LIGJ Nr.9869, datë 4.2.2008 PËR HUAMARRJEN E QEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i ligjit
Objekt i këtij ligji janë rregullat, sipas të cilave njësitë e qeverisjes vendore mund të marrin
hua dhe çështjet e lidhura me të.
Neni 2
Qëllimi i ligjit
Ky ligj synon zgjerimin e autonomisë vendore, nëpërmjet rregullimit të huamarrjes nga
njësitë e qeverisjes vendore dhe krijimit të hapësirës e rregullave të përshtatshme, që sigurojnë një
proces transparent huamarrjeje, në përputhje me politikat e zhvillimit në tërësi dhe që garanton
stabilitetin makroekonomik dhe kredibilitetin e institucioneve publike në tregjet financiare.
Neni 3
Përkufizime
1. Termat e përdorur në këtë ligj, me përjashtim të rasteve kur në këtë nen janë përkufizuar
ndryshe, kanë të njëjtin kuptim me atë të të njëjtëve terma të përcaktuar në Kodin Civil dhe në ligjet
që rregullojnë:
a) organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore;
b) financat publike, hartimin dhe zbatimin e buxhetit, taksat dhe tarifat vendore, kontabilitetin,
huamarrjen shtetërore;
c) pronësinë shtetërore;
ç) veprimtaritë bankare e financiare, titujt, barrët siguruese.
2. “Hua” është një detyrim monetar apo çdo detyrim tjetër, që buron nga një marrëveshje
financimi, emetim titujsh apo garanci për të tretë.
3. “Borxh” është shuma e huave të marra në tregun bankar, financiar dhe nga palë të treta,
persona fizikë, juridikë ose individë, me kusht kthimi, me ose pa interes, për financimin e projekteve
të caktuara apo për arsye të mungesës së përkohshme të likuiditeteve dhe të deficitit fiskal buxhetor.
4. “Shërbimi i borxhit” është pagesa, që duhet kryer në çdo vit fiskal për principalin, interesat,
zbritjet dhe pagesat e tjera, që rrjedhin nga huatë, përfshirë edhe shpenzimet e lidhura me të.
5. “Marrëveshje financimi” është një marrëveshje me shkrim, që parashikon kushtet dhe
rregullat, sipas të cilave huamarrësi merr fonde nga një huadhënës dhe përmban parashikime për
shlyerjen e tyre, përfshirë çdo marrëveshje kredie, qira financiare, linjë kredie, overdrafti,
marrëveshje shitblerjeje me këste apo marrëveshje tjetër shitblerjeje, si dhe çdo dokument tjetër,
sipas të cilit njësia e qeverisjes vendore merr përsipër të shlyejë kostot kapitale të pronave,
impianteve dhe pajisjeve në një kohë të dhënë.
6. “Hua afatshkurtër” është huaja, që duhet të shlyhet për një periudhë kohe më të shkurtër
se një vit.
7. “Hua afatgjatë” është huaja, që duhet të shlyhet për një periudhë kohe të barabartë ose
më të gjatë se një vit.
8. “Titull i njësisë së qeverisjes vendore” është çdo dëftesë huaje, obligacion, apo çdo provë
tjetër huamarrjeje, e emetuar nga njësia e qeverisjes vendore, në formë fizike apo jofizike.
9. “Garanci për të tretë” është një detyrim, kontingjent i njësisë së qeverisjes vendore, për t’u
bërë përgjegjës, plotësisht apo pjesërisht, për detyrimet financiare të një personi tjetër juridik, në rast
se pala, që ka përgjegjësinë parësore për shlyerjen e këtyre detyrimeve financiare, nuk arrin t’i
paguajë ato në kohën dhe masën e duhur.
10. “Rast mospërmbushjeje” është mosshlyerja nga njësia e qeverisjes vendore e principalit
apo interesit mbi një hua në afatet e caktuara, apo çdo ngjarje tjetër e parashikuar si e tillë në
kushtet dhe rregullat e marrëveshjes së huasë.
11. “Regjistri i borxhit vendor” është regjistri i përgatitur nga Ministria e Financave, i cili
përmban të dhëna për borxhet e njësive të qeverisjes vendore.
12. “Huadhënës” është çdo person fizik, juridik apo individ që financon, nëpërmjet huasë,
njësinë e qeverisjes vendore, përfshirë zotëruesit e titujve të njësisë së qeverisjes vendore, si dhe
çdo përfaqësues të autorizuar të këtyre zotëruesve.
