet secilit këshilltar pesë ditë para ditës së zhvillimit të mbledhjes së Këshillit.

3. Mbledhjet e këshillit si rregull bëhen ditën e enjte të javës së fundit të çdo muaji, por mund të organizohen edhe një ditë tjetër të javës kur vendoset kështu në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve.

4. Këshilli mblidhet jashtë radhe:
a. Me kërkesën e Kryetarit të Bashkisë
b. Me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të tij
c. Me kërkesën e motivuar të Prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tij.

5. Në raste urgjente, njoftimi dorëzohet jo më vonë se 24 orë para zhvillimit të mbledhjes. Megjithatë, në rast se shumica e Këshilltarëve në sallë e kërkon, vendimet mund të merren ditën tjetër (në këtë rast mbledhja ndërpritet për të vazhduar ditën tjetër), atëherë kur shtyrja nuk pengohet nga termat e urgjencës.

6. Afati për dorëzimin e njoftimit 24 orë përpara zhvillimit të mbledhjes është i vlefshëm edhe për mbledhjen e dytë.

Neni 32
Numri i nevojshëm (Kuorumi) – Mbledhja e Këshillit

1. Këshilli nuk mund të zhvillojë mbledhjen e tij në rast se nuk janë prezent më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve.Verifikimi i këshilltarëve në sallë bëhet nga specialisti i protokollit, rezultatin e të cilit ai ia paraqet Kryetarit të Këshillit.

2. Kur mbledhja nuk zhvillohet, për arsye se pas 30 minutave nga orari i përcaktuar në njoftimin e mbledhjes nuk plotësohet numri i nevojshëm, ose gjatë mbledhjes vihet re mungesa e kësaj kërkese, Kryesia organizon një mbledhje të dytë. Gjatë mbledhjes së dytë diskutohet me të njëjtin rend dite i planifikuar për mbledhjen që nuk u zhvillua.

Neni 33
Hapja e punimeve të mbledhjes

1. Mbledhja e Këshillit të Bashkisë hapet, si rregull, në orën 1000 dhe përfundon jo më vonë se ora 1530. Për datën dhe orën e diskutimit të çështjeve që ngelen pa u trajtuar, vendos Konferenca e Kryetarëve të Grupeve.

2. Mbledhjen e hap dhe e drejton gjithnjë Kryetari i Këshillit të Bashkisë, pavarësisht se është mbledhje e radhës apo jashtë radhe, në mungesë të tij e drejton zv/Kryetari i Këshillit dhe në rast se edhe zv/Kryetari nuk është prezent, mbledhja hapet dhe drejtohet nga Këshilltari më i vjetër në moshë në sallë deri në kthimin e zv/Kryetarit apo Kryetarit të Këshillit.

3. Asnjë Këshilltar nuk ka të drejtë të diskutojë, pa iu dhënë fjala nga drejtuesi i seancës. Fjala kërkohet me ngritjen e dorës sipas prenotimit në sekretari ose tek Kryetari i seancës.

Neni 34
Zhvillime paraprake

1. Per sigurimin e kuorumit per fillimin e mbledhjes verifikimi behet nga specialisti i protokollit.Apeli nominal behet ne rastet kur kerkohet nga nje ose disa keshilltare

2. Kryetari, mbasi kalojnë 30 minuta nga ora e përcaktuar për fillimin e mbledhjes, dhe në rast se numri i nevojshëm nuk plotësohet, kërkon të shënohet në procesverbalin e mbledhjes mbyllja e mbledhjes, emrat e këshilltarëve prezentë, emrat e këshilltarëve që mungojnë, dhe deklaron mbledhjen të mbyllur.

3. Në rast se verifikohet numri i nevojshëm, kryetari i seancës deklaron mbledhjen të hapur dhe përcakton tre këshilltarë si komision votimi, si për votimet e hapura dhe për ato të fshehta, nga të cilët dy zgjidhen nga dy grupet më mëdha dhe i treti me rotacion nga grupet e tjera.

4. Para se të fillojnë punimet sipas rendit të ditës, lexohen nga Sekretari i Këshillit vendimet e dala nga mbledhja e mëparshme dhe shpallja e ligjshmërisë së tyre nga Prefekti i Qarkut.

