LIGJ Nr. 138/2015 PËR GARANTIMIN E INTEGRITETIT TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE
Në mbështetje të neneve 6/1, 45, 81, pikat 1 dhe 2, 83, pika 1, dhe 179/1 të Kushtetutës,
me propozimin e një grupi deputetësh,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi dhe objekti
1. Qëllimi i këtij ligji është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të
zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës
publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni
publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë
dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve, sipas këtij ligji.
2. Objekti i këtij ligji është mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të
Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj,
administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare
dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në
politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë
marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, sipas
këtij ligji.
Neni 2
Ndalimi për kandidim dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik
1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar
bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion
me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të
Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar
me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së
Shqipërisë, për:
a) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve 73, 74,
75, 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 86, 87, 88 paragrafi i dytë, 89/a, 100, 101, 102,
102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 109/c, 110/a, 111, 114, 128/b, 135, 136, 140, 141,
143/a, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 230, 230/a, 230/b, 230/ç, 231, 232, 232/a,
232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 278 paragrafin e parë, të pestë e të gjashtë, 278/a, 282/a, 283,
283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të parashikuar në këtë paragraf, 333, 333/a
e 334 të Kodit Penal;
b) kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale, sipas neneve 110/c,
244, 245, 248, 248/a, 259, 260, 319, 319/ç, apo në fushën e zgjedhjeve, të parashikuar në
Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve”, të
Kodit Penal;
c) kryerjen e një krimi, që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, për të
cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim;
ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj
pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2. Ndalimi i parashikuar nga pika 1, e këtij neni, zbatohet edhe ndaj personave:
a) që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti
anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë
sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një
prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale, të
parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni. Për personat që plotësojnë kushtet e këtij
paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të
këtij ligji;
b) që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë,
Australisë, në lidhje me një prej rasteve të parashikuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b” dhe
“c”, të këtij neni, apo janë dëbuar për cenim shumë të rëndë dhe serioz të sigurisë publike të
shtetit përkatës.
3. Ndalimet e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe ndaj personave që, në kohën e
kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale, të parashikuar në këtë ligj, mbanin të
dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre.
4. Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për
deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore personat që plotësojnë kushtet e
parashikuara shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni.
5. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuara nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin
4 të këtij ligji.
6. Kuvendi, me vendim, përcakton brenda afatit të parashikuar nga ky ligj listën e shteteve
të tjera, vendimet e dënimit jopërfundimtare, masat e sigurisë dhe/ose urdhrat e kërkimit
ndërkombëtar apo masat e dëbimit të të cilave, sipas këtij neni passjellin zbatimin e
ndalimeve të këtij ligji.
Neni 3
Ndalimi për t’u emëruar në një funksion publik
2
1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, personi nuk mund
të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike si më poshtë:
a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b) gjyqtarë ose prokurorë
c) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlershëm me të;
ç) në postin e prefektit;
d) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues apo të
krijuar me ligj:
dh) në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative;
e) në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik si dhe drejtues të çdo niveli ne
administratën publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihet në shërbimin civil;
ë) në Policinë e Shtetit;
f) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe
g) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në maxhorancë ose
administrohen nga shteti.
2. Kohëzgjatja e ndalimit të parashikuar nga ky nen përcaktohet, sipas rastit, në nenin 4 të
këtij ligji.
Neni 4
Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit
të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar
1. Për personat që parashikohen në shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji,
ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit zgjat gjatë gjithë jetës.
2. Për personat që parashikohen nga shkronja “b”, e pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji,
ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 20 vjet nga momenti i
përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
3. Për personat që parashikohen nga shkronja “c”, e pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji,
ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 10 vjet nga momenti i
përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
4. Për personat që parashikohen nga shkronja “ç”, e pikës 1, të nenit 2, të këtij ligji,
ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të
formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal.
5. Për personat që parashikohen në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji,
ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat derisa nuk ka një vendim
pafajësie në favor të tij. Ky ndalim është i vlefshëm edhe kur masa përkatëse e sigurisë
personale është hequr, por personi vazhdon të ndiqet penalisht apo të gjykohet për veprën për
të cilën është vendosur fillimisht masa e sigurisë personale dhe ende nuk është .marrë një
vendim gjyqësor në lidhje me fajësinë e personit.