13. “Koha e dobishme” është periudha e parashikuar në vite për përdorimin faktik të një
investimi kapital, përfshirë mirëmbajtjen e zakonshme.
14. “Borxhi publik” është borxhi që përbëhet nga borxhi shtetëror dhe borxhi vendor.
KREU II
KOMPETENCAT PËR HUAMARRJEN VENDORE
Neni 4
Qëllimi i huasë
1. Njësia e qeverisjes vendore mund të marrë hua afatshkurtër, për të financuar mungesën e
përkohshme të likuiditeteve.
2. Njësia e qeverisjes vendore mund të marrë hua afatgjatë për të:
a) financuar shpenzime kapitale, që shërbejnë për një funksion të njësisë së qeverisjes
vendore;
b) rifinancuar hua afatgjatë ekzistuese, të marrë sipas shkronjës “a” të kësaj pike. Huaja e
marrë sipas kësaj pike duhet të jetë me afat maturimi më të gjatë se huaja që rifinancon.
3. Njësia e qeverisjes vendore mund të lëshojë garanci në favor të subjekteve të kontrolluara
prej saj për hua, që merren prej këtyre subjekteve, për financimin e shpenzimeve kapitale, që
shërbejnë për një funksion të njësisë së qeverisjes vendore.
Neni 5
Kushtet e huasë
1. Huaja mund të ketë interes me normë fikse ose të ndryshueshme.
2. Huaja mund të merret në monedhë vendase ose në monedhë të huaj. Huaja afatshkurtër
merret vetëm në monedhë vendase.
3. Huaja afatshkurtër maturohet dhe është e pagueshme deri në ditën e fundit të muajit
nëntor të vitit fiskal, në të cilin merret dhe nuk mund të jetë objekt i rifinancimit apo i zgjatjes së afatit
të maturimit përtej kësaj date.
4. Huaja afatgjatë nuk mund të ketë maturim dhe nuk mund të bëhet e pagueshme përtej
kohës së dobishme të investimit kapital, të financuar me të hyrat e kësaj huaje.
5. Huaja mund të jetë subjekt i kushteve të parapagimit, në përputhje me kushtet e rregullat
e parashikuara në marrëveshjen e saj.
Neni 6
Kompetenca për huamarrjen afatshkurtër
1. Njësia e qeverisjes vendore merr hua afatshkurtër, në përputhje me vendimin në parim të
këshillit të saj, për buxhetin e kësaj njësie për vitin aktual fiskal. Brenda kufizimit të lejuar nga ky ligj,
për borxhin afatshkurtër këshilli përcakton kufirin konkret, brenda të cilit, gjatë zbatimit të buxhetit,
kryetari i njësisë së qeverisjes vendore është i autorizuar të marrë hua afatshkurtër, rast për rast.
2. Huaja afatshkurtër përdoret nga njësia e qeverisjes vendore vetëm pas një përgjigjeje
negative nga Ministria e Financave për mbulimin e nevojave për likuiditete me hua, pa ose me
interes, nga Buxheti i Shtetit. Ministria e Financave përgjigjet brenda dhjetë ditëve nga data e
marrjes së kërkesës për likuiditete. Vlerësohet se Ministria e Financave ka dhënë përgjigje negative,
kur nuk shprehet brenda këtij afati dhe njësia e qeverisjes vendore mund të kërkojë hua afatshkurtër
nga burime të tjera.
3. Njësia e qeverisjes vendore, brenda dhjetë ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes së
huasë afatshkurtër, njofton Ministrinë e Financave për marrjen e kësaj huaje dhe kushtet e saj, si
dhe bën përshkrimin e respektimit të kufizimeve për borxhin afatshkurtër, sipas kreut IV të këtij ligji.
4. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, në mbledhjen më të afërt të këshillit të kësaj
njësie, njofton për marrjen e borxhit afatshkurtër, kushtet dhe rregullat e tij, përfshirë marrëveshjen
me huadhënësin, për kriteret dhe procesin e përzgjedhjes së huadhënësit, si dhe bën përshkrimin e
respektimit të kufizimeve për borxhin afatshkurtër, të vendosur nga këshilli, sipas pikës 1 të këtij
neni.
Neni 7
Kompetenca për huamarrjen afatgjatë
1. Njësia e qeverisjes vendore merr hua me vendim të këshillit për huamarrjen, të miratuar
me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit, në një mbledhje të hapur
për publikun.