Neni 35
Programi i punës

1. Rendi i ditës zhvillohet sipas renditjes së përcaktuar në programin e punimeve. Megjithatë Kryetari i seancës ose edhe një këshilltar mund të kërkojë që renditja të ndryshojë, duke treguar edhe arsyet e kërkesës. Në qoftë se nuk ka kundërshtime nga këshilltarë të tjerë, propozimi quhet i pranuar, në të kundërt miratohet varianti që merr shumicën e votave të këshilltarëve prezentë në sallë, duke lejuar një ndërhyrje në favor dhe një kundër nga këshilltarët për jo më shumë se tre minuta secili.

2. Me propozimin e pesë këshilltarëve, Këshilli mund të vendosë të diskutojë dhe të votojë për çështje që nuk janë në rendin e ditës, me kusht që të mos ketë kundërshtime nga këshilltarë të tjerë.

Neni 36
Verifikimi i numrit të këshilltarëve prezentë

1. Gjatë zhvillimit të mbledhjes, verifikimi i numrit të këshilltarëve bëhet kur kryetari i seancës e konsideron të nevojshme ose në rast votimi. Në qoftë se gjatë një votimi numri i nevojshëm nuk del, Kryetari i seancës kërkon të bëhet apeli nominal. Në rast se ky numër nuk plotësohet, votimi quhet i pavlefshëm, mbledhja deklarohet e mbyllur dhe Kryetari përcakton orën e mbledhjes tjetër.

2. Nëse një këshilltar konstaton se në sallë nuk plotësohet kuorumi, i kërkon Kryetarit të urdhërojë verifikimin e numrit të këshilltarëve.

3. Mbledhja pasuese do të zhvillohet në datën dhe orën e përcaktuar pa përgatitjen e një njoftimi tjetër.

Neni 37
Pjesëmarrja e personave të tjerë

1. Administratës së Bashkisë dhe institucioneve të tjera në qytet në varësi të Bashkisë, kur u kërkohet të japin informacion, kanë për detyrë të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit dhe të Komisioneve. Atyre u jepet fjala sa herë kërkojnë të plotësojnë informacionin për të cilin janë thirur.

Kreu III
ETIKA DHE MBAJTJA E RREGULLIT DHE DISIPLINËS NË MBLEDHJE

Neni 38
Disiplina gjatë mbledhjes

1. Këshilltarët marrin pjesë në mbledhje në vendin e caktuar për ta.

2. Këshilltarët që dëshirojnë të flasin i kërkojnë Kryetarit drejtpërdrejt apo nëpërmjet sekretarisë, në fillim ose gjatë diskutimit, deri në mbyllje të diskutimeve. Megjthatë, Kryetari mund të mbyllë regjistrimin e kërkesave për të folur në çdo moment.

3. Këshilltari nuk mund të ndërpritet gjatë fjalës së tij. Kryetari mund t’i kërkojë të mbyllë diskutimin kur koha në dispozicion të tij ka përfunduar, ose mund t’i kërkojë t’i përmbahet temës për të cilën diskutohet. Kur këshilltari është indiferent ndaj kërkesës së Kryetarit, ndërpritet mbledhja për 15 minuta.

4. Në qoftë se këshilltari nuk dëgjon thirrjen, Kryetari mund t’i heqë të drejtën e fjalës dhe, në qoftë se e shikon të nevojshme, ndërpret seancën për 15 minuta.

Neni 39
Sjellja e këshilltarëve

1. Këshilltarët në sallë duhet të kenë veshje dhe sjellje dinjitoze dhe korrekte, të përshtatshme për funksionin publik që ata kanë, qëndrojnë në vendin e tyre, përdorin gjuhë korrekte për funksionin, duke respektuar kolegët, institucionet dhe publikun prezent. Këshilltarët në mbledhjet e Këshillit flasin ulur në vendet e tyre.

2. Kur këshilltari nuk ka qëndrim korrekt, Kryetari i tërheq vëmendjen, dhe, në rast përsëritje, mund të regjistrojë vërejtjen në procesverbalin e mbledhjes dhe të urdhërojë ndalimin e pagesës për atë mbledhje.

3. Në qoftë se këshilltari, të cilit iu tërhoq vërejtje me shkrim nga Kryetari, vazhdon të mbajë qëndrim jokorrekt, apo vazhdon me fyerje, provokime apo kërcënime ndaj Kryetarit, këshilltarëve ose Kryetarit të Bashkisë, Kryetari mund të ndërpresë mbledhjen dhe urdhëron punonjësit e policisë bashkiake të nxjerrin jashtë sallës së mbledhjes këshilltarin. Gjithashtu Kryetari mund t’i kërkojë Këshillit përjashtimin e përkohshëm të këshilltarit nga një deri në tre mbledhje.