6. Për personat e dëbuar sipas parashikimeve të germës “b” të pikës 2 të nenit 2 të këtij
ligji, kohëzgjatja e ndalimit për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit është:
i) përjetë për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 2, shkronja “a”;
ii) 20 vjet për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 2, shkronja “b”;
iii) 10 vjet për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 2, shkronja “c”,
pavarësisht uljes së dënimit për shkak gjykimi të shkurtuar apo procedure të ngjashme me të
që passjell uljen e dënimi;
7. Në rastet e dëbimit me akt administrativ për cenim shumë të rëndë dhe serioz të
sigurisë publike të shtetit përkatës, ndalimi përcaktohet në përputhje me afatin e dëbimit, por
në çdo rast jo më pak se 10 vjet.
3
8. Për personat që parashikohen në pikën 4, të nenit 2, të këtij ligji, periudha e ndalimit
zgjat deri në kryerjen e dënimit përkatës.
9. Ulja e masës së dënimit për shkak gjykimi të shkurtuar apo procedure të ngjashme me
të që passjell uljen e dënimit, amnistia, depenalizimi, falja, pezullimi i dënimit, lirimi i
parakohshëm me kusht apo çdo shkurtim i dënimit, në përputhje me ligjin, nuk ndikojnë në
zbatimin e këtij ligji dhe nuk përllogariten në funksion të shkurtimit të afatit të dënimit, me
qëllim shkurtimin e periudhës së ndalimeve të parashikuara nga ky ligj. Ky ligj nuk zbatohet
për dënime të dhëna për dispozita që janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese pas dhënies së
dënimit përkatës, si dispozita në kundërshtim me Kushtetutën në fuqi në momentin e dënimit.
Neni 5
Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave
1. Personat e parashikuar nga nenet 2 dhe 3, të këtij ligji, duhet të plotësojnë e të
nënshkruajnë një formular vetëdeklarimi, me anë të të cilit deklarojnë mosekzistencën e
shkaqeve për të kandiduar, për të mos u zgjedhur ose emëruar.
2. Refuzimi për të dorëzuar formularin e vetëdeklarimit ose mosparaqitja e formularit të
vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje nga Komisioni
Qendror i Zgjedhjeve apo për mosemërimin nga organi përgjegjës sipas ligjit. Modeli i
formularit të vetëdeklarimit miratohet me vendim të Kuvendit.
3. Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji.
Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të
Kodit Penal.
4. Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:
a) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë
në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore;
b) pranë Kryetarit të Kuvendit për kandidatët për funksione në organet kushtetuese apo të
krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi;
c) pranë Prefektit të qarkut përkatës për personat që emërohen në funksione publike me
votim nga këshilli bashkiak nën juridiksionin e prefektit apo nga këshilli i qarkut përkatës;
ç) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk
kanë mandat deputeti dhe nuk kanë paraqitur vetëdeklarim, sipas shkronjës “a” të kësaj pike;
d) pranë titullarit apo organit që bën emërimin për funksionarin publik që emërohet sipas
germës “a”, pika 1, të nenit 3 dhe kur ky emërim është i ndryshëm nga funksionet e zgjedhura
me votim nga Kuvendi si dhe kur emërimi bëhet sipas shkronjave “ç” dhe “f”, të kësaj pike;
dh) pranë Kryeministrit, për rastet e parashikuara nga shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të
nenit 3, të këtij ligji;
e) pranë Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror apo Drejtorit të Përgjithshëm të
Policisë së Shtetit, sipas rastit, për shkronjat “d” dhe “e”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;
ë) pranë Departamentit të Administratës Publike, për rastet e parashikuara nga shkronja
“dh”, e pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;
f) pranë Ministrit të Mbrojtjes, për rastet e parashikuara në shkronjën “ë”, të pikës 1, të
nenit 3, të këtij ligji.
5. Këto vetëdeklarime dhe të dhënat e përfshira në to mund të bëhen publike në çdo kohë
dhe pa asnjë kufizim para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore, votimeve
në Kuvend apo emërimit, me kërkesë të subjekteve të interesuara.