2. Vendimi i këshillit autorizon kushtet e huamarrjes dhe përmban të dhënat e mëposhtme:
a) shumën e principalit të huasë;
b) normën e interesit;
c) formën e huasë;
ç) maturimin dhe kushtet e kthimit;
d) qëllimin për të cilin merret huaja;
dh) garancitë për kthimin e huasë, përfshirë edhe përshkrimin e të ardhurave të vëna peng,
nëse ka;
e) përshkrimin e respektimit të kufizimeve të borxhit, sipas kreut IV të këtij ligji;
ë) kohën e dobishme të aseteve, të financuara nga huaja.
3. Njoftimi për mbledhjen e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, në të cilën do të
shqyrtohet vendimi, duhet të botohet në një gazetë me tirazh të konsiderueshëm, jo më pak se
pesëmbëdhjetë ditë para datës së mbledhjes. Ky njoftim duhet të përmbajë edhe të dhënat, sipas
pikës 2 të këtij neni.
4. Njësia e qeverisjes vendore, brenda dhjetë ditëve nga miratimi i vendimit, duhet të njoftojë
Ministrinë e Financave për marrjen e kësaj huaje. Njoftimi duhet të përmbajë:
a) vendimin që autorizon huanë;
b) të ardhurat dhe shpenzimet operative të vitit të mëparshëm fiskal;
c) koston e shërbimit të borxhit për vitin fiskal aktual, përfshirë edhe koston e parashikuar të
huasë së re.
Pavarësisht sa është thënë më lart, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, çdo njësi e qeverisjes
vendore duhet të njoftojë Ministrinë e Financave për planet e huamarrjes për vitin e ardhshëm fiskal.
5. Vendimi për huanë afatgjatë hyn në fuqi pas konfirmimit nga Ministri i Financave. Ministri i
Financave kufizohet vetëm në konfirmimin e përputhshmërisë procedurale për autorizimin e huasë,
në përputhje me këtë nen dhe verifikimin e respektimit të kufizimeve të borxhit, të parashikuara në
kreun IV të këtij ligji. Vlerësohet se Ministri i Financave e ka konfirmuar huanë, në rast se nuk
përgjigjet brenda njëzet ditëve nga data e marrjes së njoftimit, sipas pikës 4 të këtij neni.
6. Pavarësisht pikës 5 të këtij neni, huaja:
a) e marrë për rifinancimin e një huaje tjetër;
b) e marrë në tregjet ndërkombëtare;
c) e marrë nga një njësi e qeverisjes vendore, e cila ka pasur një rast të vështirësisë
financiare, gjatë pesë viteve paraardhëse, është subjekt i miratimit të Ministrit të Financave.
7. Miratimi nga Ministri i Financave, sipas pikave 5 e 6 të këtij neni, nuk përbën garanci dhe
nuk krijon asnjë lloj detyrimi të Republikës së Shqipërisë për kthimin e huasë.
Neni 8
Titujt e njësisë së qeverisjes vendore
1. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me vendimin e këshillit për
huamarrjen, emeton titujt e njësisë së qeverisjes vendore, në formën e regjistrimit në llogari apo në
formë fizike. Kryetari autorizon krijimin e sistemit të regjistrimit kompjuterik për titujt e emetuar në
formën e regjistrimit në llogari, si dhe administrimin e këtij sistemi, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose
nëpërmjet një ndërmjetësi.
2. Titujt e emetuar në formën e regjistrimit në llogari janë detyrime të njësisë së qeverisjes
vendore dhe nuk ndryshojnë nga titujt e emetuar në formë fizike, megjithëse emetimi, mbajtja e
llogarisë dhe transaksionet e tyre, përfshirë edhe pagesa në maturim, realizohen në mënyrë
elektronike, duke përdorur të dhëna të ndërlidhura kompjuterike, të mbajtura nga/dhe nëpërmjet
ndërmjetësve, të cilët veprojnë në cilësinë e agjentit apo të kujdestarit.
3. Titujt e emetuar në formë të certifikuar apo fizike janë detyrime të njësisë së qeverisjes
vendore, të cilat identifikohen nëpërmjet serive të emetimit, numrit përkatës serial dhe vlerës
nominale dhe mund të jenë në formë të regjistruar ose të pagueshme për zotëruesin. Titujt e njësisë
së qeverisjes vendore mund të emetohen në formë fizike, për të evidentuar në mënyrë kolektive një
numër titujsh, që mbajnë të njëjtin përshkrim, por që emetohen në formën e regjistrimit në llogari.
