LIGJ Nr. 79/2017 PËR SPORTIN

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është:
a) sigurimi dhe mbrojtja e të drejtave të shtetasve, që merren me edukim fizik dhe sport, në
përputhje me Kartën Europiane të Sportit dhe me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare në këtë
fushë;
b) përcaktimi i kompetencave të autoriteteve qendrore e vendore në fushën e sporteve;
c) përcaktimi i bazave të përgjithshme dhe ligjore të organizimit e të zhvillimit të sportit;
ç) përcaktimi i marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet organizatave sportive dhe
institucioneve të pushtetit qendror dhe institucioneve të pushtetit vendor;
d) krijimi i kushteve të nevojshme për zhvillimin sistematik nga të gjitha moshat të edukimit fizik
dhe sportit, të mbështetura nga institucionet e pushtetit qendror dhe njësitë e qeverisjes vendore;
dh) të shërbejë si mbështetje ligjore, financiare dhe organizative për funksionimin e institucioneve
dhe të organizatave sportive, publike e private.
Neni 2
Objekti
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të funksionimit dhe të organizimit të sportit në
Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Përkufizime
Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Agjencia Botërore e Antidopingut” është organizatë ndërkombëtare e pavarur jofitimprurëse,
e cila drejton veprimtarinë kundër dopingut në sport, e themeluar dhe e financuar në mënyrë të barabartë
nga lëvizja sportive botërore.
2. “Ambient sportiv” është çdo ambient ose pjesë e një ndërtese apo hapësire të mbyllur rreth saj,
që shërben për veprimtari sportive.
3. “Dopingu në sport” është përdorimi apo administrimi prej sportistëve i substancave doping dhe
i metodave doping, të klasifikuara si të tilla në listën vjetore të Agjencisë Botërore të Antidopingut.
4. “Edukimi fizik” është lëndë mësimore, pjesë e kurrikulës së arsimit parauniversitar dhe
universitar, e cila fokusohet në zhvillimin e aftësive që ndihmojnë në kryerjen me lehtësi dhe kënaqësi të
veprimtarisë fizike ditore. Nëpërmjet saj fitohen aftësitë e nevojshme për të marrë pjesë në një gamë të
gjerë veprimtarish sportive.
5. “Fair play” është loja e ndershme, respektimi i rregullave dhe trajtimi i barabartë i të gjithë
pjesëmarrësve.
6. “Federata sportive” është personi juridik, që krijohet në formën e shoqatës, anëtarë të së cilës
janë shoqatat sportive, shoqëritë sportive dhe klubet sportive që ushtrojnë veprimtari në një sport të
caktuar, dhe që ka për qëllim organizimin, zhvillimin, promovimin, kontrollin, rregullimin dhe përhapjen
e një sporti të caktuar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
7. “Gjykata e Arbitrazhit të Sportit (CAS) në Lozanë të Zvicrës” është një organ ndërkombëtar
gjyqësor, i krijuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet në lidhje me sportin përmes arbitrazhit. Selia e saj është
në Lozanë (Zvicër) dhe gjykatat e saj janë të vendosura në qytetin e Nju Jorkut, Sidneit dhe Lozanës.
8. “Klub sportiv” është personi juridik, që ushtron veprimtari sportive në një sport ose shumë
sporte.
9. “Këshilli i Arbitrazhit Sportiv” është organi kolegjial, që drejton, autorizon, mbikëqyr dhe
kontrollon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështje të lidhura me sportin nëpërmjet paneleve të gjykimit
të mosmarrëveshjeve.
10. “Komiteti Olimpik Ndërkombëtar” është një organizatë e pavarur jofitimprurëse, e cila drejton
Lëvizjen Olimpike Botërore.
11. “Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar” është një organizatë e pavarur jofitimprurëse, e cila
drejton lëvizjen olimpike në Shqipëri.
12. “Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar Special” është një organizatë e pavarur jofitimprurëse,
e cila drejton lëvizjen olimpike për personat me paaftësi intelektuale në Shqipëri.
13. “Lëvizja olimpike” është veprimi i bashkërenduar, i organizuar, universal dhe i përhershëm i të
gjithë individëve dhe subjekteve, që janë frymëzuar nga vlerat e olimpizmit në të pesta kontinentet dhe që
kryhet nën autoritetin suprem të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
14. “Mjedis sportiv” është një hapësirë e mbuluar ose jo, e rrethuar ose jo, e destinuar për
organizimin e veprimtarive sportive, si lojëra sportive, gara sportive, palestra sportive ose fitnesi apo e
përdorur përkohësisht për organizimin e veprimtarive sportive promocionale, lojërave zbavitëse dhe
veprimtarive sportive rekreative.
15. “Objekt sportiv” është sendi i paluajtshëm, i ndërtuar në përputhje me kushtet e nevojshme
për zhvillimin e një apo disa sporteve, në bazë të rregullave teknike, të miratuara nga federata kombëtare e
sportit përkatës.
16. “Organizatë sportive” është Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, federatat, klubet sportive
dhe shoqatat, të cilat zhvillojnë veprimtari sportive.
17. “Organizata Kombëtare Antidoping” është organizata jofitimprurëse që ushtron veprimtarinë
kundër dopingut në Republikën e Shqipërisë.
18. “Qendra sportive kombëtare” është institucioni publik, që përdoret vetëm në funksion të
veprimtarive me karakter sportiv, i specializuar në sigurimin e shërbimit dhe të trajtimit për përgatitjen e
ekipeve olimpike dhe atyre kombëtare në të gjitha disiplinat sportive.
19. “Sport” është tërësia e veprimeve psiko-fizike, që synojnë zhvillimin e ushtruesve, argëtimin,
edukimin, ruajtjen dhe forcimin e shëndetit, përmirësimin e mirëqenies së gjithanshme të tyre dhe arritjen e
suksesit në garat sportive.
20. “Sportist” është individi, ushtrues i një sporti në forma të ndryshme, i anëtarësuar në një
organizatë sportive.
21. “Sportistë të nivelit të lartë” janë persona që praktikojnë sistematikisht dhe në mënyrë të
organizuar sportin, duke marrë pjesë në veprimtari sportive dhe duke arritur rezultate të larta në aktivitete
kombëtare dhe ndërkombëtare.
22. “Sport amator” është veprimtaria sportive, ku pjesëmarrësit për përgatitjen dhe përfaqësimin
në të mbështeten te vullnetarizmi.
23. “Sport profesionist” është veprimtaria e sportistëve, të cilët zhvillojnë veprimtari sportive në
mënyrë profesioniste dhe që janë të pajisur me kontratë me klubin përkatës nga i cili paguhen.
24. “Sport shkollor” është veprimtaria e organizuar kurrikulare dhe ekstrakurrikulare, nëpërmjet së
cilës menaxhohen dhe trajnohen aftësitë kryesore të nxënësve për t’u përfshirë në ushtrimin e disiplinave
të ndryshme sportive.
25. “Sport për të gjithë” përfaqëson një kompleks veprimtarish për praktikimin e lirë të ushtrimeve
fizike në një mjedis tërësisht të sigurt, të organizuar ose të pavarur, në mënyrë individuale ose në grup.
26. “Specialist i sportit” është një punonjës i sportit, i cili ka fituar një diplomë edukimi të sportit
apo një certifikatë të përputhshme ose diplomë të kualifikimit profesional të edukimit të sportit ose
certifikatë të përputhshme kualifikimi profesional.
27. “Shoqatë sportive” është personi juridik, që krijohet nga anëtarët që ushtrojnë veprimtari
sportive në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas dispozitave të këtij ligji dhe të legjislacionit në fuqi.