6. Kërkesa për marrjen e formularit të vetëdeklarimit dhe/ose të dhënave të përfshira në të
nuk mund të refuzohet apo kufizohet në asnjë rast. Refuzimi apo kufizimi i dhënies së tyre
përbën vepër penale, sipas neni 248 të Kodit Penal.
4
Neni 6
Organi kompetent për miratimin e procedurave dhe afateve
për administrimin e vetëdeklarimeve
1. Kuvendi miraton me vendim rregullat e detajuara dhe afatet për plotësimin, dorëzimin,
administrimin dhe publikimin e vetëdeklarimeve, si dhe për marrjen e masave për zbatimin e
ndalimeve të parashikuara nga ky ligj.
2. Rregullat dhe afatet e miratuara sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të mundësojnë që
vetëdeklarimet të bëhen, sipas rastit, në kohë të mjaftueshme përpara kandidimit, votimit ose
emërimit në funksionin publik, me qëllim administrimin e rregullt, transparencën dhe
publikimin në kohë kur kjo kërkohet, si dhe verifikimin e të dhënave në çdo rast që e
parashikon ky ligj dhe nxjerrjen e përfundimeve të verifikimit dhe zbatimin e ndalimeve që
parashikon ky ligj.
Neni 7
E drejta e nismës për verifikimin e të dhënave
1. Verifikimi i të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të parashikuar në
nenin 5, të këtij ligji, kryhet sa herë kjo kërkohet nga:
a) 1/10 e deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm për një
deputet të Kuvendit të Shqipërisë apo një anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë
Kryeministrin, për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut, si dhe për anëtarin apo
drejtuesin e një organi kushtetues apo të krijuar me ligj dhe që zgjidhet me votim nga
Kuvendi i Shqipërisë;
b) Kryeministri, çdo deputet, Prokurori i Përgjithshëm ose një prokuror tjetër për
ministrin, zëvendësministrin apo funksione të njëvlershme me të, prefektin dhe çdo drejtues
institucioni në varësi të Kryeministrit ose një ministri, si dhe për Drejtorin e Shërbimit
Informativ Shtetëror;
c) ministri i linjës, çdo deputet ose një prokuror për drejtuesit dhe pjesëtarët e shërbimit
civil të çdo niveli në administratën publike, në nivel qendror ose vendor, Policinë e Shtetit
dhe Forcat e Armatosura.
2. Kërkesa sipas kësaj pike mund të bëhet pranë organit kompetent për verifikimin, sipas
këtij ligji, edhe nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote.
3. Kërkesa për verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike.
Mungesa e tyre, në çdo rast, nuk pengon fillimin e verifikimit, sipas këtij ligji.
4. Çdo nismëtar i kërkesës gjobitet me 100 000 lekë kur pas kryerjes së verifikimit,
kërkesa dukshëm është kryer me të dhëna të pavërteta.
5. Të drejtën për të bërë kërkesën për verifikim paraprak për kandidatura në zgjedhje apo
organe kushtetuese apo të krijuara me ligj e ka edhe një parti politike për kandidatë të
mundshëm të saj. Kjo kërkesë bëhet edhe jashtë periudhës zgjedhore dhe vetëm me pëlqimin
e shtetasit, subjekt i verifikimit. Formulari i kërkesës nënshkruhet nga kryetari i partisë apo
një person i autorizuar prej tij, si dhe nga personi, subjekt i verifikimit. Formulari miratohet
5
me vendim të Kuvendit. Kërkesa dorëzohet në Prokurorinë e Përgjithshme, e shoqëruar me
formularin përkatës. Rezultati i verifikimit i komunikohet nga Prokuroria e Përgjithshme
vetëm partisë politike që ka bërë kërkesën dhe personit të verifikuar.
Neni 8
Organet kompetente për verifikimin dhe zbatimin e ndalimeve
për zgjedhjen dhe emërimin në funksione publike
1. Drejtuesi i institucionit që, sipas nenit 5, të këtij ligji, është i ngarkuar për marrjen e
kërkesës për verifikim, është organi kompetent për zbatimin e ndalimeve, sipas këtij ligji.