4. Titujt e njësisë së qeverisjes vendore mund të jenë të tregtueshëm ose të patregtueshëm,
në varësi të kushteve të emetimit.
5. Emetimi i titujve të njësisë së qeverisjes vendore bëhet në përputhje me ligjin në fuqi, që
rregullon emetimin, transaksionet me titujt, si dhe subjektet e përfshira në këto transaksione.
Neni 9
Natyra e detyrimit për të shlyer huanë
1. Kthimi i huasë së njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me kushtet dhe afatet e
përcaktuara, është përgjegjësi vetëm e kësaj njësie, përveçse kur garantohet shprehimisht nga një
person tjetër. Huamarrja nga njësitë e qeverisjes vendore nuk përbën asnjë detyrim të drejtpërdrejtë
apo të tërthortë të Republikës se Shqipërisë, përveçse kur Ministri i Financave ka nënshkruar
marrëveshje të garancisë shtetërore për huanë.
2. Buxheti i njësisë së qeverisjes vendore përfshin shumën e shërbimit të borxhit, që duhet të
paguhet në atë vit.
3. Marrëveshja e financimit apo titujt e njësisë së qeverisjes vendore përcaktojnë burimet e
të ardhurave, që janë vendosur si garanci për shlyerjen e huasë, nëse ka, në përputhje me kreun III
të këtij ligji.
4. Përveç rasteve kur Ministria e Financave ka lëshuar një garanci shtetërore për huanë,
marrëveshja e financimit apo titulli përmban dispozitën se huaja është e pagueshme vetëm nga
burimet e parashikuara në dispozitat e saj dhe nuk përbën detyrim të Republikës së Shqipërisë. Çdo
instrument huaje, që nuk përmban këtë përcaktim, është i pavlefshëm.
5. Çdo hua e vlefshme e njësisë së qeverisjes vendore përbën përgjegjësi të vlefshme,
detyruese dhe të ekzekutueshme për këtë njësi, me fuqi detyruese për organet ekzistuese dhe ato
të ardhshme të kësaj njësie.
Neni 10
Të hyrat e huasë
1. Të hyrat e huasë përdoren vetëm për qëllimin e autorizuar në vendimin e këshillit të
njësisë së qeverisjes vendore. Në rast se këshilli, pas marrjes së huasë, vendos ta ndryshojë
qëllimin e marrjes së saj, duhet të ndryshojë edhe vendimin, për të pasqyruar ndryshimin e qëllimit,
sipas të njëjtave procedura, të kërkuara për vendimin fillestar, si dhe të marrë pëlqimin e
huadhënësit për këtë ndryshim. Në rast se huaja është emetuar në formë titulli, merret pëlqimi i asaj
përqindjeje të pronarëve të titujve, që është përcaktuar në kushtet fillestare të emetimit të huasë.
2. Vendimi, që autorizon huanë, mund të parashikojë krijimin e një fondi rezervë veçmas dhe
të ndarë nga fondet e tjera të njësisë së qeverisjes vendore dhe të përdoret vetëm për qëllimet e
shërbimit të borxhit, në rast se njësia e qeverisjes vendore nuk është e aftë të kryejë këto pagesa,
sipas kushteve e rregullave të huasë.
Neni 11
Investimi i fondeve të huasë
Të hyrat e huasë, fondet e mbajtura rezervë për të kryer pagesat e borxhit, përfshirë çdo
fond rezervë, sipas nenit 10 pika 2 të këtij ligji, si dhe çdo e ardhur e vënë garanci për shlyerjen e
huasë mund:
a) të mbahen në llogari të veçanta;
b) të investohen vetëm në titujt e shtetit ose depozita me afat, në banka të miratuara nga
Ministria e Financave, vetëm kur këto maturohen përpara datës së pritshme të kryerjes së
shpenzimit të këtyre fondeve, për qëllimin e autorizuar.
Çdo e ardhur nga investimi i këtyre fondeve përdoret, në radhë të parë, për të mbuluar
shpenzimet që financohen nga huaja dhe për pagesën e shërbimit të borxhit.
