LIGJ Nr. 9385, datë 4.5.2005 PËR PYJET DHE SHËRBIMIN PYJOR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
(shtuar pika 3, me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të njëjta për marrëdhëniet, detyrat, të drejtat
dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, organeve të pushtetit vendor, organizatave jofitimprurëse,
pronarëve privatë dhe të biznesit, për ruajtjen, administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e fondit
pyjor kombëtar, të tokës pyjore dhe të burimeve natyrore e biologjike të tyre.
2. Ky ligj rregullon edhe veprimtaritë mbrojtëse, shoqërore, ekoturistike dhe ekonomike që
zhvillohen në fondin pyjor kombëtar dhe në burimet e tjera pyjore e jopyjore, në bazë të parimeve të
mbarështimit të qëndrueshëm e shumëfunksional, të pasqyruara në strategjinë dhe politikat e zhvillimit
të sektorit të pyjeve e kullotave, si dhe skemën e organizimit e të funksionimit të administratës së
Shërbimit Pyjor Shqiptar, marrëdhëniet juridike, përgjegjësitë dhe detyrat e tij, për krijimin e një
shërbimi pyjor të qëndrueshëm dhe profesional.
3. Nuk janë objekt i këtij ligji zonat e mbrojtura, fauna e egër, si dhe bimët mjekësore
eterovajore e tanifere natyrore, të cilat rregullohen sipas legjislacionit të perkatës në fuqi.
Neni 2
Përkufizime dhe fushat e veprimit
(shtuar një paragraf në pikën 21 dhe shtuar pikat 31, 32 dhe 33, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007,
ndryshuar pika 10, me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
Në zbatim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
1. “Burime pyjore” është tërësia e elementeve natyrore të një sipërfaqeje pylli a toke pyjore,
me vlerë të konsiderueshme, të përdorshme për nevojat e njeriut. Në ekonominë pyjore si burime
natyrore përfshihen edhe toka, uji, bimësia jopyjore, e shumëllojshme, ato të natyrës jo të gjallë dhe
gjallesat e egra.
2. “Dëmtim i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” është prishja e karakteristikave fiziko-kimike e
strukturore të ekosistemit pyjor, ulja e prodhimtarisë biologjike dhe e shumëllojshmërisë së
ekosistemeve përbërëse të fondit pyjor kombëtar.
3. “Drurë apo grupe drurësh pyjorë” janë drurët pyjorë të veçantë, kudo që ndodhen, një
sipërfaqe me drurë pyjorë prej 0,05 hektarësh, brezat mbrojtës, parqet urbane, grupet e drurëve të
1 Ndryshuar me ligjet: nr.9533, datë 15.5.2006 (botuar në Fletoren Zyrtare nr.56), nr. 9791, datë 23.7.2007 (botuar në
Fletoren Zyrtare nr. 103), nr.9989, datë 15.9.2008 (botuar në Fletoren Zyrtare nr. 150) nr.10 137, datë 11.5.2009 (botuar në
Fletoren Zyrtare nr. 86), nr.15/2012, datë 16.2.2012 (botuar në Fletoren Zyrtare nr. 18), nr. 36/2013, datë 14.2.2013
(botuar në Fletoren Zyrtare nr. 30) dhe nr. 48/2016, datë 5.5.2016, (botuar në Fletoren Zyrtare nr. 84)
2
mbjellë në parcela të vogla dhe që përdoren për kullotë.
4. “Ekonomi pyjore” është sipërfaqja pyjore e ndarë në ngastra e nënngastra, si njësi bazë për
drejtimin, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështimit të pyllit dhe që plotëson parimin e
vazhdimësisë së prodhimit pyjor.
5. “Ekosistem” është një kompleks dinamik komunitetesh: bimë, kafshë, mikrobe dhe mjedisi
jo i gjallë, që ndërveprojnë si njësi funksionale.
6. “Fidanishte pyjore” është një sipërfaqe toke, e destinuar për të rritur e prodhuar, për një
periudhë të caktuar kohe, fidanë të llojeve e madhësive të ndryshme, me prejardhje nga farërat,
kalemat, copat, rrënjët, shpatullat e zhardhokët.