4. Këshilli, pasi dëgjon justifikimin e këshilltarit, vendos nëpërmjet votimit me 2/3 e këshilltarëve prezentë.

5. Nuk lejohen telefonë celularë të ndezur gjatë zhvillimit të mbledhjes nga këshilltarë apo të ftuar.

6. Nuk lejohet pirja e duhanit në sallën e mbledhjes.

Neni 40
Sjellja e publikut

1. Publiku i lejuar të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit, duhet të qëndrojë në hapësirën e sallës të rezervuar për këtë qëllim, të mbajë qëndrim korrekt, të mos japë asnjë mendim për çëshjet në diskutim nga Këshilli, opinionet e shprehura nga këshilltarët, apo vendimet e Këshillit.

2. Kur sjellja e publikut pengon vazhdimin normal të mbledhjes, Kryetari urdhëron policinë bashkiake të largojë nga salla personat që sjellin shqetësime. Kur ka shqetësime të rënda të rendit publik, me vendim të motivuar të shumicës të këshilltarëve, i cili pasqyrohet në procesverbal, mbledhja vazhdon me dyer të mbyllura.

Kreu IV
Diskutimet

Neni 41
Diskutimet e propozimeve

1. Kryetari hedh në diskutim çështjet sipas rendit të ditës të vendosur në programin e punimeve.

2. Kryetarët e komisioneve, me kërkesën e Kryetarit, relatojnë rreth punës së komisionit në lidhje me p/vendimin që diskutohet.Kur materiali i tyre eshte me shkrim ai depozitohet te specialistja e protokollit

3. Pas relacioneve të komisioneve, fjalën e marrin kryetarët e grupeve të këshilltarëve.

4. Diskutimet vazhdojnë më tej sipas rradhës së kërkesave të këshilltarëve për të folur, me mundësinë e alternimit, sa të jetë e mundur, të oratorëve të grupeve të ndryshëm, ose atyre pro ndaj atyre kundër. Nuk mund të ketë diskutime në dialog.

5. Kanë preçedencë këshilltarët që kërkojnë fjalën për interpretim të rregullores, ose çështje të proçedurës.

6. Lejohet shkëmbimi i rradhës ndërmjet këshilltarëve, duke i komunikuar më parë Kryetarit..

Neni 42
Ndërhyrja e Këshilltarëve

1. Këshilltarët ndërhyjnë vetëm pasi të kenë marrë fjalën nga Kryetari i seancës, por nuk mund të ndërhyjnë më shumë se një herë për të njëjtën çështje.

2. Lejohet një ndërhyrje tjetër për çdo këshilltar, vetëm për çështje personale, për proçedurë ose për replikë.

3. Çdo këshilltar mund të kërkojë fjalën për çështje të proçedurës duke përmendur referencat ligjore apo pjesën e rregulloreve ku bazohet kërkesa. Fjala jepet vetëm një herë për dy minuta dhe çështje të proçedurës janë:
a. zbatimi i rregullores;
b. propozime për ndryshime ose plotësime të rendit të ditës;
c. kërkesa për ndërprerjen ose shtyrjen e diskutimeve;
d. mënyrën e marjes së vendimeve;
e. mënyrën e kryerjes së votimit;

Neni 43
Çështje të pezulluara dhe çështje të tërhequra

1. Çështjet e pezulluara, ose çështjet për të cilat kërkohet të shtyhet diskutimi në një seancë tjetër, dhe çështjet e paragjykuara, ose çështjet të cilat tërhiqen nga rendi i ditës, mund të kërkohen nga çdo këshilltar para se të fillojë diskutimi i asaj çështje. P/V e paraqitura nga ana e administratës së bashkisë mund të tërhiqen në fillim të mbledhjes nga përgatitësi i projektit ose titullari i bashkisë.

2. Për pezullimin ose tërheqjen e çështjes vendos Kryetari, dhe, në rast se ka kundërshtime, Këshilli.

3. Këshilltari që kërkon pezullimin ose tërheqjen e çështjes merr fjalën për pesë minuta. Më pas ndërhyn një këshilltar pro dhe një kundër, nga pesë minuta secili.

4. Në qoftë se diskutimi i çështjes ka nisur, kërkesa për pezullim duhet të firmoset nga të paktën pesë këshilltarë. Për kërkesën e pezullimit ndërhyn një këshilltar pro dhe një kundër, për pesë minuta secili dhe më pas kalohet në votim.