KREU III
Neni 12
Huaja me detyrim të përgjithshëm
1. Huaja afatshkurtër dhe afatgjatë e njësisë së qeverisjes vendore përbën detyrim të
përgjithshëm të kësaj njësie, i pagueshëm si shpenzim parësor nga të gjitha fondet, ligjërisht të
disponueshme, të njësisë së qeverisjes vendore, të cilat nuk janë vendosur si garanci për
huadhënës të tjerë, sipas nenit 13 të këtij ligji.
2. Të gjitha huatë me detyrim të përgjithshëm gëzojnë paritet dhe barazi statusi, pavarësisht
nga koha kur janë krijuar dhe pavarësisht nëse janë në formë titujsh apo marrëveshjesh financimi.
Neni 13
Garanci të tjera të ardhurash
1. Huaja me detyrim të përgjithshëm mund të garantohet nga të gjitha apo nga një pjesë e
atyre të ardhurave, për të cilat njësia e qeverisjes vendore ka autoritet të plotë shpenzimi.
2. Çdo vënie garancie e të ardhurave duhet të përshkruhet në vendimin e këshillit, që
autorizon huanë.
3. Të ardhurat e vëna garanci mund të identifikohen veçmas në sistemin e thesarit, të ndara
nga fondet e tjera të njësisë së qeverisjes vendore.
4. Të ardhurat e vëna garanci përdoren në përputhje me kushtet e huasë dhe huadhënësi
gëzon përparësi mbi këto të ardhura, kundrejt çdo pale të tretë.
5. Garancitë e dhëna nga njësia e qeverisjes vendore nuk e detyrojnë, në asnjë rast,
pushtetin qendror për të bërë pagesa të tilla për llogari të kësaj njësie.
Neni 14
Interceptimi i financimit
Njësia e qeverisjes vendore mund të japë garanci shtesë për huanë e garantuar, sipas nenit
13 të këtij ligji, duke lidhur një marrëveshje që, në rast mospërmbushjeje, lejon pagesën e huasë
drejtpërdrejt nga transfertat e pakushtëzuara ose taksat e ndara të pagueshme nga Buxheti i Shtetit
për llogari të kësaj njësie. Këto fonde i paguhen huadhënësit, në përputhje me kushtet dhe rregullat
e marrëveshjes së huasë.
Neni 15
Garanci me prona fizike
Huaja me detyrim të përgjithshëm mund të garantohet edhe me pronë jopublike, fizike, të
njësisë së qeverisjes vendore.
Neni 16
Lloje të tjera garancie
Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore mund të ofrojë garanci të tjera, duke u angazhuar:
a) të zbatojë taksa e tarifa në një nivel të caktuar, të lejuar nga ligji, për të vjelë një shumë të
caktuar të ardhurash;
b) të administrojë një ndërmarrje apo pronë tjetër, në përputhje me kushtet e huasë;
c) të kryejë pagesat drejtpërdrejt nga fonde apo burime, që bëhen të disponueshme dhe të
autorizojë akses të drejtpërdrejtë në këto burime, për të garantuar pagesën e huasë;
ç) të depozitojë fonde apo të ardhura të vëna garanci pranë apo për llogari të huadhënësit;
d) të pranojë procedura specifike pagimi, për të siguruar pagesën ekskluzive apo të dedikuar
për huadhënësin, përfshirë interceptimin e të ardhurave, pagesat në llogari të veçanta, apo
mekanizma ose procedura të tjera pagese;
dh) të pranojë kufizime për hua të mëtejshme;
e) të zgjidhë mosmarrëveshjet me anë të ndërmjetësimit, arbitrazhit apo mekanizmave të
tjerë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve;
ë) të pranojë marrëveshje të tjera, që i vlerëson të nevojshme dhe të dobishme për marrjen e
huasë dhe ofrimin e garancisë për shlyerjen e saj.
KREU IV
KUFIZIMET E BORXHIT
Neni 17
Kufizimet e borxhit afatshkurtër
Shuma e përgjithshme e borxhit afatshkurtër në asnjë rast nuk mund të tejkalojë më shumë
se dhjetë për qind të të ardhurave faktike, gjithsej, nga taksat dhe tarifat vendore dhe taksat e
tatimet e ndara të vitit fiskal paraardhës.
Neni 18
Kufizimet e borxhit afatgjatë
1. Raporti i tepricës operative të vitit fiskal paraardhës (të llogaritur si diferenca e të
ardhurave operative, nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar me
shpenzimet jo të kushtëzuara operative të njësisë së qeverisjes vendore) me shërbimin e borxhit, që
duhet të paguhet çdo vit për borxhin afatgjatë, është jo më pak se 1,4 : 1.