7. “Fond pyjor” janë të gjitha sipërfaqet pyjore e jopyjore, burimet pyjore e jopyjore
bashkëshoqëruese, infrastruktura përkatëse, përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura, të cilat krijojnë një
mjedis harmonik me pyjet e tokën pyjore (çeltirat, shkëmbinjtë, dunat dhe ranishtet), brezat pyjorë
mbrojtës, grupet e veçuara të drurëve dhe shkurret.
8. “Grumbull pyjor” është një sipërfaqe pyjore, homogjene nga pikëpamja e përbërjes së
llojeve, moshës, klasës së prodhimit, dendësisë, kushteve mjedisore dhe mënyrës së trajtimit
silvikulturor.
9.”Infrastrukturë pyjore” janë zyrat, ndërtesat, magazinat, depot, rrjeti rrugor pyjor, teleferikët,
makinat, motorët, radiot e antenat e radiokomunikimit, pritat, pendat, lerat, koritat, çezmat, rrethimet e
gardhimet, tabelat, shenjat e ndryshme treguese e sinjalizuese, ato të mbarështimit pyjor, si dhe
lehtësitë e tjera të ngritura në fondin pyjor shtetëror për informimin dhe pritjen e vizitorëve.
10. “Inspektor i Policisë Pyjore” është punonjësi me arsimin përkatës pyjor, me uniformë, i
armatosur, i pajisur me kartë identifikimi, që ka atributet e njohura me këtë ligj, i inspektoratit
shtetëror përgjegjës për pyjet, i cili ka për detyrë zbatimin e ligjit, administrimin, mbrojtjen,
parandalimin e dëmtimeve, zbulimin e veprimtarive kriminale dhe mbikëqyrjen e fondit pyjor
kombëtar.
11. “Kadastra e pyjeve” është një dokument zyrtar (regjistër), ku evidentohen, pasqyrohen,
mbahen e përditësohen të dhënat fillestare për çdo njësi të ekonomisë pyjore apo për pellgjet
ujëmbledhëse, të dhënat për ndryshimet periodike në vëllime, sipërfaqet dhe hartat përkatëse.
12. “Mbarështim pyjor” është planifikimi afatmesëm e afatgjatë, në nivel ekonomie pyjore apo
të pellgut ujëmbledhës, i cili siguron përmbushjen e kërkesave për ruajtjen e pyllit, duke mbajtur
parasysh aspektet ekologjike, ekonomike e shoqërore. Këtu përfshihen mbledhja e të dhënave,
përcaktimi i objektivave, i masave për çdo njësi mbarështimi apo për të gjithë ekonominë dhe
kontrollin e vazhdueshëm të rezultateve.
13. “Mbrojtja e pyjeve dhe e tokës pyjore” është veprimtaria për parandalimin e degradimit,
përtëritjen, ruajtjen dhe përmirësimin e pyjeve të burimeve pyjore e jopyjore bashkëshoqëruese dhe të
mjedisit pyjor nga faktorët njerëzorë e natyrorë.
14. “Ndotja e pyjeve dhe e mjedisit pyjor” është ndryshimi i cilësisë së tyre, si rrjedhojë e
krijimit dhe e futjes së faktorëve fizikë, kimikë apo biologjikë, të burimeve natyrore a njerëzore, nga
brenda ose jashtë vendit.
15. “Nënngastër” është një njësi sipërfaqeje me madhësi minimale 0,5 ha, që shërben për
vlerësimin e grumbujve pyjorë, planifikimin dhe kontrollin e trajtimeve të njëjta silvikulturore.
16. “Ngastër” është ndarja e sipërfaqes së ekonomisë pyjore në parcela, të cilat shërbejnë si
njësi bazë për drejtimin, organizimin, planifikimin dhe kontrollin e mbarështimit të pyllit.
17. “Plan mbarështimi” është një dokument bazë për mbarështimin e pyjeve, i hartuar sipas
njësive të ekonomisë pyjore, me punime terreni e zyre, për njohjen dhe marrjen e të dhënave për
tokën, klimën, faunën, biodiversitetin, grumbullin pyjor etj., si dhe masat që parashikohen për
administrimin dhe qeverisjen e qëndrueshme të fondit pyjor, organizimin e prodhimit dhe planifikimin
e punimeve të ndërthurura, të nevojshme silvikulturore.