28. “Shoqëri sportive” është një person juridik, që krijohet dhe funksionon në formën e shoqërisë
tregtare, që ushtron veprimtari sportive me qëllime fitimprurëse, në përputhje me legjislacionin tregtar në
fuqi.

29. “Terren sportiv” është çdo mjedis apo sipërfaqe e hapur, në të cilën ushtrohet veprimtari sportive.
30. “Trajner” është profesionisti i licencuar në fushën e trajnimit sportiv, i cili stërvit një individ
apo ekip dhe e përgatit atë për garim apo ndeshje.
31. “Veprimtari sportive” janë të gjitha format e veprimtarive fizike e sportive, të cilat, nëpërmjet
pjesëmarrjes së organizuar apo të rastësishme, synojnë shprehjen ose përmirësimin e aftësive fizike e
psikike, zhvillimin e marrëdhënieve shoqërore ose arritjen e rezultateve sportive në garat e të gjitha niveleve
dhe të gjitha grup-moshave, duke respektuar frymën sportive dhe duke vlerësuar ndershmërinë sportive.
Veprimtari sportive janë veprimtaritë konkrete, të zhvilluara në një formë, kohë apo vend të caktuar.
Neni 4
Parimet bazë të funksionimit të sportit në Republikën e Shqipërisë
Parimet bazë të sportit janë:
a) parimi i barazisë, si një e drejtë e çdo shtetasi për t’u marrë me sport;
b) parimi i qasjes sistematike, shkencore dhe të diferencuar të edukimit fizik e të sportit gjatë gjithë
jetës së njeriut;
c) parimi i lidhjes së edukimit fizik dhe sportit me shëndetin, arsimin dhe kulturën në një sistem të
vetëm funksional, për të rritur ndikimin e saj të balancuar në të gjithë popullsinë;
ç) parimi i lojës së ndershme dhe korrekte, i udhëhequr nga idealet olimpike dhe parimet e etikës
sportive;
d) parimi i sigurisë, që ka të bëjë me ushtrimin e veprimtarive sportive në një mjedis të sigurt.
Neni 5
E drejta e të ushtruarit të sportit
1. Të ushtruarit e sportit është një e drejtë e të gjithë shtetasve në Republikën e Shqipërisë. Askush nuk
mund të privohet nga kjo e drejtë pa shkak të mbështetur në ligj.
2. Nuk përbëjnë shkelje të së drejtës për të ushtruar sportin rastet kur kufizimet për pjesëmarrjen
në veprimtaritë sportive përcaktohen në rregulloret e organizimit të tyre.
3. Ndalohet diskriminimi në veprimtaritë sportive për shkaqe, si bindjet politike a fetare, raca, etnia,
gjuha, gjinia, orientimi seksual, gjendja ekonomike ose shoqërore.
4. Ndalohen organizimi dhe propaganda politike e fetare në veprimtaritë sportive.
Neni 6
Edukimi fizik dhe sporti në sistemin arsimor
1. Sporti është pjesë përbërëse e programit të edukimit të nxënësve dhe studentëve në institucionet
arsimore publike dhe jopublike.
2. Edukimi fizik në arsimin parauniversitar është pjesë e kurrikulës bërthamë dhe kurrikulës me
zgjedhje të planit mësimor. Edukimi fizik në kurrikulën bërthamë zhvillohet me minimumi tre orë
mësimore në javë për klasat 1-12. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen nga ministri përgjegjës për
arsimin, ndërsa për arsimin profesional nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ministri përgjegjës për
arsimin profesional. Në arsimin universitar edukimi fizik përcaktohet në aktet e brendshme të vetë
institucioneve të arsimit të lartë.
3. Të gjitha institucionet qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore krijojnë kushtet e nevojshme që
nxënësit, studentët, efektivat e policisë dhe të Forcave të Armatosura të zhvillojnë veprimtari fizike dhe
sportive, individuale dhe/ose të organizuara.
4. Përveç disiplinës mësimore të përfshirë si pjesë e kurrikulës, aktivitetet sportive në institucionet
arsimore parauniversitare dhe universitare jashtë procesit mësimor organizohen edhe nga shoqatat sportive
shkollore dhe shoqatat sportive universitare, të cilat mund të jenë të një sporti ose të shumë sporteve,
veprimtaria e të cilave koordinohet sipas përkatësisë nga Federata e Sportit Shkollor dhe Federata e Sportit
Universitar.
5. Federata Shqiptare e Sportit Shkollor dhe Federata Shqiptare e Sportit Universitar janë persona
juridikë, që organizohen dhe funksionojnë në zbatim të kuadrit ligjor për organizatat jofitimprurëse.
Ministria përgjegjëse për sportin njeh vetëm një federatë të sportit shkollor dhe një federatë të sportit
universitar dhe asnjë organizatë tjetër nuk mund të ushtrojë atributet e këtyre federatave.
6. Federata Shqiptare e Sportit Shkollor dhe Federata Shqiptare e Sportit Universitar, krahas
detyrave statutore, kanë edhe këto detyra:
a) Federata Shqiptare e Sportit Shkollor:
i) të organizojë, të drejtojë, të kontrollojë dhe të vëzhgojë veprimtaritë sportive me nxënësit e të
gjitha grup-moshave të arsimit parauniversitar në nivel rajonal dhe kombëtar, në të gjitha disiplinat sportive;
ii) të organizojë kampionatin e shkollave në të gjitha disiplinat sportive dhe të shpallë kampionin
kombëtar të shkollave;
iii) të organizojë ekipet përfaqësuese në veprimtaritë ndërkombëtare të sportit shkollor.
b) Federata Shqiptare e Sportit Universitar:
i) të organizojë, të drejtojë, të kontrollojë dhe të vëzhgojë veprimtaritë sportive me studentët e
arsimit të lartë, në nivel rajonal e kombëtar, në të gjitha disiplinat sportive;
ii) të organizojë universiadat në të gjitha disiplinat sportive dhe të shpallë kampionin kombëtar të
universiteteve;
iii) të organizojë ekipet përfaqësuese në aktivitetet ndërkombëtare të sportit universitar.
7. Shkollat sportive janë institucione arsimore të arsimit të mesëm të lartë me orientim sportiv të
të nxënit. Pranimi në shkollat e arsimit të orientuar bëhet sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen
me akte nënligjore.
8. Të gjitha institucionet arsimore parauniversitare dhe universitare, publike ose jopublike, zbatojnë
standardet në fuqi për zhvillimin e orës mësimore të edukimit fizik dhe sporteve për nxënësit dhe studentët.
KREU II
SHTETI DHE SPORTI
Neni 7
Sporti në Republikën e Shqipërisë
1. Sporti në Republikën e Shqipërisë është një veprimtari publike.
2. Shteti nxit zhvillimin e sportit shkollor, sportit për të gjithë dhe sportit elitar, duke mbështetur
pjesëmarrjen e shtetasve në sport, nëpërmjet krijimit të kushteve ligjore, financiare dhe të infrastrukturës
sportive.
3. Shteti nxit dhe mbështet përfshirjen në veprimtari sportive të personave me aftësi të kufizuar, si
dhe ndihmon nëpërmjet sportit integrimin e tyre në jetën shoqërore.
4. Shteti mbështet organizatat sportive dhe subjektet sponsorizuese të veprimtarive sportive,
nëpërmjet krijimit të lehtësive fiskale.
5. Ndihmat apo sponsorizimet me materiale dhe pajisje sportive për organizatat sportive shqiptare,
të cilat vijnë nga institucione ndërkombëtare apo çdo formë tjetër sponsorizimi, në kuadër të
bashkëpunimit, nxitjes së sportit dhe rritjes së nivelit të sportit në rang ndërkombëtar, përjashtohen nga
detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.