2. Raporti i stokut të borxhit ndaj të ardhurave operative, gjithsej, nga burimet e veta, taksat
e ndara dhe transferta e pakushtëzuar, është jo më shumë se 1,3 : 1.
3. Shërbimi i borxhit, që duhet të paguhet çdo vit për borxhin afatgjatë, nuk mund të tejkalojë
njëzet për qind të buxhetit total të të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar, taksat dhe tatimet e
ndara dhe taksat e tarifat vendore të tri viteve fiskale paraardhëse të njësisë së qeverisjes vendore:
a) përllogaritja e interesave, për efekt të respektimit të kufizimeve të borxhit, bazohet në
normën zyrtare të interesit të ditës kur bëhet përllogaritja;
b) përllogaritja e principalit dhe e interesave të pagueshëm për huanë në monedhë të huaj
bëhet në bazë të kursit zyrtar të këmbimit, të shpallur nga Banka e Shqipërisë, në ditën kur bëhet
përllogaritja;
c) në rastin kur njësia e qeverisjes vendore garanton hua të marrë nga të tretë, përllogaritja,
për qëllim të kufizimit të borxhit, e konsideron huanë sikur të jetë marrë nga ajo vetë në përpjesëtim
me kushtet e garancisë;
ç) respektimi i parashikimeve për kufizimet e borxhit përcaktohet nga njësia e qeverisjes
vendore, sipas një njoftimi, që depozitohet në Ministrinë e Financave, në kohën e marrjes së huasë
dhe ndryshimet e mëvonshme në normën e interesit apo në kursin e këmbimit, për shkak të të cilave
shërbimi i borxhit tejkalon kufizimet, nuk përbëjnë shkelje të kufizimeve të borxhit apo nuk cenojnë
vlefshmërinë e huasë, që ka qenë në përputhje në kohën e emetimit.
Neni 19
Kufizimet e linjës së kredisë
Linja e kredisë kufizohet për qëllim të borxhit afatshkurtër apo afatgjatë, në bazë të tavanit të
linjës së kredisë, pavarësisht nga masa e përdorimit të saj faktik.
Neni 20
Kufizimi shumator i borxhit
1. Shuma e borxhit afatshkurtër dhe afatgjatë, për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, u
nënshtrohet kufizimeve të përcaktuara në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” mbi kufijtë e
borxhit publik.
2. Kufizimi shumator për borxhin afatshkurtër dhe atë afatgjatë të njësisë së qeverisjes
vendore është i barabartë me kufizimin për borxhin afatgjatë, sipas nenit 18 të këtij ligji.
KREU V
SUBJEKTI ME KOMPETENCA TË PËRBASHKËTA
Neni 21
Huamarrja nga subjekti me kompetenca të përbashkëta
Njësia e qeverisjes vendore mund t’i delegojë një subjekti me kompetenca të përbashkëta të
drejtën për të krijuar borxh. Ky subjekt merr hua dhe krijon borxh në përputhje me këtë ligj dhe
marrëveshjen për krijimin e tij. Kufizimi i borxhit për llogari të njësisë së qeverisjes vendore,
themeluese e këtij subjekti, është në proporcion me angazhimin e saj në këtë marrëveshje.
KREU VI
MASAT KORRIGJUESE
Neni 22
Masat korrigjuese
1. Në rast vazhdimësie të një rasti mospërmbushjeje për tridhjetë ditë të njëpasnjëshme,
njësia e qeverisjes vendore dhe huadhënësi duhet të informojnë Ministrinë e Financave brenda pesë
ditëve pune nga ky afat. Ministria e Financave bën një shënim në regjistrin e borxhit vendor, që
identifikon detyrimin e huasë si të mospërmbushur.
2. Në rast mospërmbushjeje, huadhënësit e huave të garantuara me të ardhura specifike
janë të autorizuar të marrin në zotërim dhe të përdorin, në përputhje me termat dhe kushtet e huasë
ose të marrëveshjes së interceptimit, të ardhurat e vëna garanci, derisa i gjithë principali dhe
interesat e huasë të jenë paguar plotësisht.
3. Në rast mospërmbushjeje, huadhënësit kanë të drejtë të marrin të gjitha masat e
mundshme ligjore kundër njësisë së qeverisjes vendore.