Neni 44
Çështje personale

1. Përbën çështje personale kur një këshilltar çensurohet apo i atribuohen opinione ndryshe nga ato që ka shprehur.

2. Këshilltari që kërkon fjalën për çështje personale, duhet të saktësojë arsyet dhe Kryetari vendos nëse janë të bazuara.

3. Në qoftë se vendimi i Kryetarit nuk pranohet nga kërkuesi, vendos Këshilli pa bërë diskutime.

4. Nuk lejohet që, me pretekstin e çështjes personale, folësi të kthehet në diskutime që janë mbyllur, të vlerësojë apo diskutojë vendimet që ka marrë Këshilli.

5. Kur gjatë një diskutimi, një këshilltari i përmendet emri direkt apo indirekt, ai ka të drejtën e replikës. Replika bëhet menjëherë pas diskutimit dhe nuk mund të zgjasë më shumë se dy minuta. Për të njëjtin diskutim nuk mund të ketë më shumë se një replikë për këshilltar. Pas replikës këshilltari që ka përmendur emrin ka të drejtën e përgjigjes për dy minuta.

Neni 45
Diskutimet – disiplina dhe kohëzgjatja e diskutimeve

1. Për çështjen që diskutohet, Kryetari i jep fjalën relatorit, i cili mund edhe të mjaftohet me leximin e materialit me shkrim që u është dhënë paraprakisht këshilltarëve.

2. Hapet diskutimi dhe Kryetari i jep fjalën këshilltarëve që e kanë kërkuar, sipas radhës së regjistruar.

3. Kohëzgjatja e çdo diskutimi nuk mund të jetë më shumë se 5 minuta, me përjashtim të rasteve kur është vendosur ndryshe në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve të Këshillit.

4. Pas çdo 90 minuta diskutime bëhet 30 minuta pushim.

5. Diskutimet duhet t’i përmbahen vetëm çështjes që diskutohet. Në rast të kundërt, Kryetari i tërheq vëmendjen këshilltarit dhe, në qoftë se ky i fundit insiston, i heq të drejtën e fjalës.

Neni 46
Ndërprerja e diskutimit të një çështje

1. Kryetarët e grupeve mund t’i kërkojnë Këshillit ndërprerje të shkurtër të diskutimit të çështjes, për tu mbledhur dhe për të marrë vendime në grup.

2. Për ndërprerjen e diskutimit dhe kohëzgjatjen e tij vendos Kryetari seancës. Në rast kundërshtimi, vendos Këshilli pa bërë diskutime.

3. Në rast se pranohet kërkesa për ndërprerje, me kthimin në seancë dhe rifillimin e diskutimit, Kryetari i grupit që kërkoi ndërprerjen ka të drejtë tre minuta të informojë Këshillin mbi vendimin.

Neni 47
Mbyllja e diskutimeve

1. Kryetari deklaron të mbyllur diskutimin pasi kanë folur të gjithë këshilltarët e regjistruar dhe, në rast se p/vendimi është iniciuar nga Bashkia, pasi Kryetari i Bashkisë dhe relatori kanë bërë sqarimet e tyre.

Kreu V
Votimi

Neni 48
Deklarimi i votës

1. Pasi mbyllet diskutimi, per nje problem te caktuar,kryetaret e grupeve dhe ne mungese te tyre zv/kryetaret ose nje keshilltar brenda nje grupimi deklaron voten ne emer te grupit qe perfaqeson.

2. Deklarimi i votës së grupit nuk mund t’i kalojë pesë minuta.

3. Këshilltarët të cilët nuk marrin pjesë në votim, konsiderohen se abstenojnë në qoftë se nuk largohen nga salla.

4. Asnjë nuk mund të marrë fjalën nga momenti kur Kryetari deklaron të hapur votimin, deri në shpalljen e rezultatit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet fjala për zbatimin dhe respektimin e rregullores gjatë votimit që po kryhet.

Neni 49
Ndarja e p/vendimit për votim

1. Kur teksti i p/vendimit që votohet përmban disa dispozita dhe është e mundur të ndahet në disa pjesë, çdo pjesë nga të cilat ka një lidhje llogjike, Kryetari i Këshillit, në qoftë se kërkohet, mund të pranojë votim në pjesë të ndara.

2. Për çdo p/vendim apo amendament, të votuar i ndarë në pjesë, Këshilli duhet të shprehet edhe me votim të përgjithshëm përfundimtar, duke përjashtuar pjesët e p/vendimit që nuk u aprovuan.