6. Procedurat e përjashtimit dhe listat e materialeve e të pajisjeve sportive miratohen me vendim
të Këshillit të Ministrave.
Neni 8
Ministria përgjegjëse për sportin dhe njësitë e qeverisjes vendore
1. Ministria përgjegjëse për sportin harton dhe zbaton politikën shtetërore në fushën e sportit, plotëson
dhe përmirëson kuadrin ligjor të sportit, administron fondet buxhetore për sportin dhe kontrollon
përdorimin e tyre nga organizatat sportive.
2. Ministria përgjegjëse për sportin bashkë-punon me to për zhvillimin e sportit në Republikën e
Shqipërisë, duke respektuar pavarësinë e funksionimit të tyre, administron objektet sportive publike, që ka
në juridiksion, dhe financon ndërtimin e mirëmbajtjen e mjediseve sportive.
3. Njësia administrative e pushtetit vendor harton dhe garanton politikat vendore në fushën e
sportit shkollor, sportit për të gjithë dhe sportit elitar, krijon institucione përgjegjëse për sportin, menaxhon
objektet sportive, që ka në pronësi, ndërton objekte të reja, sipas nevojës, mbështet zhvillimin dhe
veprimtarinë e organizatave sportive që zhvillojnë veprimtari në territoret e tyre.
Neni 9
Këshilli i Lartë i Sportit
1. Këshilli i Lartë i Sportit është organ këshillimor, pranë ministrit përgjegjës për sportin, i cili merr
pjesë në hartimin dhe zhvillimin e politikave për sportin.
2. Përbërja strukturore dhe shpërblimi i anëtarëve të Këshillit të Lartë të Sportit përcaktohen me
vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Ministri përgjegjës për sportin është kryetar i Këshillit të Lartë të Sportit dhe emëron anëtarët e
tij. Ministri përgjegjës për sportin miraton rregulloren e organizimit e të funksionimit të Këshillit të Lartë
të Sportit.
KREU III
ORGANIZIMI I SPORTIT
Neni 10
Organizimi kombëtar i sportit
Organizimi kombëtar i sportit përbën tërësinë e organizatave e të institucioneve që ushtrojnë
veprimtari në fushën e sportit, të ndara në organizata sportive dhe struktura shtetërore për shërbime
sportive.
Neni 11
Organizatat sportive në Republikën e Shqipërisë
Organizatat sportive në Republikën e Shqipërisë janë:
a) Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar;
b) federatat sportive;
c) shoqatat sportive;
ç) shoqëritë sportive;
d) klubet sportive.
Neni 12
Qendra Sportive Kombëtare
1. Qendra Sportive Kombëtare janë Tirana Olimpik Park dhe Qendra Olimpike Korçë.
2. Këto qendra janë në pronësi të njësive të qeverisjes vendore përkatëse dhe përdoren vetëm në
funksion të veprimtarive me karakter sportiv.
Neni 13
Financimi i organizatave sportive
1. Federatat sportive dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar financohen me fonde të dhëna
nga Buxheti i Shtetit, në formë transferte, të parashikuara në Buxhetin e Shtetit, si dhe nga burime të tjera
të ligjshme. Mënyra e përdorimit të këtij fondi përcaktohet me udhëzim të përbashkët të Ministrit të
Financave dhe të ministrit përgjegjës për sportin.
2. Ministria përgjegjëse për sportin mbikëqyr dhe kontrollon administrimin e transfertës së
Buxhetit të Shtetit në të gjitha organizatat sportive që kanë përfituar nga fondet publike.
Neni 14
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar
1. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar është person juridik, që organizohet dhe funksionon në
zbatim të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe kuadrit ligjor për organizatat jofitimprurëse dhe
ushtron veprimtarinë në përputhje me Kartën Olimpike dhe statutin e tij të miratuar nga ministri përgjegjës
për sportin, përpara kërkesës për regjistrim në gjykatën kompetente.
2. Lëvizja olimpike drejtohet dhe bashkë-rendohet nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
3. Ndryshimet statutore miratohen nga ministri përgjegjës për sportin brenda 60 ditëve nga data e
depozitimit. Pas kalimit të këtij afati, ndryshimet statutore konsiderohen të miratuara në heshtje. Pas
përfundimit të kësaj procedure, ndryshimet statutore regjistrohen në gjykatë.
4. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mund të financohet me fonde të dhëna nga Buxheti i
Shtetit në formë transferte, si dhe burime të tjera të ligjshme.
5. Ministria përgjegjëse njeh vetëm një Komitet Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe asnjë organizatë
tjetër nuk mund të ushtrojë atributet e këtij Komiteti.
6. Në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar aderojnë federatat shqiptare, organizata të tjera
sportive dhe persona juridikë dhe fizikë, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në statutin e këtij Komiteti.
7. Vendimet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar bëhen publike nëpërmjet dërgimit zyrtar tek
të gjithë anëtarët e tij.
Neni 15
Programet kryesore të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar bashkërendon fondet e veta me ato të pushtetit qendror e vendor
në zbatim të programeve si më poshtë:
a) programi i edukimit olimpik;
b) programi rinor i lëvizjes olimpike;
c) programi i zhvillimit rajonal të lëvizjes olimpike;
ç) programi i përgatitjes dhe pjesëmarrjes së sportistëve më të mirë të vendit në Lojërat Olimpike
dhe në garat e tjera olimpike, ndërkombëtare e rajonale.
Neni 16
Federatat sportive
1. Federata shqiptare është person juridik që organizohet dhe funksionon në zbatim të Kodit Civil
të Republikës së Shqipërisë dhe kuadrit ligjor për organizatat jofitimprurëse dhe ushtron veprimtarinë në
një sport të caktuar në përputhje me statutin e saj, të miratuar nga ministri përgjegjës për sportin brenda
60 ditëve nga data e depozitimit, përpara kërkesës për regjistrim në gjykatën kompetente. Pas kalimit të
këtij afati, statuti konsiderohet i miratuar në heshtje.
2. Federatat sportive pas titullit të përkatësisë duhet të shënojnë emërtimin “Federatë shqiptare”.
3. Të drejtën për të përfituar emërtimin “Federatë shqiptare” e një sporti të caktuar e gëzon ajo
organizatë sportive, e krijuar me nismën e personave juridikë, personave fizikë dhe klubeve sportive të atij
sporti, që kanë pranuar emërtimin dhe statutin e federatës. Pas përfundimit të kësaj procedure, statuti i
miratuar regjistrohet në gjykatë.
4. Ministria përgjegjëse për sportin njeh vetëm një federatë në një sport të caktuar dhe asnjë
organizatë tjetër nuk mund të ushtrojë atributet e kësaj federate.
5. Kërkesat e personave juridikë, personave fizikë dhe klubeve sportive të atij sporti për anëtarësim
në federatë merren në shqyrtim në mbledhjen e parë të organeve përkatëse të federatës. Vendimi i organeve
përkatëse të federatës duhet të jetë i arsyetuar. Kundër vendimit për anëtarësim mund të paraqitet ankim
pranë Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
6. Asnjë person nuk mund të marrë pjesë në asnjë veprimtari sportive pa u anëtarësuar më parë
pranë federatës përkatëse.
7. Ndryshimet statutore miratohen nga ministri përgjegjës për sportin sipas së njëjtës procedurë që
miratohet dhe statutit.
8. Federatat shqiptare gëzojnë të drejtën për t’u anëtarësuar në organizata të tjera sportive të nivelit
më të lartë, brenda dhe jashtë vendit.
9. Vendimet dhe veprimtaritë sportive të federatave sportive shqiptare bëhen publike nëpërmjet
dërgimit zyrtar tek të gjithë anëtarët e saj.