Organi kompetent është i detyruar që t’i kërkojë brenda 5 ditëve Prokurorisë së Përgjithshme
verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji.
2. Përfundimet e procesit të verifikimit i përcillen organit përgjegjës nga Prokuroria e
Përgjithshme brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre.
3. Rezultatet e verifikimit dhe të dhënat e grumbulluara ruhen në një sistem elektronik që
administrohet nga Prokuroria e Përgjithshme.
4. Organi kompetent kërkon verifikimin mbi bazën e kërkesës, ose kryesisht kur disponon
të dhëna apo fakte, përfshirë fakte të njohura botërisht, që përbëjnë shkak për zbatimin e këtij
ligji.
5. Për kryerjen e verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme përdor çdo të dhënë apo
dokumentacion në dispozicion të saj ose i kërkon ato pranë çdo organi apo entiteti tjetër
shtetëror, brenda apo jashtë vendit.
6. Në çdo rast verifikimi është e detyrueshme të përdoren gjurmët daktiloskopike dhe çdo
e dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazat e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë.
Kur nuk disponohen gjurmët daktiloskopike dhe/ose të dhënat e tjera biometrike të shtetasit,
për të cilin kryhen verifikimet, organi verifikues i kërkon shtetasit që brenda 5 ditëve të
depozitojë këto të dhëna, sipas procedurave të legjislacionit mbi identifikimin dhe pajisjen
me dokumente identifikimi të shtetasve. Në rast refuzimi për të depozituar gjurmët
daktiloskopike, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht
për ndalim.
7. Organi ose enti shtetëror apo privat që mban gjurmët daktiloskopike dhe të dhënat
biometrike, sipas ligjit për dokumentet e identitetit të shtetasve shqiptarë, në asnjë rast nuk
mund të refuzojë aksesin te baza përkatëse e të dhënave dhe/ose dhënien e të dhënave të
nevojshme për verifikim, sipas këtij ligji.
8. Shtetasi, subjekt verifikimi, sipas këtij ligji, është i detyruar të japë pëlqimin e tij për
verifikimin e çdo të dhëne personale të tij, përfshirë gjurmët daktiloskopike dhe çdo të dhënë
tjetër biometrike. Ky pëlqim jepet në formularin e vetëdeklarimit, të parashikuar në nenin 5 të
këtij ligji. Në rast refuzimi të dhënies së pëlqimit, shtetasi trajtohet sikur të ketë rezultuar në
një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim. Trajtimi i të dhënave kryhet në përputhje me
legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
9. Kur ka informacion dhe është e nevojshme, verifikimi kryhet edhe jashtë territorit të
Republikës së Shqipërisë. Kërkesa për verifikim pranë organeve të juridiksioneve të huaja
bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm.
10. Kur verifikimi kryhet për një deputet, të zgjedhur vendor apo një funksionar që ka një
mandat me kohë të përcaktuar, sipas Kushtetutës apo ligjit, e drejta për të nisur verifikimin e
të dhënave, sipas këtij ligji, si rregull, përfundon me fundin e mandatit të personit të
6
zgjedhur. Kur verifikimi ka nisur para përfundimit të mandatit, procedura e verifikimit kryhet
deri në arritjen e konkluzioneve përkatëse.
11. Kur organet e parashikuara nga ky nen e përfundojnë verifikimin pas përfundimit të
mandatit ose kur vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të
dhënave të padeklaruara, sipas parashikimeve të këtij ligji, edhe pas përfundimit të mandatit,
ato administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal ose regjistrojnë fillimin e
ndjekjes penale, në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.
12. Prokuroria e Përgjithshme bën raportim të posaçëm dhe të hollësishëm në Kuvend, në
kuadër të raportimit vjetor mbi verifikimet, në zbatim të këtij ligji, dhe rezultatet e tyre. Me
kërkesë të 1/10 së deputetëve ose të 1/3 së anëtarëve të Këshillit për Rregulloren dhe
Mandatet të Kuvendit, Prokuroria e Përgjithshme raporton para këtij komisioni mbi
verifikimet, në zbatim të këtij ligji, dhe rezultatet e tyre.