18. “Prerje kulturore” është tërësia e punimeve të seleksionimit dhe të rrallimit, pastrimit,
çlirimit etj., që zbatohen periodikisht në një grumbull pyjor, nga çasti i krijimit të gjendjes së masivit e
deri në moshën e shfrytëzimit, për përmirësimin dhe sigurimin e vazhdimësisë së prodhimit.
19. “Pronë pyjore” është një sipërfaqe e fondit pyjor, me madhësi të ndryshme, bashkë me
infrastrukturën përkatëse, e cila është pronë publike, që zotërohet nga pushteti qendror apo vendor, ose
pronë private.
3
20. “Pyje mbrojtëse” janë pyjet e përcaktuara kryesisht për qëllime mbrojtëse të vetë pyllit, të
tokës pyjore dhe të tokave, që shtrihen përreth zonave urbane, pellgjeve ujëmbledhëse, për të luftuar a
parandaluar dukuritë e gërryerjes, të ndikimit të erërave, çrregullimeve në rrjedhjet ose burimet ujore
dhe sigurimin e funksioneve ekologjike.
21. “Pyll” është sipërfaqja e tokës me një grup të dendur drurësh pyjorë, në formë të
qëndrueshme ose me bimësi tjetër të rrallë pyjore, me sipërfaqe më të madhe se një dynym e me
shkallë mbulimi jo më të vogël se 30 për qind, që prodhon masë drusore, ushtron ndikim në mjedisin
rrethues dhe që siguron funksionet e pyllit.
Për zbatimin e Protokollit të Kiotos pyll vlerësohet edhe sipërfaqja e tokës me një grup të
dendur drurësh pyjorë, me sipërfaqe më të madhe se 0,1 ha, me shkallë mbulimi jo më të vogël se 30
për qind dhe me potencial për të arritur lartësi më të madhe se 3 metra, kur pylli ka arritur maturinë në
kushte in-situ.
22. “Qeverisje e pyjeve” është tërësia e ligjësisë dhe biologjia e bashkësisë së jetës së pyllit e
të tokës pyjore, përcaktimi i qartë i politikave dhe i masave, me të cilat do të ndërhyhet në strukturën
funksionale të tyre, për të siguruar rritjen e frytshmërisë teknikoekonomike.
23. “Rrugë pyjore” janë rrugët me parametra të ndryshme nga ato të rrugëve vendore dhe
kombëtare, për qarkullimin e automjeteve dhe të mjeteve të tjera, që shërbejnë për transportin e lëndës
drusore, të prodhimeve të tjera me origjinë jodrusore, për kryerjen e punimeve të ndryshme dhe
lidhjen e sipërfaqes pyjore me rrjetin e rrugëve vendore e kombëtare.
24. “Shfrytëzim i pyjeve” janë ndërhyrja dhe trajtimet silvikulturore në jetën e pyllit, vjelja e
materialit drusor dhe e prodhimeve të tjera, përpunimi dhe transporti i tyre në moshën e
shfrytëzueshmërisë dhe kur është siguruar ripërtëritja natyrore.
25. “Shitja e drurit në këmbë” është operacioni i vlerësimit dhe i shitjes së drurëve të paprerë
apo të parrëzuar.
26. “Shkurre” është bimësia drusore, me kërcenj të degëzuar nga baza dhe jo shumë të lartë, që
dallohet nga bimësia barishtore prej strukturës drusore, ndërsa nga pylli prej trungut të shkurtër dhe
mungesës së trungut kryesor.
27. “Silvikulturë” është shkenca që merret me studimin e ligjësive të jetës dhe të zhvillimit të
ekosistemeve pyjore, me përcaktimin e metodave dhe të teknikave të trajtimit të tyre, që synojnë
rritjen dhe vazhdimësinë e prodhimit pyjor.