10. Personat me aftësi të kufizuara mund të organizohen në shoqata sportive dhe të anëtarësohen
në federata, të cilat kanë ekskluzivitetin e trajtimit të të gjitha çështjeve të një sporti.
Neni 17
Emërtimi “Federatë shqiptare”
1. Shteti i delegon të drejtën e organizimit e të zhvillimit të veprimtarive sportive kombëtare e
ndërkombëtare vetëm një federate sportive, në një sport të caktuar.
2. Akti i emërtimit “Federatë shqiptare” të një sporti të caktuar jepet nga ministri përgjegjës për
sportin, pas opinionit të marrë nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ky Komitet paraqet opinionin
jo më vonë se 15 ditë nga dita e marrjes së njoftimit.
3. Akti i emërtimit “Federatë shqiptare” e një sporti i revokohet një organizate sportive dhe ministri
përgjegjës për sportin kërkon nga gjykata kompetente heqjen e emërtimit “Federatë shqiptare” nëse:
a) veprimtaria e saj nuk zhvillohet në përputhje me qëllimet dhe objektivat e përcaktuar në statut;
b) asambleja e përgjithshme e saj merr vendime në kundërshtim me ligjin;
c) pushon së funksionari si rezultat i shpërbërjes së saj.
Neni 18
Detyrat e federatave
1. Federata shqiptare e një sporti të caktuar, krahas detyrave statutore, ka edhe këto detyra:
a) të organizojë, të drejtojë, të kontrollojë dhe të vëzhgojë aktivitetet sportive zyrtare në nivel
kombëtar, në bazë të rregulloreve të miratuara;
b) të organizojë kampionatin kombëtar dhe të shpallë “Kampionin kombëtar” dhe “Ekipin
kampion kombëtar” në sportin përkatës;
c) të organizojë Kupën e Shqipërisë dhe të shpallë “fituesin e Kupës së Shqipërisë” në sportin
përkatës;
ç) të marrë masa për parandalimin dhe të luftojë dhunën, si dhe të promovojë sportin e pastër dhe
tolerancën;
d) të përdorë simbolet e federatës ose të autorizojë përdorimin e tyre nga anëtarë të tjerë, për
çdo qëllim;
dh) të organizojë ekipin kombëtar dhe të marrë pjesë në veprimtaritë sportive ndërkombëtare ose
të autorizojë pjesëmarrjen e anëtarëve të saj në këto veprimtari;
e) të organizojë veprimtari zyrtare me karakter ndërkombëtar në Republikën e Shqipërisë
me miratimin e ministrisë përgjegjëse për sportin.
ë) të licencojë trajner për sportin përkatës;
f) të japë pëlqimin për kryerjen e veprimtarive sportive, për anëtarët e saj.
2. Asnjë person juridik, privat ose publik, nuk mund të ushtrojë asnjë nga kompetencat ekskluzive
të federatës, vetëm nëse ato i janë dhënë zyrtarisht prej saj.
Neni 19
Shoqatat sportive
1. Shoqatat sportive kanë për qëllim pjesëmarrjen në veprimtari sportive ose zhvillimin e tyre, në
përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin shqiptar në fuqi.
2. Mënyra e krijimit, forma e organizimit dhe e funksionimit dhe objekti i veprimtarisë së shoqatave
sportive mbështeten në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, kuadrin ligjor për organizatat
jofitimprurëse dhe për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse, si dhe në bazë të këtij ligji.
3. Shoqatat sportive kombëtare nuk mund të zhvillojnë veprimtari sportive ose të marrin pjesë në
to pa u regjistruar si anëtare në federatën shqiptare të sportit përkatës.
4. Shoqatat sportive mund të përfitojnë financime edhe nga organet e pushtetit qendror ose
vendor, në zbatim të dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi, nëpërmjet transfertave dhe nga burime
të tjera.
Neni 20
Shoqëritë sportive
1. Shoqëritë sportive kanë për qëllim pjesëmarrjen në veprimtari sportive ose zhvillimin e tyre, në
përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin shqiptar në fuqi.
2. Mënyra e krijimit, forma e organizimit dhe e funksionimit, si dhe objekti i veprimtarisë së
shoqërive sportive mbështeten në legjislacionin për shoqëritë tregtare.
3. Shoqëritë sportive nuk mund të zhvillojnë veprimtari sportive ose të marrin pjesë në to, pa u
regjistruar si anëtare në federatën shqiptare të sportit që ushtrojnë.
4. Shoqëritë sportive mund të përfitojnë financime edhe nga organet e pushtetit qendror ose
vendor, në zbatim të dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi, nëpërmjet transfertave dhe nga burime
të tjera.
Neni 21
Klubet sportive
1. Klubet sportive organizohen dhe funksionojnë sipas legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe
shoqëritë tregtare ose për organizatat jofitimprurëse.
2. Çdo organizatë, që ka personalitet juridik, ka të drejtë të krijojë klube sportive të një ose shumë
sporteve, të cilat kanë personalitet juridik të ndarë nga ai i themeluesit dhe organizohen e funksionojnë në
bazë të aktit themelues të organit krijues.
3. Procedurat e transformimit të klubeve realizohen me vendim të organit krijues brenda një
periudhe kohore prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
4. Klubet sportive mund të përfitojnë financime nga organet e pushtetit qendror ose vendor,
në zbatim të dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi, nëpërmjet transfertave dhe nga burime të
tjera.
Neni 22
Kapitali shtetëror
Në shoqëritë tregtare me objekt ushtrimin e veprimtarisë sportive në një sport të caktuar, pjesa e
kapitalit shtetëror ose aksioneve/kuotave të zotëruara nga shteti mund të privatizohet nëpërmjet ministrisë
përgjegjëse për privatizimin, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në legjislacionin në
fuqi.
KREU IV
DREJTËSIA SPORTIVE
Neni 23
Shqyrtimi administrativ
1. Federatat sportive krijojnë organet e gjykimit disiplinor, sipas procedurave të përcaktuara në
statutin e tyre.
2. Organet e gjykimit disiplinor të federatave shqyrtojnë dhe vendosin masa ndëshkuese ndaj
pjesëmarrësve në veprimtaritë, garat sportive, që kryejnë shkelje disiplinore ose teknike, në kundërshtim
me rregulloren e veprimtarisë dhe/ose me rregulloren e disiplinës së federatave përkatëse.
3. Vendimet e organeve të gjykimit disiplinor të federatave mund të ankimohen në Këshillin e
Arbitrazhit Sportiv brenda pesëmbëdhjetë ditëve kalendarike nga shpallja e tyre.
Neni 24
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
1. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën e sportit organizohet dhe funksionon Këshilli i
Arbitrazhit Sportiv.
2. Këshilli i Arbitrazhit Sportiv është organ kolegjial që drejton, autorizon, mbikëqyr dhe
kontrollon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për çështje të lidhura me sportin nga panelet e gjykimit të
mosmarrëveshjeve, të përbërë nga arbitra/ ndërmjetës, të zgjedhur nga lista e arbitrave dhe ndërmjetësve
që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga asambleja e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
3. Kriteret për arbitrat dhe ndërmjetësit miratohen nga Asambleja e Përgjithshme e Komitetit
Olimpik Kombëtar Shqiptar, me shumicë të cilësuar të të gjithë anëtarëve të këtij Komiteti.
4. Këshilli i Arbitrazhit Sportiv përbëhet nga shtatë anëtarë, me përvojë jo më pak se dhjetë vjet
në fushën e jurisprudencës ose ekonomisë, përfaqësues të:
a) Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (katër anëtarë);
b) Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Special (një anëtar);
c) Dhomës Kombëtare të Avokatisë (një anëtar);
ç) Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve (një anëtar).