Neni 9
Detyrimi për bashkëpunim
Çdo organ shtetëror apo person juridik, publik apo privat, ka detyrimin që të
bashkëpunojë me organet e ngarkuara nga ky ligj, për verifikimin e të dhënave, fakteve dhe
rrethanave të deklaruara prej shtetasve, sipas këtij ligji. Mosbashkëpunimi apo refuzimi për të
bashkëpunuar, pengesa, vonesa apo keqdrejtimi në procesin e verifikimit përbën vepër
penale, në përputhje me nenin 248 të Kodit Penal.
Neni 10
Veprimet e organeve kompetente kur verifikohen kushtet e ndalimit
1. Kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, në përputhje me këtë ligj,
KQZ-ja kryen veprimet e mëposhtme:
a) refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të
kandidaturave, dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën
brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;
b) heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të
votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes
vendore apo për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes
vendore;
c) kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para
shpalljes së rezultateve:
i) shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen
kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit
të njësisë së qeverisjes vendore, mbi bazën e votave të marra;
ii) shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet për
moskandidim dhe moszgjedhje, sipas këtij neni, për një kandidat që nuk është fitues, dhe
shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
iii) përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për
këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe përllogarit mandatet, duke
përjashtuar votat e marra prej tij;
iv) shpall fitues nga lista shumemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me
kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin
përkatës;
7
ç) shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë
verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe
para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë
nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor;
d) shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit kur
kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas fillimit të ushtrimit të
mandatit nga personi përkatës, si dhe shpall mandatin në përputhje me këtë Kod, si dhe
njofton Kryetarin e Kuvendit, në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, apo
Kryeministrin, në rastin e kryetarit të bashkisë apo të këshilltarit bashkiak.
2. Kur deputeti mban në të njëjtën kohë postin e anëtarit të Këshillit të Ministrave,
Kryeministri i propozon Presidentit, brenda 48 orëve, shkarkimin e ministrit.
3. Në rast se kushtet e pavlefshmërisë së mandatit verifikohen për Kryeministrin, ai i
paraqet Kuvendit mocion besimi, brenda 48 orëve, në përputhje me nenin 104 të Kushtetutës,
dhe Kuvendi miraton shkarkimin e tij nga detyra.
4. Në rast se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk ka mandat deputeti, konstatimi i
kushteve për moszgjedhshmëri dhe ushtrim të funksionit publik, sipas nenit 2, të këtij ligji,
zbatohen, sipas rastit, pika 2 ose 3 e këtij neni.
5. Për personat që plotësojnë kushtet shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji,
ndalimi që zbatohet për ta është vetëm pezullimi i ushtrimit të funksionit, me përjashtim të
rasteve të parashikuara në pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji. Pezullimi zgjat përgjatë gjithë
periudhës që ekzistojnë rrethanat për të cilat zbatohet ky ndalim. Pezullimi mbaron kur
personi shpallet i pafajshëm. Kur personi dënohet me vendim përfundimtar të formës së
prerë, ndaj tij zbatohen dispozitat përkatëse të këtij ligji, sipas llojit të veprës apo dënimit.
6. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit
apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk
veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së
deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos
konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të
funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji.
Neni 11
Verifikimi i kushteve të ndalimit në rastin e krijimit të vakancave
në Kuvend ose në këshillin bashkiak
1. Vetëdeklarimi dhe verifikimi i të dhënave, në përputhje me këtë ligj, kryhet edhe për
çdo kandidat të listave shumemërore apo kandidat të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet
pararendëse për Kuvendin apo këshillin bashkiak përkatës, kur, për shkak vakance në Kuvend
apo në këshillin bashkiak, kandidatit i takon të marrë mandatin për vendin vakant, sipas Kodit
Zgjedhor.