28. “Toka pyjore” janë sipërfaqe toke me drurë, shkurre e bimësi tjetër jopyjore, me shkallë
mbulimi nga 5 deri në 30 për qind, sipërfaqet e zhveshura, çeltirat, vendet shkëmbore, tokat e gërryera
e joprodhuese, ranishtet, rrugët pyjore, të pakadastruara në fondet e tjera të tokës bujqësore dhe të
lidhura ekologjikisht e në mënyrë funksionale me fondin pyjor kombëtar që, të gjitha së bashku,
sigurojnë funksionet e pyllit.
29. “Trajtim i pyjeve” janë operacionet silvikulturore, të cilat kanë si qëllim kryesor
zhvillimin, vjeljen e prodhimeve pyjore dhe sigurimin e ripërtëritjes natyrore të një pylli, brenda
mundësive të një forme të caktuar qeverisjeje.
30. “Veprimtari pyjore” janë të gjitha veprimtaritë mbrojtëse, menaxhuese e qeverisëse,
ekonomike e tregtare, të vjeljes së materialit drusor dhe të prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore,
veprimtaritë çlodhëse, turistike, sportive e argëtuese, si dhe ato kërkimore e shkencore, që zhvillohen
në fondin pyjor kombëtar.
31. “Ministria” është ministria përgjegjëse për pyjet.
32. “Ministër” është ministri përgjegjës për pyjet.
33. “Pyll komunal” është pylli në pronësi apo në përdorim të organeve të qeverisjes vendore.
KREU II
POLITIKAT, PROGRAMET E ZHVILLIMIT DHE PLANET E MBARËSHTIMIT PYJOR
Neni 3
Këshilli i politikave pyjore
1. Politikat sektorale synojnë zbatimin e kërkesave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë
për pyjet, kullotat dhe burimet e tjera, pyjore e natyrore, në përputhje me parimin e zhvillimit të
4
qëndrueshëm.
2. Për hartimin e politikave dhe të strategjive të zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe të kullotave
në Republikën e Shqipërisë ngrihet Këshilli i Politikave të Zhvillimit të Sektorit të Pyjeve dhe
Kullotave, i cili funksionon si organ ndërministror.
Përbërja, funksionet, përgjegjësitë, të drejtat dhe organizimi i brendshëm i këtij këshilli
caktohen me urdhër të Kryeministrit.
Neni 4
Programet e zhvillimit
(ndryshuar pika 4, me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Qeverisja e fondit pyjor kombëtar mbështetet në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm e
shumëfunksional të pyjeve e kullotave, të përfshira në strategjinë e zhvillimit të sektorit të pyjeve e
kullotave, në programin kombëtar dhe në planet afatgjata të veprimit.
2. Programi i zhvillimit të sektorit të pyjeve dhe kullotave përcaktohet nga politika e
mbarështimit pyjor, për ruajtjen, zhvillimin e fondit pyjor kombëtar, për sigurimin e kushteve për
përdorimin dhe shfrytëzimin e tij edhe për qëllime publike.
3. Programi i zhvillimit të sektorit të pyjeve përshtatet dhe plotësohet, në përputhje me
ndryshimet e gjendjes shoqërore e ekonomike të vendit dhe me ndryshimin e kushteve të mbarështimit
pyjor.
4. Ministria, në bashkëpunim me bashkitë, harton dhe përpunon programin e zhvillimit të
sektorit të pyjeve, i cili miratohet me urdhër të ministrit.
Neni 5
Planet e mbarështimit
(ndryshuar pika 4 dhe shtuar pikat 5 e 6, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007,
ndryshuar pika 3, me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009)
1. Qeverisja teknike e sektorit të pyjeve dhe të kullotave bëhet sipas planeve të mbarështimit.
2. Planet e mbarështimit pyjor duhet të sigurojnë masat për:
a) zhvillimin e qëndrueshëm të fondit pyjor kombëtar, ruajtjen dhe krijimin e kushteve
natyrore për gjallesat pyjore dhe komunitetet e tyre;
b) mbrojtjen, trajtimin dhe kryerjen e punimeve silvikulturore e të punimeve të tjera, të cilat
kanë për qëllim sigurimin e funksioneve ekologjike dhe shoqërore, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e
infrastrukturës pyjore, vjeljen e prodhimeve pyjore dhe përdorimin e fondit pyjor kombëtar, duke
siguruar vazhdimësinë e prodhimeve pyjore, të burimeve të tjera dhe të gjeneratës së re të masivit
pyjor;
c) mbarështimin e pyllit dhe të tokës pyjore, për të ruajtur funksionet e tyre, shkallën e ruajtjes
së mjedisit pyjor dhe të ripërtëritjes natyrore;
ç) përdorimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore e natyrore të ngastrave e ekonomive pyjore,
në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të gjallesave pyjore dhe të komuniteteve të tyre.