5. Të drejtat dhe detyrat e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv përcaktohen në rregulloren e tij, e cila
miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar me shumicë të cilësuar
të anëtarëve.
6. Veprimtaria e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv bazohet në rregulloren e brendshme dhe Kodin e
Arbitrazhit Sportiv.
7. Panelet e gjykimit të mosmarrëveshjeve kanë përgjegjësinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të
lidhura me sportin. Mënyrat e formimit të paneleve të gjykimit të mosmarrëveshjeve përcaktohen në Kodin
e Arbitrazhit Sportiv. Arbitrat apo ndërmjetësit e paneleve të gjykimit të mosmarrëveshjeve e bazojnë
veprimtarinë në rregullat e procedimit, të parashikuara në Kodin e Arbitrazhit Sportiv. Për realizmin e
misionit të tij, Këshilli i Arbitrazhit Sportiv duhet të sigurojë infrastrukturën e nevojshme, legjitimitetin e
paneleve të gjykimit të mosmarrëveshjeve, mbikëqyrjen e zhvillimit procedural të çështjeve dhe
ekzekutimin e vendimeve.
8. Vendimet e paneleve të arbitrave/ ndërmjetësve ankimohen pranë Këshillit të Arbitrazhit
Sportiv brenda tridhjetë ditëve nga data e shpalljes së vendimit. Këshilli i Arbitrazhit Sportiv shqyrton
ankimin brenda tridhjetë ditëve dhe merr vendim. Vendimet e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv ankimohen
vetëm në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit (CAS), në Lozanë të Zvicrës.
9. Të gjitha organizatat sportive dhe çdo sportist apo trajner me titull individual kanë të drejtën e
ankimit për vendimet e organeve drejtuese dhe mosmarrëveshjet, përpara Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
10. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, federatat shqiptare të sportit, klubet dhe shoqatat
sportive, shoqëritë dhe çdo sportist apo trajner me titull individual pranojnë autoritetin e Këshillit të
Arbitrazhit Sportiv. Ky detyrim përcaktohet në statutet e tyre, të cilat duhet të ndryshohen për të përfshirë
këtë dispozitë brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nëse nuk e kanë të parashikuar.
KREU V
SPORTISTI, TRAJNERI DHE STATUSI I NIVELIT TË LARTË NË SPORT
Neni 25
Sportisti
1. Sportisti ka të drejtë ta zgjedhë vetë shoqatën sportive, shoqërinë sportive, klubin sportiv ku
dëshiron të anëtarësohet, në varësi të sportit që ushtron, dhe ta ndryshojë atë në përputhje me statutet e
tyre.
2. Pjesëmarrja në këto organizata bëhet sipas procedurave të përcaktuara në statut dhe në
legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës. Sportisti është i detyruar të zbatojë të gjitha detyrimet që
rrjedhin nga kontrata e punës.
3. Transferimi i sportistit nga një klub sportiv në një tjetër, brenda ose jashtë vendit, bëhet në
përputhje me rregulloret e veprimtarive sportive, të miratuara nga federata shqiptare e atij sporti dhe nga
ato ndërkombëtare.
Neni 26
Kategoritë e sportistëve
1. Sportistët ndahen në amatorë dhe profesionistë, sipas kushteve të përcaktuara në statutet dhe
rregulloret e federatave sportive kombëtare.
2. Sportistë amatorë janë ata sportistë, që praktikojnë sportin e tyre dhe nuk kanë ndonjë kontratë
pune të lidhur me klubin sportiv apo shoqatën ku janë regjistruar.
3. Sportistët profesionistë janë ata persona që praktikojnë sportin si një profesion dhe fitojnë të
ardhura në bazë të nënshkrimit të kontratës së punës me shoqatat, shoqëritë apo klubet sportive në të cilat
ata janë anëtarë.
Neni 27
Sporti dhe statusi i sportistit të nivelit të lartë
1. Sportistët, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, klasifikohen sipas rezultateve të larta sportive
në veprimtaritë ndërkombëtare zyrtare: “rekord olimpik”, “rekord botëror”, “rekord europian”, “vendi i
parë deri në të tetin në Lojërat Olimpike”, “vendi i parë deri në të gjashtin në kampionate botërore” dhe
“vendi i parë deri në të tretin në kampionate europiane” dhe “vendi i parë në Lojërat Mesdhetare”. Në
veprimtari kombëtare zyrtare: “sportisti i cili thyen rekordin kombëtar” dhe “vendi i parë në kampionatin
kombëtar”.
2. Njësitë e qeverisjes qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore sigurojnë dhe mbështesin trajtimin,
shpërblimin dhe integrimin në sistemin arsimor, social dhe profesional të sportistëve të nivelit të lartë.
3. Kriteret, mënyra e shpërblimit dhe përfitimi i trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve që
përfitojnë statusin e nivelit të lartë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Institucionet arsimore publike me drejtim sportiv, siguri kombëtare dhe mbrojtje, sigurojnë
kryerjen e studimeve për sportistët, të cilët plotësojnë kriteret e përfitimit të statusit të sportistit të nivelit të
lartë, pa konkurs dhe sipas një plani individual.
Neni 28
Trajneri
1. Klubet sportive, shoqatat dhe shoqëritë sportive duhet të punësojnë trajnerë të licencuar
nga federata shqiptare e sportit përkatës dhe të nënshkruajnë kontratë punësimi, në përputhje me
Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë.
2. Klubet sportive, shoqatat, shoqëritë sportive dhe federatat shqiptare të sporteve përkatëse
kanë përgjegjësi për kualifikimin dhe trajnimin e mëtejshëm të tyre në bashkëpunim me institucione
të fushës.
Neni 29
Detyrimet e sportistit dhe trajnerit
1. Sportisti duhet të respektojë rregullat e federatës përkatëse kombëtare dhe asaj
ndërkombëtare, parimet etike të sportit dhe të fair-play-t, kushtet e Konventës Ndërkombëtare të
Antidopingut dhe rregulloret e veprimtarisë.
2. Trajnerët respektojnë rregullat e fair-play-t, parimet e Kodit të Etikës, Konventën
Ndërkombëtare të Antidopingut, si dhe rregulloret e federatave kombëtare përkatëse.
KREU VI
INFRASTRUKTURA SPORTIVE
Neni 30
Objektet sportive
1. Objektet sportive janë publike ose private.
2. Objektet sportive publike janë në pronësi të pushtetit qendror ose atij vendor, sipas
juridiksionit të tyre. Ata janë përgjegjës për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e tyre.
3. Objektet sportive ngrihen dhe mirëmbahen për krijimin e kushteve për ushtrimin e
veprimtarive sportive.
Neni 31
Ndërtimi i objekteve sportive
1. Objektet sportive për zhvillimin e veprimtarive sportive zyrtare ndërtohen në përputhje me
standardet dhe kushtet teknike të miratuara nga federatat ndërkombëtare të sportit përkatës.
2. Administratorët dhe shfrytëzuesit e mjediseve sportive garantojnë rregullat teknike të
sigurisë dhe ato higjieno-shëndetësore për shfrytëzimin dhe frekuentimin e rregullt e normal të
mjediseve sportive.
Neni 32
Përdorimi i objekteve sportive
1. Organet shtetërore ose organizatat sportive, që kanë në pronësi ose në përdorim objekte
sportive, duhet të bëjnë një herë në vit verifikimin paraprak të kushteve të përcaktuara në këtë ligj.