2. Për kandidatët e listave shumemërore, për të cilët kryhet verifikimi, sipas pikës 1, të
këtij neni, kur verifikohen kushtet e mozgjedhshmërisë, sipas këtij ligji, KQZ-ja shpall faktin
e moszgjedhshmërisë së personit përkatës dhe procedon me kandidatin vijues, në përputhje
me rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Neni 12
Procedura për zbatimin e ndalimit për zgjedhësit
8
1. Kur një shtetas dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë për një nga veprat e
parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit 2 të këtij ligji, gjykata e rrethit gjyqësor që ka
marrë vendimin i dërgon një kopje të vendimit Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile
e cila merr masa për pezullimin e së drejtës së votës dhe ngrirjen e rekordit zgjedhor të
shtetasit në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Ky pezullim zgjat
deri në përfundim të afatit të përcaktuar në nenin 4, pika 8, të këtij ligji. Me mbarimin e afatit
të pezullimit, shërbimi i gjendjes civile e heq pezullimin kryesisht.
2. Me qëllim njoftimin e personit të dënuar në lidhje me pezullimin e së drejtës së votës,
vendimi i dënimit përmban në dispozitivin e tij edhe faktin e pezullimit, sipas këtij neni.
Mospërfshirja e këtij ndalimi në dispozitivin e vendimit nuk përbën shkak për pavlefshmërinë
e pezullimit. Në çdo rast, shërbimi i gjendjes civile merr masa për njoftimin e shtetasit, në
lidhje me ekzekutimin e pezullimit si edhe për mbarimin e pezullimit.
3. Gjatë kësaj periudhe, rekordi zgjedhor i shtetasit përkatës nuk përfshihet në listën e
zgjedhësve.
4. Ministria përgjegjëse për shërbimin e gjendjes civile nxjerr aktet nënligjore në zbatim
të kësaj pike, në përputhje me afatin e përcaktuar në nenin 16, pika 5, të këtij ligji.
Neni 13
Verifikimi i kushteve të ndalimit për funksionarët publikë të emëruar
1. Në rast të konstatimit të kushteve për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj
për kategoritë e tjera, përjashtuar Presidentin e Republikës, deputetët, anëtarët e Këshillit të
Ministrave, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë, organi kompetent, sipas këtij
ligji, për verifikimin, shpall publikisht rezultatin e verifikimit. Në këtë rast, mandati apo
funksioni përfundon menjëherë për shkak të ligjit.
2. Në rastin e organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj, organi kompetent për
verifikimin merr masa për publikimin e rezultatit të verifikimit dhe përfundimin e mandatit
apo detyrës në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.
3. Në rastet e ndryshme nga ato të parashikuara nga pika 2 e këtij neni, organi kompetent
merr masa për njoftimin e personit, të cilit i përfundon detyra, dhe ndjek procedurat për
zbatimin e masave të përcaktuara nga ky ligj.
Neni 14
Pezullimi dhe përfundimi i ushtrimit të funksionit publik
për funksionarët në detyrë
1. Ndalimet e këtij ligji zbatohen ndaj të gjitha kategorive të zyrtarëve, të cilët, në
momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbajnë një mandat apo një detyrë publike sipas
përcaktimeve të këtij ligji nëse faktet apo rrethanat që përbëjnë kusht për zbatimin e këtij ligji
kanë ndodhur përpara marrjes së funksionit publik. Konstatimi i kushteve të përcaktuara si
ndalim nga ky ligj passjell përfundimin e ushtrimit të funksionit publik.
2. Periudha zbatimit të ndalimit përcaktohet në përputhje me neni 4 të këtij ligji.
3. Llogaritja e periudhës së ndalimit fillon nga data e fillimit të detyrës apo e mandatit në
vazhdim dhe shtrihet në periudhën që i paraprin kësaj date.
4. Në rast se në përfundim të verifikimit, sipas këtij ligji, konstatohen kushtet e shkronjës
“a”, të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, personi, të cilit i është konstatuar kushti ndalues,
pezullohet nga ushtrimi i funksionit për efekt të ligjit. Gjatë periudhës së pezullimit, personit i
njihet 50 për qind e pagës, si dhe periudha e verifikimit njihet si vjetërsi pune.
9
5. Gjatë periudhës së pezullimit, në rastin e organeve kolegjiale, personi nuk llogaritet
për efekt kuorumi për vlefshmërinë e mbledhjes, vendimmarrjes apo formimin e çdo lloj
shumice të nevojshme për vendimmarrje.
