“Kanali i Naunkë”s,
“Kanali i Naunkë”s, një nga segmentet më të rëndësishme të sistemit të kanalizimeve në qytet, tashmë është vënë plotësisht në efiçensë.
Prej më shumë se 25 vitesh, ky segment që përshkon lagjen “24 Maji” deri tek zona që emërtohet “Pallatet e Gorrishtit”, ishte lënë tërësisht jashtë vëmendjes dhe, për pasojë, ishte bllokuar nga mbetjet e ngurta, ato urbane dhe gjithëfarëlloj mbeturinash që hidheshin në të nga qytetarët.
Por, prej disa ditësh, pamja ka ndryshuar, rrjedhojë e një projekti të Bashkisë, që u zbatua nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve. Tashmë, ky segment, që vlerësohet nga specialistët për impaktin që ka në parandalimin e përmbytjeve në periudhat me reshje intensive shiu, është vënë në funksion të plotë.
Puna që u realizua për pastrimin e tij, pason përpjekjet që po bëhen prej më shumë se një viti, për pastrimin e sistemit të kanalizimeve në qytet.
Por, ky projekt, është vetëm stacioni i rradhës. Në ditët dhe javët në vazhdim, vëmendja do të shtrihet në pika të tjera problematike, ku nuk është ndërhyrë prej kohësh.