2. Në rastet kur konstatohet se kushtet dhe kriteret nuk janë plotësuar sipas standardeve të
miratuara nga organizatat ndërkombëtare të sporteve përkatëse, organet shtetërore ose organizatat
sportive, që kanë në pronësi ose në përdorim objekte sportive, marrin masa për ndalimin e zhvillimit
të veprimtarive sportive deri në përmbushjen e tyre.
Neni 33
Shfrytëzimi i objekteve sportive
1. E drejta e shfrytëzimit të objektit sportiv i takon personit fizik apo juridik, që ka në
administrim objektin sportiv apo kujtdo tjetër të cilit ky i fundit i jep të drejtën e shfrytëzimit.
2. E drejta e shfrytëzimit të veprimtarisë sportive, që zhvillohet në objektin sportiv, i përket
organizatorit të kësaj veprimtarie.
3. Marrëdhëniet ndërmjet pronarit ose administratorit dhe organizatorëve të veprimtarisë ose
shfrytëzuesit të objektit sportiv, për qëllim të veprimtarisë sportive, rregullohen nëpërmjet
marrëdhënieve kontraktore.
4. Zotëruesi i së drejtës së shfrytëzimit të një veprimtarie sportive nuk mund t’u vërë
sportistëve, pjesëmarrës në këtë veprimtari sportive, asnjë detyrim që cenon lirinë e tyre, qoftë atë të
të shprehurit apo çdo lloj lirie tjetër individuale.
Neni 34
Destinacioni dhe privatizimi i objekteve sportive
Destinacioni i objekteve sportive nuk mund të ndryshojë, pavarësisht nga pronësia, subjekti
administrues apo dhënia me koncesion.
KREU VII
E DREJTA E TRANSMETIMIT, REKLAMAT DHE SPONSORIZIMET
Neni 35
Të drejtat e transmetimit
1. Organizatorët e veprimtarive sportive janë pronarë të së drejtës së transmetimit të kësaj
veprimtarie. Ata mund ta shesin këtë të drejtë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë me
konkurrim publik.
2. Marrëdhëniet juridiko-civile me operatorët televizivë përcaktohen në kontratat e veçanta që
lidhen ndërmjet palëve, të hartuara në zbatim të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe ligjeve të tjera
në fuqi që rregullojnë këto çështje.
Neni 36
Transmetimi i veprimtarive sportive
1. E drejta e transmetimit audioviziv të veprimtarive sportive kombëtare dhe ndërkombëtare të
ekipeve kombëtare të Republikës së Shqipërisë në rrugë ajrore, tokësore ose me çdo lloj mënyre tjetër
transmetimi rregullohet sipas legjislacionit në fuqi për transmetimet audiovizive në Republikën e
Shqipërisë.
2. Të ardhurat e përfituara nga e drejta e transmetimit audioviziv u kalojnë organizatorëve të
veprimtarisë sportive në masën nëntëdhjetë për qind, ndërsa dhjetë për qind i kalon Buxhetit të Shtetit.
3. Transmetimi i informacionit nga operatorët e tjerë audiovizivë bëhet në përputhje me
legjislacionin në fuqi për transmetimet audiovizive në Republikën e Shqipërisë.
Neni 37
Reklamimi
Organizatorët e veprimtarive sportive gëzojnë të drejtën të përdorin sipërfaqet e dukshme të
mjediseve sportive, ku ata zhvillojnë veprimtarinë sportive, për qëllime reklamimi ose sponsorizimi me
personat fizikë apo juridikë, vendas apo të huaj, në bazë të marrëveshjeve kontraktuese të lidhura me to.
Neni 38
Sponsorizimi
1. Klubet sportive ose sportistët, për sportet individuale, në përputhje edhe me rregulloret e federatave
përkatëse të sportit, kanë të drejtë të vendosin në uniformat që përdorin gjatë zhvillimit të veprimtarisë
sportive emrin e shoqërisë sponsorizuese, të shoqërisë sportive ose klubit sportiv, gjithmonë në përputhje
me kushtet e përcaktuara në kontratën e sponsorizimit ndërmjet klubit, federatës së sportit ose sportistëve
dhe sponsorizuesit. Kontratat hartohen në përputhje me Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe sipas
standardeve dhe rregulloreve ndërkombëtare.
2. Madhësia dhe forma e mbishkrimeve duhet të jenë në përputhje me normat e rregullores së
federatës përkatëse sportive dhe me aktet ligjore në fuqi.
KREU VIII
FINANCIMI I SPORTIT
Neni 39
Financimi nga buxheti i shtetit
1. Fondet e Buxhetit të Shtetit për sportin përcaktohen në Buxhetin vjetor të Shtetit.
2. Në financimin e sportit përfshihen edhe burimet financiare nga pushteti vendor, organizatat
sportive, federatat ndërkombëtare sportive, bastet sportive, donacionet, sponsorizimet, e drejta televizive,
reklama dhe nga ndonjë burim tjetër i ligjshëm.
Neni 40
Fondi Kombëtar i Zhvillimit të Sportit
Pranë ministrisë përgjegjëse për sportin krijohet Fondi Kombëtar i Zhvillimit të Sportit nga të ardhurat
që sigurohen nga bastet sportive dhe lojërat e fatit, sipas legjislacionit në fuqi për lojërat e fatit. Kriteret për
shpërndarjen dhe përdorimin e Fondit Kombëtar të Zhvillimit të Sportit për organizatat sportive
miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 41
Organizimi i veprimtarive sportive
1. Organizuesi i veprimtarisë sportive duhet të njoftojë njësitë e qeverisjes vendore dhe organet e rendit
në territorin administrativ ku do të zhvillohet veprimtaria.
2. Afati për informimin e njësisë së qeverisjes vendore dhe organeve të rendit është jo më pak se
shtatë ditë kalendarike përpara zhvillimit të veprimtarisë.
Neni 42
Organizimi i lojërave olimpike rajonale, garat finale botërore dhe kampionatet europiane e
botërore
1. Lojërat olimpike dhe veprimtaritë me karakter olimpik organizohen nga Komiteti Olimpik
Kombëtar Shqiptar.
2. Garat finale botërore dhe kampionati europian e ai botëror në Republikën e Shqipërisë
organizohen nga federatat sportive me mbështetjen e strukturave përgjegjëse të sportit në ministrinë
përgjegjëse për sportet.
3. Për organizimin e lojërave olimpike, të garave finale botërore dhe të kampionatit europian e të
kampionatit botëror duhet të plotësohen kërkesat e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të federatave
sportive ndërkombëtare.
4. Sportistët dhe ekipet që përfaqësojnë Republikën e Shqipërisë në garat sportive ndërkombëtare,
në përputhje me udhëzimet e federatave përkatëse sportive, përdorin simbolin kombëtar.
KREU IX
ANTIDOPINGU NË SPORT
Neni 43
Përdorimi i substancave dhe metodave doping
1. Në procesin stërvitor dhe në veprimtaritë sportive është i ndaluar përdorimi i substancave dhe
metodave doping.
2. Lista e substancave dhe metodave doping të ndaluara në Republikën e Shqipërisë është e njëjtë
me ato të miratuara nga Agjencia Botërore e Antidopingut.
3. Përdorimi i substancave dhe metodave doping, si dhe nxitja për përdorimin e tyre dënohen sipas
normave ndërkombëtare, të pranuara nga federatat përkatëse.
Neni 44
Organizata Kombëtare Antidoping
1. Veprimtarinë kundër dopingut në Republikën e Shqipërisë e ushtron Organizata Kombëtare
Antidoping. Organizata Kombëtare Antidoping është organizatë jofitimprurëse, e themeluar nga jo më
pak se tre federata shqiptare të sporteve olimpike. Organizimi dhe funksionimi i Organizatës Kombëtare
Antidoping bëhen sipas statutit të miratuar nga ministri përgjegjës për sportin dhe gjykata kompetente.