5
3. Për të siguruar asistencë të kualifikuar për hartimin e planeve të mbarështimit, të
ekspertizave, të projekteve operacionale dhe zbatimin e tyre në fondin pyjor, ministri certifikon
ekspertë, të certifikuar në këtë fushë. Kur këto veprimtari kryhen nga subjekte, juridike ose fizike,
tregtare, ato i nënshtrohen licencimit dhe përfshihen në kategorinë III.7, të shtojcës së ligjit për
licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive bëhet sipas ligjit për licencat. Këshilli i Ministrave miraton
kriteret, rregullat dhe procedurat për certifikimin e ekspertëve dhe licencimin në fushën e fondit pyjor.
4. Plani i mbarështimit të pyjeve shtetërore shqyrtohet nga komisioni teknik pranë Drejtorisë
së Politikave Pyjore, i ngritur me urdhër të ministrit. Plani miratohet nga ministri.
5. Planet e mbarështimit të pyjeve komunale dhe private hartohen nga subjekte të licencuara
dhe miratohen, sipas rastit, nga këshilli i komunës/bashkisë, në bashkëpunim me drejtorinë përkatëse
të shërbimit pyjor.
6. Mënyra e hartimit të planeve të mbarështimit të pyjeve, e cila zbatohet për të gjitha format e
pronësisë së pyllit, caktohet me udhëzim të ministrit.
KREU III
SHËRBIMI PYJOR
Neni 6
Funksionimi i shërbimit pyjor
(shtuar pika 3, me ligjin nr. 36/2013, datë 14.2.2013)
1. Shërbimi pyjor funksionon në mbështetje të këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore, të
nxjerra nga organet përkatëse, të ngarkuara për zbatimin e ligjit.
2. Shërbimi pyjor ka këto funksione:
a) menaxhuese;
b) kontrolluese.
3. Funksioni kontrollues ushtrohet nga Policia Pyjore, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr.
10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 7
Organizimi i shërbimit pyjor
(ndryshuar pikat 2 dhe 3, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007, ndryshuar pika 1, 3
dhe shtuar pika 4 me ligjin nr. 36/2013, datë 14.2.2013, ndryshuar pikat 2, 3, dhe shtuar pika 3/1me
ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Shërbimi pyjor organizohet e vepron sipas parimeve të profesionalizmit, pavarësisë,
transparencës, shërbimeve ndaj publikut, përgjegjësisë dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit në
fuqi.
2. Shërbimi pyjor organizohet si më poshtë:
a) ministria përgjegjëse për pyjet, si organ qendror politikëbërës;
b) strukturat përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki;
c) Policia Pyjore, pjesë e inspektoratit shtetëror përgjegjës për pyjet.
3. Strukturat dhe organikat e shërbimit pyjor në ministrinë përgjegjëse për pyjet dhe Policisë
Pyjore miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.
3/1. Bashkia ngre strukturën e saj për administrimin, qeverisjen dhe mbrojtjen e fondit pyjor
dhe kullosor brenda kufijve territorialë administrativë, me personel inxhiniero-teknik me arsim pyjor.
Raporti midis një nëpunësi të bashkisë me sipërfaqen e fondit pyjor dhe kullosor që ai mbulon është jo
më pak se një nëpunës për:
a) 750–1 000 ha, për pyjet e larta;
b) 1 500–2 500 ha, për pyjet e ulëta dhe shkurret;
c) 4 000–6 000 ha, për kullota dhe livadhe.
4. Organizimi dhe funksionimi i inspektoratit shtetëror të ministrisë që mbulon fushën e
mjedisit, pyjeve dhe administrimit të ujërave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në
përputhje me ligjin për inspektimin.