4. Në rast mospërmbushjeje, Ministria e Financave i kërkon njësisë së qeverisjes vendore të
hartojë dhe të paraqesë një plan masash për korrigjimin e situatës dhe kthimin në normalitet të
pagesave të borxhit.
Neni 23
Vështirësia financiare
1. Njësia e qeverisjes vendore ndodhet në një rast të vështirësisë financiare kur:
a) llogaritë e pashlyera, të cilave u ka kaluar afati me më shumë se nëntëdhjetë ditë, në fund
të çdo tremujori të vitit fiskal, tejkalojnë tridhjetë për qind të buxhetit të njësisë së qeverisjes vendore
për këtë tremujor;
b) huaja afatshkurtër nuk është shlyer plotësisht deri në ditën e fundit të muajit nëntor të vitit
buxhetor, kur është marrë kjo hua.
2. Ministria e Financave, me marrjen e njoftimit nga njësia e qeverisjes vendore ose kur e
vëren vetë, e shpall këtë njësi në vështirësi financiare dhe bën një shënim në regjistrin e borxhit
vendor për këtë qëllim.
3. Me shpalljen, sipas pikës 2 të këtij neni, njësia e qeverisjes vendore është subjekt i
mbikëqyrjes financiare nga Ministria e Financave dhe nuk mund:
a) të marrë asnjë vendim, që mund të çojë në shtimin e detyrimeve të saj financiare;
b) të vendosë shërbime të reja publike, të themelojë sipërmarrje publike apo çdo institucion
tjetër;
c) të shlyejë asnjë detyrim financiar, të krijuar para shpalljes së rastit të vështirësisë
financiare, përveç detyrimeve, të përcaktuara shprehimisht në planin e rehabilitimit financiar, sipas
pikës 4 të këtij neni;
ç) të marrë hua pa miratimin e Ministrisë së Financave.
4. Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore, brenda gjashtëdhjetë ditëve nga marrja e njoftimit
për vështirësinë financiare, sipas pikës 2 të këtij neni, miraton një plan rehabilitimi financiar, të cilin
ia dorëzon për miratim Ministrisë së Financave. Përgatitja e planit të rehabilitimit bëhet nga kryetari i
njësisë së qeverisjes vendore, me asistencë nga Ministria e Financave.
5. Në rast se njësia e qeverisjes vendore nuk e dorëzon planin e rehabilitimit brenda afatit të
përcaktuar në pikën 4 të këtij neni, plani përgatitet nga Ministria e Financave.
6. Zbatimi i planit të rehabilitimit është i detyrueshëm për njësinë e qeverisjes vendore.
Njësia e qeverisjes vendore dorëzon pranë Ministrisë së Financave, me kërkesë të kësaj ministrie,
por të paktën një herë në muaj, raporte të hollësishme për realizimin e masave, sipas këtij plani.
Neni 24
Dalja nga vështirësia financiare
Ministria e Financave shpall se njësia e qeverisjes vendore pushon së qeni subjekt i masave,
sipas nenit 23 të këtij ligji, në rast se kjo njësi:
a) nuk ka deficit buxhetor për dy vite të njëpasnjëshme;
b) bën kërkesë për çlirimin nga këto masa dhe Ministria e Financave vlerëson se njësia ka
ndërmarrë masa, me të cilat mund të përmirësohet gjendja financiare e njësisë së qeverisjes
vendore dhe të eliminohen kushtet, që kanë shkaktuar rastin e vështirësisë financiare;
c) deklaron dhe argumenton se është në përputhje me planin e rehabilitimit dhe nuk ndodhet
më në kushtet e një rasti të vështirësisë financiare.
Neni 25
Paaftësia paguese
1. Rast i paaftësisë paguese shfaqet, kur njësia e qeverisjes vendore:
a) nuk përmbush detyrimin për shlyerjen e principalit ose të interesit të një detyrimi huaje apo
garancie për të tretë, të marrë dhe të njohur prej saj, apo është subjekt i një vendimi gjykate të
formës së prerë, kur kjo mospërmbushje ka vazhduar për një periudhë prej gjashtëdhjetë ditësh e
kur shuma tejkalon tridhjetë për qind të të ardhurave, gjithsej, të njësisë së qeverisjes vendore nga
taksat e tarifat vendore, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar në vitin buxhetor paraardhës;
b) ka llogari të pashlyera, që tejkalojnë shumën tridhjetë për qind të buxhetit të saj vjetor, për
një periudhë prej nëntëdhjetë ditësh të njëpasnjëshme dhe kjo ka pasur një ndikim të dukshëm
negativ në shërbimet bazë që ofron njësia.