2. Ndryshimet statutore miratohen nga ministri përgjegjës për sportin, brenda 60 ditëve nga data e
depozitimit të dokumentit me ndryshimet përkatëse. Pas kalimit të këtij afati, ndryshimet statutore
konsiderohen të miratuara në heshtje. Pas përfundimit të kësaj procedure, ndryshimet statutore
regjistrohen në gjykatë.
3. Organizata Kombëtare Antidoping mund të financohet me fonde të dhëna nga Buxheti i Shtetit,
organizmat ndërkombëtarë në të cilat aderon, federatat shqiptare të sportit, si dhe burime të tjera të
ligjshme.
4. Ministria përgjegjëse për sportin njeh vetëm një Organizatë Kombëtare Antidoping dhe asnjë
organizatë tjetër nuk mund të ushtrojë atributet e saj.
5. Organizata Kombëtare Antidoping ndërmerr masat e nevojshme, sipas Konventës Europiane
Antidoping, për kontrollin antidoping të sportistëve dhe merr masat e parashikuara ndaj personave që
përdorin ose nxisin përdorimin e dopingut.
6. Federatat shqiptare të sportit pranojnë autoritetin e Organizatës Kombëtare Antidoping për
kontrollin e sportistëve, anëtarë të tyre, dhe dënimin e përdoruesve të dopingut. Ky detyrim përcaktohet
në statutin e federatës.
7. Organizata Kombëtare Antidoping dhe të gjitha organizatat sportive janë të detyruara të
respektojnë antidopingun, sipas përcaktimeve të bëra në dispozitat e Konventës Ndërkombëtare Kundër
Dopingut në Sport, 2005, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr. 9623, datë 16.10.2006, “Për
aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare kundër Dopingut në Sport, 2005”,
dhe Konventës Europiane Antidoping të vitit 1989, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.
9242, datë 17.6.2004, “Për ratifikimin e Konventës Europiane Antidoping, 1989”.
KREU X
KONTROLLI MJEKËSOR DHE KËRKIMI SHKENCOR
Neni 45
Kontrolli mjekësor në sport
1. Asnjë sportist nuk mund të anëtarësohet në një federatë dhe të marrë pjesë në veprimtaritë sportive
të organizuara prej saj pa paraqitur vërtetimin mjekësor që e lejon atë të ushtrojë sportin që ka zgjedhur.
Sportistët e anëtarësuar pajisen me kartelë mjekësore vetjake.
2. Kontrolli mjekësor i sportistëve bëhet nga mjekë të licencuar, të paktën një herë në gjashtë muaj,
për matjen e parametrave jetësorë. Sporte të veçanta, për natyrën e veçantë të tyre, parashikojnë në
rregulloret e funksionimit kontrolle mjekësore më të shpeshta.

3. Kontrolli mjekësor për të gjitha kategoritë e ekipeve kombëtare bëhet nga struktura përgjegjëse e
kontrollit mjekësor dhe rehabilitimit pranë Qendrës së Shërbimit të Sportit dhe Përgatitjes së Ekipeve
Kombëtare.
4. Organizuesit e veprimtarisë sportive mbajnë përgjegjësi administrative për aktivizimin e
sportistëve pa kartelë mjekësore në garat sportive.
Neni 46
Sigurimi shëndetësor i sportistëve
1. Organizatat sportive, anëtare të federatave përkatëse, janë përgjegjëse për sigurimin shëndetësor
të sportistëve që marrin pjesë në veprimtaritë sportive.
2. Sigurimi shëndetësor i sportistëve përballon të gjitha shpenzimet për mjekimin e dëmtimeve që
mund t’u ndodhin sportistëve gjatë veprimtarisë së tyre sportive.
3. Organizata sportive, anëtare e federatave që lejojnë pjesëmarrjen e sportistëve të pasiguruar nga
ana shëndetësore, detyrohet të paguajë të gjitha shpenzimet për rehabilitimin e sportistit në rast dëmtimi
në veprimtarinë sportive, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.
4. Federatat sportive përkatëse janë përgjegjëse për sigurimin shëndetësor të sportistëve të ekipeve
kombëtare gjatë grumbullimeve stërvitore dhe pjesëmarrjes në veprimtaritë ndërkombëtare.
Neni 47
Kërkimi shkencor dhe kualifikimi në sport
Shteti mbështet dhe financon kërkimin shkencor në sport. Kualifikimi dhe kërkimi në sport realizohen
nga institucionet shkencore të specializuara.
KREU XI
PARANDALIMI I DHUNËS NË SPORT
Neni 48
Ndalimi i provokimeve dhe i sjelljeve të palejuara
1. Gjatë veprimtarive sportive të të gjitha niveleve ose gjatë transmetimit të tyre në publik ose në
mjedise ku ato zhvillohen ndalohet provokimi ose përpjekja për provokim me karakter politik, shoqëror,
racial, fetar a gjinor, që synon nxitjen e urrejtjes e të dhunës ndaj pjesëmarrësve në veprimtarinë sportive
dhe/ose ndaj spektatorëve.
2. Gjatë veprimtarive sportive të të gjitha niveleve ose gjatë transmetimit të tyre në publik ose në
mjedise ku ato zhvillohen ndalohen sjelljet e palejuara të mëposhtme:
a) sulmi fizik ndaj çdo pjesëmarrësi në ngjarjen sportive, qofshin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të
veprimtarive sportive apo shikues, ose përleshja fizike mes pjesëmarrësve dhe tifozëve;
b) gjuajtja e sendeve në terrenin sportiv të lojës ose në tribunat e tifozëve;
c) shfaqja e materialeve propaganduese, me të cilat fyhen ndjenjat kombëtare ose ndjenjat e tjera
ose kryejnë provokim me karakter politik, shoqëror, racial, fetar a gjinor;
ç) ndërmarrja e veprimeve që nxisin urrejtje e që mund të sjellin deri në dhunë apo sulme fizike;
d) dëmtimi i mjediseve të sportit, pajisjeve sportive, instalimeve dhe pajisjeve të tjera në mjedisin
sportiv;
dh) veprimet me të cilat pengohet hyrja apo dalja e pjesëmarrësve në mjedisin sportiv, pengimi i
zhvillimit të veprimtarisë sportive apo shkaktimi i pasigurisë në mjedisin sportiv për pjesëmarrësit apo
personat e tjerë;
e) hyrja e paautorizuar në hapësirat e mjedisit sportiv dhe të terrenit sportiv;
ë) hyrja e paautorizuar në hapësirat zyrtare dhe në kalimet zyrtare të mjedisit sportiv ose në pjesën e
tribunës që i caktohet tifozëve të ekipit mik;
f) djegia e rekuizitave, shenjave identifikuese të shteteve, klubeve etj. ose e sendeve të tjera në mjedisin
sportiv;
g) përdorimi i maskave ose sendeve të tjera, me qëllim fshehjen e identitetit ose fshehjen e fytyrës;
gj) trukimi i rezultateve të veprimtarive sportive.
3. Organizatori i veprimtarisë sportive është i detyruar të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet
e nevojshme për sigurimin e veprimtarisë sportive dhe, në veçanti, të kujdeset për marrjen e masave
parandaluese të shfaqjes së provokimeve e të sjelljeve të tjera të palejuara.
Neni 49
Sendet e palejuara në objektet dhe mjediset sportive
1. Ndalohen mbajtja dhe përdorimi në objektet e mjediset sportive dhe gjatë zhvillimit të
veprimtarive i fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme
për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, i armëve të të gjitha llojeve, si edhe përdorimi e tregtimi i pijeve
alkoolike.
