Festivali Folklorik Mesdhetar 2008
Starton Festivali Folklorik Mesdhetar “Vlora 2008”
29 Korrik 2008
Mbrëmjen e djeshme u hap në Vlorë edicioni i katërt i Festivalit Folklorik Mesdhetar Vlora 2008. Në një atmosferë tërësisht të hareshme, tek Monumenti i Pavarësisë Kombëtare me fytyrë nga varri i të ndriturit Ismail Qemali,
Në sheshin përpara lulishtes, i cili ishte mbushur plot e përplot, tetë grupet pjesëmarrëse shpalosën me kostumet e tyre ngjyrat që rrezatonin shpirtin e popullit që përfaqësonin, çastet i tij të ndjeshme dhe flladin e Mesdheut. Festivalin e hapi Drejtori i Qendrës Kulturore “Labëria” Vlorë zoti Istref Dobi, i cili është dhe drejtor i këtij festivali. Ai pasi u uroi mirëseardhjen grupeve pjesëmarrëse i prezantoi ato para publikut. Grupet pjesëmarrëse të këtij festivali janë Ansambli “Çamëria” i Vlorës, Ansambli “Osman Gazepi” i Bursës – Turqi, Ansambli “Karshiaka” Shkupi, Ansambli “Lidhja e Prizrenit” i Prizrenit” Kosovë, Ansambli “Kitka” i Maqedonisë, Ansambli “Tirana” i Tiranës, Ansambli “18 Marsi” i Çanakalasë –Turqi, Ansambli i Kombëtar i Egjiptit. Fjalën e rastit, në emër të kryetarit të Bashkisë Vlorë, zotit Shpëtim Gjika e mbajti zoti Halim Dervishaj, cili ndërmjet të tjerave tha se “Rasti i çeljes së këtij festivali më jep kënaqësinë që në emër të Komitetit Organizator, të komunitetit vlonjat si dhe në emrin e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, z.Shpëtim Gjika, tu uroj mirëseardhjen në këtë anë të Mesdheut, grupeve pjesëmarrëse por edhe të gjithë miqve dhe të ftuarve që na kanë ardhur me këtë rast në Vlorë. Ndihem thellësisht i gëzuar që tashmë ky eveniment shumë i rëndësishëm kulturor, i cili nisi rrugën e tij në verën e vitit 2005, po kthehet në një traditë të bukur, në një ngjarje jo vetëm për qytetin tonë, por për gjithë botën folklorike shqiptare, në një manifestim të madh folklorik, me pjesëmarrjen e disa prej shteteve që lagen nga të njëjtat ujëra të Mesdheut, duke i dhënë Vlorës tonë të dashur dhe gjithë atyre që kanë zgjedhur bregdetin tonë për të pushuar një ofertë vërtetë të rrallë të turizmit kulturor. Folklori dhe traditat i bashkojnë popujt, pasi duke njohur kulturën dhe historinë e një populli, njeh dhe respekton më shumë vlerat dhe njerëzit e tij. Ky është edhe mesazhi që përçon Festivali, paqe dhe bashkim.” Duke u folur nga një frazë përshëndetëse në gjuhën e vendit të tyre, nënkryetari i Bashkisë zoti Dervishaj me një gjuhë tepër miqësore si zot shtëpie u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, të cilët më vonë u ngjitën një nga një në skenë dhe interpretuan diçka në repertori i tyre.
Koncertin e prezantimit të grupeve pjesëmarrës e nisi Ansambli “Çamëria” i Vlorës, cili interpretoi tre valle çame atë të “Xhamadanit”, “Tumankuqe” dhe vallen legjendë të “Osman Takes”. Mbas fustanellave të Çamërisë i erdhi radha grupit turk nga Bursa me emër “Bursa Osmangazi Belediyesi”, i cili solli vallet e këtij rajoni, në të cilin jetojnë edhe arnautë, ndaj muzika ndihej si e përzier me atë shqiptare. I treti në radhë ishte Ansambli “Karshiaka” i Shkupit, i cili solli muzikë tërësisht shqiptare sepse përfaqësonte komunitetin shqiptar në Maqedoni. Valle baritore ku ndihej tingulli i thellë i zileve dhe i tupanës, në vallen e “Deshve” me tingujt e këngës “Baresha” të Nexhmije Pagarushës. Mbas këtij grupi vjen ai i Prizrenit i quajtur “Lidhja e Prizrenit” nga Kosova, i cili përfaqësohet në çeljen e festivalit me potpuri vallesh dibrane dhe me një këngë të kënduar nga këngëtari i mirënjohur Agim Teleci. Ansambli “Kitka” i Maqedonisë, vjen me një valle karakteristike maqedonase ku shirita të bardhë shumëmetrësh, të qëndisur e me dantellë hapeshin nga vajzat dhe djemtë në një valle të gëzueshme. Ansambli “Tirana” i Tiranës solli muzikën e gëzueshme të Shqipërisë së mesme në një suitë vallesh të Shqipërisë së mesme të luajtur plot pasion e dinamikë nga anëtarët e këtij grupi. Ansambli “18 Marsi” i Çanakalasë –Turqi, i përbërë nga valltarë dhe instrumentistë luajti vallen e Zejbegut, një valle karakteristike e njerëzve të vendeve malore që nuk e durojnë poshtërimin që u bëhet të varfërve. Ndërsa Ansambli i Kombëtar i Egjiptit luajti valle shumë të gëzueshme dhe me humor nga krahinat e Egjiptit jugor ku ndihej prezenca e muzikës dhe stilit oriental të vallëzimit. Kostumet e shoqëruar me xixëllima dhe duartrokitje e mbyllën këtë natë të parë të festivalit.