6. Periudha e pezullimit është 12 muaj nga momenti i fillimit të verifikimit. Në rastin e
deputetëve dhe drejtuesve apo anëtarëve të institucioneve kushtetuese, pezullimi është 6
muaj.
7. Përjashtim nga pezullimi bëjnë anëtarët e Këshillit të Ministrave.
8. Pezullimi i pushon efektet e tij në fund të periudhës së përcaktuar nga pika 6 e këtij
neni, kur shpallen rezultatet e verifikimit, sipas këtij ligji, apo kur shtetasi shpallet i
pafajshëm edhe me vendim jopërfundimtar. Në rast se për personin përkatës është e
nevojshme kryerja e verifikimeve jashtë Republikës së Shqipërisë dhe ky verifikim nuk është
përfunduar deri në fund të afatit fillestar të pezullimit, pezullimi zgjatet automatikisht me 6
muaj të tjerë për të gjitha kategoritë e subjekteve të këtij ligji.
9. Organi epror, kur është e mundur, merr masa për zëvendësimin e përkohshëm të
funksionarit të pezulluar.
10. Për kryetarët e bashkive që pezullohen sipas këtij ligji, Këshilli i Ministrave mund të
vendosë në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës, shkarkimin e tyre, kryesisht ose me
kërkesë të subjekteve që kanë të drejtë të kërkojnë verifikimin, sipas këtij ligji.
11. Të zgjedhurve në këshillat e organeve të pushtetit vendor dhe të pezulluar, sipas këtij
ligji, këshilli përkatës mund të vendosë t’u heqë mandatin, në përputhje me legjislacionin për
pushtetin vendor.
Neni 15
Trajtimi i funksionarëve publikë aktualë
1. Funksionarët publikë që janë subjekt i këtij ligji, sipas neneve 2 dhe 3, të këtij ligji, që
janë aktualisht në detyrë, kryejnë vetëdeklarimin dhe e depozitojnë pranë organit kompetent,
sipas këtij ligji, brenda 2 muajve nga miratimi i formularit të vetëdeklarimit nga Kuvendi.
Verifikimi për herë të parë bëhet në përputhje me rregullat dhe procedurat për verifikim, të
përcaktuara në këtë ligj.
2. Në rast refuzimi për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj lidhur me
integritetin, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për
ndalim e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ndaj tij zbatohet masa e
parashikuara në pikën 4 të këtij neni.
3. Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen
procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga
detyra.
4. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit
apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk
veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së
deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos
konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të
funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji.
Neni 16
Dispozita kalimtare dhe të fundit
10
1. Për shtetasit, për të cilët konstatohen kushtet e shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 2, të
këtij ligji, zbatohet ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksioneve për një
periudhë 10 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Me kalimin kësaj periudhe, për shtetasit, për të
cilët konstatohen kushtet e mësipërme, zbatohet vetëm pezullimi i ushtrimit të detyrës, i
parashikuar nga pika 5, e nenit 10, të këtij ligji.
2. Organet kompetente për marrjen e kërkesës për verifikim dhe zbatimin e ndalimeve të
këtij ligji, brenda 15 ditëve nga miratimi i formularit të vetëdeklarimit, publikojnë në faqen
web të institucionit versionin elektronik të formularit të vetëdeklarimit. Ky format duhet të
jetë i aksesueshëm lirisht nga publiku dhe i disponueshëm për printim.
3. Ky ligj nuk ndikon në ndjekjen penale, gjykimin, dënimin dhe gjendjen gjyqësore të
shtetasve. Kufizimet e vendosura nga ky ligj bëhen në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës
për një interes publik, nuk shuajnë thelbin e të drejtave dhe nuk përbëjnë dënim penal apo
administrativ.
4. Dispozitat e këtij ligji janë të barasvlershme me dispozitat e Kodit Zgjedhor, ligjit për
nëpunësin civil dhe ligjet që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e organeve që
përfshihen nga veprimi i këtij ligji. Në rast konflikti midis normave, dispozitat e këtij ligji
kanë përparësi.
5. Aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji miratohen nga organet kompetente jo më
vonë se 2 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 17
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R I
Ilir META
Miratuar në datën 17.12.2015
11