LIGJ Nr. 73/2015 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 107/2014 “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”
LIGJ
Nr. 73/2015
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 107/2014 “PËR
PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” bëhen këto shtesa dhe
ndryshime:
Neni 1
Pas nenit 4 shtohet neni 4/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 4/1
Hapësira publike
1. Hapësira publike është hapësira e jashtme, si trotuari, rruga, sheshi, lulishtja, parku e të tjera të
ngjashme, në shërbim të komunitetit, ku menaxhimi mund të jetë publik dhe/ose privat. Hapësira
publike përfshin rrugëkalime publike dhe mjedise që janë të hapura për publikun ose në shërbim të
përdorimit publik, pavarësisht nga regjimi juridik i tokës dhe përtej përcaktimeve të pronës publike,
sipas ligjit nr. 8743,datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”.
2. Autoritetet publike, kryesisht ose në partneritet me sektorin privat, krijojnë hapësirë publike
përmes ndërtimit të infrastrukturave publike, të përcaktuara në nenin 3, të ligjit nr. 107/2014, për
gjelbërimin, transportin, aktivitetet sociale, edukativo-sportive, çlodhëse dhe/ose krijuese, sipas
rregullave, kushteve dhe standardeve të posaçme.
3. Autoritetet vendore të planifikimit kanë detyrimin të sigurojnë mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe
përmirësimin e hapësirave publike, me shpenzimet e veta, përfshirë në pronë private, pa cenuar të
drejtën e pronarëve për zhvillimin e tyre deri në momentin e kryerjes së zhvillimit.
4. Në hapësirat publike lejohen të kryhen vetëm aktivitete që janë në përputhje me qëllimin e
krijimit të tyre.
5. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, rregullat, kushtet dhe procedurat për përdorimin
dhe menaxhimin e hapësirës publike.”.
Neni 2
Në nenin 6, pika 6, shkronja “b”, bëhen këto ndryshime:
1. Fjalët “dhe marrëdhëniet e tyre të punës” zëvendësohen me fjalët “të punonjësve të kësaj
agjencie”.
2. Në fund të kësaj shkronje shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Agjencisë rregullohen me Kodin e Punës të Republikës
së Shqipërisë.”.
Neni 3
Në fund të nenit 7 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“2. Pranë Këshillit Kombëtar të Territorit funksionon sekretariati teknik i këtij këshilli, i cili ka
përgjegjësi:
a) për të organizuar mbledhjet e KKT-së;
b) për të përgatitur dokumentacionin që shqyrtohet në fushën e planifikimit dhe të zhvillimit të
territorit;
c) për të administruar dokumentacionin e sipërpërmendur.
Rregullat për organizimin dhe funksionimin e strukturës që do të veprojë si sekretariat teknik,
numrin e punonjësve, nivelet e pagave e të shpërblimit dhe marrëdhëniet e tyre të punës miratohen
me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për çështjet e planifikimit
dhe zhvillimit të territorit.”.
Neni 4
Në nenin 9, pika 4 shfuqizohet.
Neni 5
Pas nenit 14 shtohet neni 14/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 14/1
Delegimi i përgjegjësive
1. Autoritetet kombëtare dhe vendore të planifikimit mund t’u delegojnë organeve në varësi
përgjegjësi të caktuara për planifikimin e territorit.
2. Autoritetet kombëtare dhe vendore mund t’i delegojnë, me marrëveshje, njëra-tjetrës
përgjegjësi dhe funksione të caktuara, që lidhen me planifikimin dhe kontrollin e zhvillimit të
territorit.
3. Autoritetet kombëtare dhe vendore mund të kontraktojnë kryerjen e shërbimeve të ndryshme
për planifikimin dhe zhvillimin e territorit ose mund t’i kryejnë ato bashkërisht në marrëveshje mes
tyre.”.
Neni 6
Pas nenit 45 shtohet neni 45/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 45/1
Kushti për përshtatshmërinë e mjedisit
1. Të gjitha ndërtimet për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet
dhe rrugët, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të plotësojnë kërkesat dhe standardet
e përshtatshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, sipas dispozitave të përcaktuara në
rregulloren për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara.
2. Përshtatshmëria e ndërtimeve të reja apo në proces rikonstruksioni, si më sipër, është kusht për
marrjen e lejes së ndërtimit dhe certifikatës së përdorimit, sipas procedurave të përcaktuara në
Rregulloren e Zhvillimit të Territorit.
3. Autoritetet përgjegjëse të institucioneve që ofrojnë shërbime për publikun janë të detyruara të
sigurojnë një nivel bazë të përshtatshmërisë ndërtimore në mjediset ekzistuese në administrim të
tyre.”.
Neni 7
Dispozitë kalimtare
Deri në krijimin dhe nisjen e funksionimit të strukturës së sekretariatit teknik të KKT-së,
funksionet e këtij sekretariati do të ushtrohen nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Neni 8
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet
nënligjore në zbatim të tij.
Neni 9
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI
Ilir Meta
Miratuar në datën 9.7.2015
Shpallur me dekretin nr. 9184, datë 20.7.2015 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bujar Nishani