Neni 50
Sistemet dhe proçedurat e votimit

1. Votimi është i personal. E drejta e votës nuk mund të delegohet.

2. Aktet votohen me votim të fshehtë elektronik, votim të fshehtë me kuti, votim të hapur me ngritjen e dorës, ose me apel nominal me thirrjen e emrit të këshilltarit. Për të kryer procedurat e votimit, ngrihet Komisioni i Votimit, sipas pikës 3 të nenit 34 të kësaj Rregulloreje.

3. Votimi bëhet me apel nominal me kërkesë, edhe verbale, nga të paktën pesë këshilltarë, e cila bëhet në fund të diskutimeve dhe para se të kalohet në votim. Gjatë votimit nominal, sekretaria e Këshillit lexon emrat e këshilltarëve sipas listës alfabetike të mbiemrave të tyre, dhe këshilltarët përgjigjen “pro”, “kundër”, “abstenoj”. Sekretaria shënon përgjigjen e këshilltarëve dhe ia komunikon Kryetarit.

4. Për aktet, të cilat Këshilli vendos të miratohen me votim të fshehtë si dhe ato me karakter individual, votimi bëhet duke hedhur fletët e votimit në kutitë e fshehta. Nuk mund të bëhet votim i fshehtë për aktet me karakter financiar buxheti, taksat e tarifat, ndihma sociale.

5. Fleta e votimit duhet të përmbajë objektin e votimit si dhe tre kuti të emërtuara: pro, kundër dhe abstenoj sipas modelit bashkëngjitur. Këshilltarët votojnë duke shënuar “+” në kutinë përkatëse.

6. Kur ka kërkesa të ndryshme për sistemin e votimit, ai përcaktohet me votim, pa bërë diskutime.

7. Kur për një akt, për të cilin do të procedohet me votim të fshehtë, ka propozime për ndryshime e shtesa nga komisionet ose këshilltarë, mbas votimit të aktit do të zhvillohet votim i hapur për të gjitha propozimet.

8. Nuk ka ndërprerje të votimit. Kryetari i Këshillit ka të drejtë të ndërpresë, vetëm në rast se vëren shkelje të rënda të kësaj rregulloreje.

9. Kur nga rezultati i votimit, numri i votave “pro” është i barabartë me numrin e votave “kundër”, votimi përsëritet.

10. Kur konstatohen parregullsi, dhe kryesisht kur numri i votave është i ndryshëm nga numri i këshilltarëve që votojnë, Kryatari shpall pavlefshmërinë e votimit dhe menjëherë përsërit votimin.

11. Këshilltarët që kanë konflikt interesash në lidhje me aktin që miratohet, abstenojnë, duke deklaruar votën dhe arsyen e abstenimit.

12. Në përfundim të votimit, akti miratohet atëherë kur votohet nga shumica e këshilltarëve prezentë në mbledhje, përjashtuar rastet kur përcaktohet ndryshe me ligj ose në këtë rregullore. Në funksion të kësaj pike, në numrin e këshilltarëve prezentë në mbledhje do të jenë edhe këshilltarët të cilët deklarojnë se nuk marrin pjesë në votim, megjithatë ndodhen në sallë kur fillon votimi.

13. Në fund të votimit shpallet rezultati nga Kryetari i Këshillit me formulën “Këshilli miraton aktin” ose “Këshilli nuk miraton aktin”.

Neni 51
Mbyllja e mbledhjes

1. Kur arrihet ora e parashikuar për përfundimin e mbledhjes dhe nuk kanë mbaruar diskutimet apo votimi, mbledhja vazhdon deri sa ato të përfundojnë.

2. Këshilli mund të vendosë me votat e 2/3 të këshilltarëve prezentë që mbledhja të vazhdojë pas orarit të parashikuar për të përfunduar

Kreu VI
MBAJTJA E PROCESVERBALEVE DHE ZBARDHJA E TYRE.

Neni 52
Procesverbali i mbledhjes

1. Procesverbali i mbledhjes përmban pikat kryesore te diskutimeve,menyrat dhe procedurat e votimit,numrin e votave pro,kunder dhe abstenim;datën, orën dhe vendin e mbledhjes duke shenuar jo vetem emrat e keshilltareve pjesemarres,por edhe te atyre qe mungojne ne mbledhje.