2. Gjatë veprimtarive sportive, personat, në cilësinë e përfaqësuesit të federatave, gjyqtarëve dhe
vëzhguesve, janë të paprekshëm.
Neni 50
Detyrimi për njoftimin e Policisë së Shtetit
Organizatori i një veprimtarie sportive është i detyruar të njoftojë Policinë e Shtetit me shkrim të
paktën shtatë ditë kalendarike përpara zhvillimit të saj, me qëllim planifikimin e të gjitha masave të
nevojshme të sigurisë për mbarëvajtjen e saj. Në këtë njoftim, organizatorët duhet të përcaktojnë edhe
shërbimin privat të sigurisë fizike (SHPSF) të kontraktuar për marrjen e masave të sigurisë në mjediset
sportive.
Neni 51
Ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike
1. Ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve
të Policisë së Shtetit.
2. Administratorët e objekteve dhe mjediseve sportive, në bashkëpunim me klubet sportive,
nëpërmjet shoqërive private të sigurisë fizike, duhet të marrin këto masa:
a) të kryejnë kontrollin rigoroz të tifozëve në portat e hyrjeve në mjedisin sportiv;
b) të kryejnë sigurimin e vendkalimeve publike në mjedisin sportiv;
c) të kryejnë drejtimin e spektatorëve tek ulëset në mjedisin sportiv dhe mbajtjen e tyre nën kontroll;
ç) të kryejnë sigurimin dhe mbrojtjen e lojtarëve nga futja e tifozëve në mjedisin sportiv.
3. Administratorët e mjediseve sportive marrin masat për caktimin e një ambienti të përshtatshëm
për drejtuesit e njësisë policore për monitorimin e situatës së rendit publik në mjedisin sportiv.
Neni 52
Roli i oficerit të sigurisë
1. Në veprimtaritë ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, federatat shqiptare të sportit marrin
masa për sigurinë e ekipeve kombëtare nëpërmjet kontaktimit të oficerit të sigurisë.
2. Oficeri i sigurisë duhet të ketë qenë në nivelin drejtues në Policinë e Shtetit, të ketë përvojë në
organizimin dhe menaxhimin e masave të sigurisë gjatë veprimtarive sportive dhe ndeshjeve të futbollit, si
dhe të ketë gatishmërinë për të punuar me autoritetet publike dhe të Policisë së Shtetit.
3. Oficeri i sigurisë mban kontakte me autoritetet policore, shërbimet e urgjencës dhe përfaqësuesit
e tifozëve. Ai është përgjegjës për vlerësimin dhe raportimin tek organizatori i veprimtarisë sportive dhe
ndeshjeve të futbollit, duke marrë masat që ato të mos ndikojnë në sigurinë e veprimtarisë.
4. Oficeri i sigurisë është përgjegjës për vlerësimin e adresimin e rreziqeve dhe për marrjen e masave
në koordinim me policinë, shërbimet e emergjencës, autoritetet publike dhe çdo subjekt tjetër të përfshirë
në menaxhimin e ngjarjes.
Neni 53
Ndalimi i hyrjes në mjediset sportive
1. Ndalohet hyrja deri në një vit në mjediset sportive e personave, ndaj të cilëve janë zbatuar
dispozitat e parashikuara në nenin 49, të këtij ligji, më shumë së një herë.
2. Ndalohet hyrja në mjediset sportive deri në dy vjet e personave, ndaj të cilëve janë zbatuar
dispozitat e parashikuara në nenin 49, të këtij ligji, më shumë se dy herë.
3. Vendimin për ndalimin e hyrjes në mjediset sportive e jep Komisioni i Shqyrtimit të
Kundërvajtjeve Administrative pranë komisariatit të Policisë së Shtetit, nën juridiksionin e të cilit zhvillohet
veprimtaria sportive ku është konstatuar kundërvajtja.
4. Mënyra e ngritjes dhe funksionimit të Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjeve
Administrative përcaktohet me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
5. Komisariati i policisë njofton me shkrim personin, ndaj të cilit jepet vendimi, federatën shqiptare
të sportit përkatës dhe klubin sportiv, tifoz i të cilit është personi.
6. Kundër vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjes pranë komisariatit të policisë,
për sanksionet e parashikuara në ligj, bëhet ankim, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit, sipas
dispozitave të ligjit për kundërvajtjet administrative, në Komisionin e Shqyrtimit të Ankesave. Përbërja,
kompetencat dhe procedurat e funksionimit të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave përcaktohen me
urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
Neni 54
Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës
1. Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës është një organ këshillimor pranë ministrit përgjegjës për
sportin. Ky komision harton politika për parandalimin e dhunës gjatë veprimtarive sportive dhe shfaqjeve
sportive. Përbërja, funksionimi, kompetencat dhe mënyra e shpërblimit të anëtarëve të këtij komisioni
përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport dhe të gjitha organizatat sportive, në
veprimtarinë kundër dhunës në Shqipëri, respektojnë dispozitat e Konventës Europiane Kundër Dhunës
në Sport, ku aderon Republika e Shqipërisë.
KREU XII
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 55
1. Shkelja e dispozitave detyruese të këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë.
2. Shkelja e pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose
me burgim deri në dy vjet.
3. Shkelja e nenit 49, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga
dhjetë mijë deri në pesëdhjetë mijë lekë, e cila vendoset nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve
Administrative pranë komisariatit të policisë vendore, bazuar në aktkonstatimin e punonjësit të Policisë së
Shtetit.
Neni 56
Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative
1. Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative, ankimi dhe ekzekutimi i vendimeve bëhen sipas
procedurave dhe afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
2. Shuma e arkëtuar nga vjelja e gjobave derdhet njëqind për qind në favor të Buxhetit të Shtetit.
Neni 57
Masat
1. Dënohen me gjobë në shumën nga njëqind mijë deri në pesëqind mijë lekë organizatat sportive,
si dhe anëtarët e tyre në rast se:
a) kryejnë veprimtari sportive pa marrë më parë pëlqimin nga federata sportive përkatëse, në të
cilën janë të anëtarësuar;
b) organizojnë ose bëjnë propagandë politike e fetare gjatë veprimtarive sportive.
2. Gjobat vendosen nga komisionet e disiplinës të organizatave sportive dhe derdhen njëqind për
qind në buxhetin e federatës përkatëse. Dënimi me gjobë mund të shoqërohet edhe me masa të ndalimit
të ushtrimit të veprimtarisë sportive për një periudhë kohore nga gjashtë muaj deri në një vit. Masat
shoqëruese jepen nga komisionet disiplinore të federatave përkatëse.
KREU XIII
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 58
Ndryshimi i statuteve të organizatave sportive
Statutet e organizatave sportive, të cilat vijnë në kundërshtim me përcaktimet e këtij ligji,
ndryshohen nga organizatat dhe paraqiten për miratim pranë ministrisë përgjegjëse për sportin brenda
gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 59
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave, që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë
aktet nënligjore në zbatim të neneve 7, pika 6; 9, pika 2; 27, pika 3; 40 dhe 54, pika 1, të këtij ligji.
2. Ngarkohen ministrat përgjegjës që, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin
aktet nënligjore në zbatim të neneve 13, pika 1, dhe 40, të këtij ligji.
3. Deri në miratimin e akteve të reja nënligjore, zbatohen aktet nënligjore që janë në fuqi.
Neni 60
Shfuqizime
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr. 9376, datë 21.4.2005, “Për sportin”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 61
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 27.4.2017
Shpallur me dekretin nr. 10333, datë 18.5.2017 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar
Nishani

You may also like...