2. Procesi për administrimin e paaftësisë paguese dhe procedurat përkatëse përcaktohen
me ligj të veçantë.
KREU VII
TË NDRYSHME
Neni 26
Regjistri i borxhit vendor
Ministria e Financave mban një regjistër të të gjitha huave të njësive të qeverisjes vendore, i
cili përditësohet në mënyrë të vazhdueshme nga kjo ministri dhe botohet një herë në gjashtë muaj.
Neni 27
Aneksi i borxhit në buxhetin vendor
Çdo njësi e qeverisjes vendore mban një regjistër të veçantë për borxhin e saj, ku
pasqyrohen të dhënat e përcaktuara në nenin 7 pika 2 të këtij ligji, si dhe çdo të dhënë tjetër, që
lidhet me përdorimin dhe shlyerjen e huasë. Detyrimet e njësisë së qeverisjes vendore ndaj
huadhënësve pasqyrohen në një aneks të veçantë të buxhetit vjetor të njësisë së qeverisjes
vendore.
Neni 28
Informacioni publik
Të gjitha dokumentet e lidhura me huamarrjen vendore janë dokumente zyrtare dhe janë të
lejueshme për publikun, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare.
Neni 29
Librat dhe llogaritë
Njësia e qeverisjes vendore ka detyrimin të mbajë regjistrat dhe informacionin e nevojshëm,
për të lejuar verifikimin e kushteve të huave dhe të respektimit të kushteve të vendimit të këshillit për
huamarrjen, përfshirë, por jo kufizuar në përdorimin e të hyrave të huasë, në përputhje me këtë
vendim. Ky informacion do të jetë publik, sipas kuptimit të nenit 28 të këtij ligji.
Neni 30
Kompetencat e zyrtarëve të njësisë së qeverisjes vendore
Kryetari dhe çdo zyrtar i njësisë së qeverisjes vendore, i autorizuar sipas vendimit të këshillit
për huamarrjen, janë të autorizuar të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për apo të lidhur me
huamarrjen, në përputhje me kushtet dhe rregullat e këtij vendimi.
Neni 31
Trajtimi fiskal
Interesi për borxhin e njësisë së qeverisjes vendore është subjekt i tatimit mbi të ardhurat në
të njëjtën masë e mënyrë, si huaja e borxhit të shtetit.
Neni 32
Detyrimet e huave të marra para këtij ligji
Çdo hua e njësive të qeverisjes vendore, e kontraktuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji,
mbetet në fuqi, sipas kushteve e termave të saj, megjithatë zbatohen kufizimet e borxhit, sipas kreut
IV të këtij ligji.
Neni 33
Përparësia ligjore
Në rast mospërputhjeje ndërmjet dispozitave të këtij ligji dhe të ligjeve të tjera në fuqi, që
përmbajnë dispozita për ose kanë lidhje me huamarrjen nga njësitë e qeverisjes vendore, ky ligj ka
epërsi.
Çdo hua e njësive të qeverisjes vendore, e kontraktuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji,
mbetet në fuqi.
Neni 34
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Ministri i Financave të nxjerrë akte nënligjore për:
a) llojin e të dhënave, formën dhe standardet e mbajtjes së tyre në regjistrin e huasë, të
borxhit vendor pranë Ministrisë së Financave, si dhe në regjistrin e borxhit të çdo njësie të qeverisjes
vendore dhe raportimin e njësive të qeverisjes vendore pranë kësaj ministrie;
b) rregullat e përdorimit të mekanizmit të interceptimit;
c) investimin e fondeve të lidhura me huatë vendore dhe menaxhimin e llogarive në banka të
nivelit të dytë për këtë qëllim;
ç) mënyrën e përllogaritjes së kufizimeve të borxhit vendor.
Neni 35
Dispozita kalimtare
1. Njësitë e qeverisjes vendore mund të fillojnë të marrin hua nga data 1 mars 2008.
2. Ngarkohet Ministri i Financave të nxjerrë të gjitha aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
3. Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me shoqatat e njësive
të qeverisjes vendore, organizojnë informimin dhe trajnimin e këtyre njësive, si dhe të subjekteve që
operojnë në tregun bankar e financiar.
Neni 36
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5624, datë 18.2.2008 të Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, Bamir Topi

You may also like...