2. Të gjitha mocionet, përveç atyre të tërhequra, emrat e autorëve të tyre dhe grupet politike që i përkasin.

3. Krahas mbajtjes së protokollit me shkrim, është e detyrueshme që çdo mbledhje të rregjistrohet me rregjistrues të posaçëm dhe zbardhja të bëhet mbi bazën e regjistrimit.

4. Procesverbalet e mbledhjeve të forumit të organit shtetëror shtypen veças për çdo çështje

5. Procesverbali i mbledhjes nënshkruhet nga Kryetari seancës, Sekretari i Këshillit dhe komisioni i mbikqyrjes të kontrollit dhe nënshkrimit të procesverbalit. Anetaret e komisionit jane te detyruar ta firmosin procesverbalin pas mbledhjes së këshillit brenda 2 ditësh nga përfundimi i saj. Në rastet kur një këshilltar, përfaqësues i këtij komisioni ka verejtje për mbajtjen e tij, ai mund të depozitojë me shkrim vërejtjet përkatëse, ose t’i shkruajë ato në procesverbal.

6. Procesverbali mbahet nga specialisti i mbajtjes së protokollit, i cili, pas përfundimit të mbledhjes, e dorëzon atë në arkivin e bashkisë.

7. Zbardhja e akteve bëhet në mënyrë shkresore, format A4, bazuar në procesverbalin e mbledhjes. Akti zbardhet në momentin kur firmoset nga Kryetari i Këshillit.

8. Në mungesë të titullarit të Këshillit, aktet zyrtare mund të firmosen nga personat e autorizuar me shkrim prej tij. Në këtë rast, në aktin zyrtar vihet shënimi “në mungesë dhe me urdhër/porosi“.

9. Aktet e Këshillit vendosen në stendën e lajmërimeve të Bashkisë sipas afateve të përcaktuara me ligj dhe publikohen në faqen e internetit të Bashkisë.

Kreu VII
INFORMIMI I PUBLIKUT

Neni 53
E drejta e informimit dhe transparenca

1. Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me një informacion publik, pa u detyruar të shpjegoje motivet. Ai njihet me dokumentin origjinal dhe i jepet nje fotokopje.

2. Qytetarët e regjistruar rregullisht në skemat e ndihmës shoqërore e përfitojnë informacionin falas deri në një numër të caktuar faqesh për çdo kërkesë.

3. Kryetari i Këshilli të Bashkisë trajton kërkesën për informim sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të kërkesës.

4. E drejta e informimit mund të kufizohet kur dhënia e informacionit dëmton të drejtën e jetës private, sekretin tregtar, prish mbarëvajtjen e një hetimi administrativ ose gjyqësor dhe shkel sekretin profesional të garantuar nga ligji.

Kreu VIII
KONSULTIMI ME PUBLIKUN

Neni 54
Seancat e këshillimit me bashkësinë

1. Këshilli i Bashkisë, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë. Janë të përcaktuara me ligj aktet për të cilat është e detyrueshme të zhvillohen seancat këshillimit.

2. Seancat e këshillimit bëhen në takime të hapura me banorë, takime me specialistë, institucionet e interesuara dhe organizata joqeveritare ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore.

Kreu IX
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 55
Ndryshimi i rregullores

1. Kryetari i Këshillit, një kryetar grupi, një komision i përhershëm apo 10 këshilltarë kanë të drejtë të paraqesin propozime për ndryshimin e kësaj rregulloreje.

Neni 56
Shpallja dhe hyrja në fuqi e rregullores

1. Vendimi nr.81, datë 26.12.2000 “Për rregulloren e organizimit dhe funksionimit të Këshillit të Bashkisë Vlorë se bashku me ndryshimet e vitit 2004,2007dhe 2011 shfuqizohen.
Me vendimin nr 18 dt 31.3.2016 u be zevendesimi i bazes ligjore te ligjit 8652 dt 31.7.2000 me ligjin139/2015 “Per vetqeverisjen vendore”
2. Kjo rregullore shpallet 10 ditë nga data e miratimit dhe hyn në fuqi 10 ditë nga data e shpalljes.

Aneksi 1
Model i fletës së votimit

Këshilli i Bashkisë Vlorë Vlorë më __/ __/ 2016_

FLETË VOTIMI

për _______________________________________

EMRI MBIEMRI PRO KUNDËR ABSTENOJ
1.
2.
3.
4.
5.
6.

Shënim: Vendos shenjën “+” në kutinë poshtë opsionit që do të votosh.

You may also like...