6
Neni 8
Bordi Këshillimor i Pyjeve
(shfuqizuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
Neni 9
Strukturat e shërbimit pyjor
(ndryshuar pikat 1 dhe 2, me ligjin nr.9533, datë 15.5.2006, me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Ministria përgjegjëse për pyjet është organi më i lartë politikëbërës në fushën e pyjeve dhe
përgjigjet për hartimin e legjislacionit përkatës të pyjeve, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të
fondit pyjor dhe kullosor kombëtar.
2. Strukturat përgjegjëse për pyjet e kullotat pranë bashkive janë organi administrativ i
shërbimit pyjor dhe përgjigjen për sigurimin e mbrojtjes, për qeverisjen e qëndrueshme dhe kontrollin
e miradministrimit të fondit pyjor dhe kullosor brenda territorit administrativ të bashkisë.
3. Punonjësit e shërbimit pyjor pajisen me uniformë (me shenja dalluese), me dokument
identifikimi, me armatim, me tabela të ndalimit të automjeteve dhe me mjete të tjera teknike, të
domosdoshme e të nevojshme për kryerjen e detyrës. Caktimi i rregullave për mbajtjen, përbërjen,
afatet e përdorimit e të zëvendësimit të uniformës dhe të pajisjeve e të mjeteve të tjera caktohen me
vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 10
Ministria përgjegjëse për pyjet
(ndryshuar me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Ministria përgjegjëse për pyjet është përgjegjëse për hartimin e politikave, strategjive, si
dhe miratimin e planeve të menaxhimit për fondin pyjor kombëtar.
2. Ministria përgjegjëse për pyjet:
2.1. Është organ i specializuar politikëbërës, me atribute teknike, menaxhuese, kontrolluese e
këshillimore.
2.2. Siguron/ofron mbështetje teknike në fondin pyjor kombëtar dhe ka këto detyra:
a) qeverisjen politike të pyjeve dhe të tokave pyjore;
b) mbledhjen e të dhënave për zhvillimin e pyjeve publike dhe private;
c) ruajtjen e ekuilibrit biologjik në fondin pyjor kombëtar;
ç) mbajtjen dhe administrimin e të gjitha dokumenteve për hartimin dhe zbatimin e planeve të
mbarështimit dhe të inventarizimit pyjor, të kadastrës pyjore, të projekteve, të financës, të pasurive të
luajtshme e të paluajtshme, të të dhënave bazë për tërësinë e fondit pyjor e kullosor dhe të tokave
pyjore, si dhe të punimeve e përgjithësimeve statistikore;
d) ndjekjen e zbatimit të planeve të mbarështimit dhe të inventarizimit të pyjeve, të kullotave,
të florës e të faunës së egër, si dhe të shmangies së sëmundjeve, dëmtuesve dhe zjarreve;
dh) ndjekjen, bashkëpunimin, harmonizimin dhe kryerjen e veprimtarive kërkimore në pyje e
kullota;
e) ndjekjen e përpunimit të metodologjive për mbledhjen e të dhënave të zhvillimit të sektorit
të pyjeve e kullotave, përpunimin e këtyre të dhënave dhe përgatitjen e informacionit për publikun;
ë) sigurimin e mbështetjes teknike nëpërmjet këshillimit të pronarëve privatë dhe të
komunitetit;
f) kontrollin dhe marrjen në dorëzim të punimeve të kryera në pyje e kullota, pavarësisht nga
burimi i financimit.
Neni 11
Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki
(ndryshuar me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki është organ i specializuar i këtij
shërbimi në nivel vendor, me atribute teknike, menaxhuese e këshillimore, në përbërje të bashkisë.
7
2. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki kryen shërbime teknike e publike në
fondin pyjor vendor dhe ka këto detyra:
a) qeverisjen tërësore të pyjeve dhe të tokave pyjore;
b) mbledhjen e të dhënave për zhvillimin e pyjeve publike dhe private;
c) ruajtjen e ekuilibrit biologjik në fondin pyjor vendor;
ç) mbajtjen dhe administrimin e të gjitha dokumenteve për hartimin dhe zbatimin e planeve të
mbarështimit të fondit pyjor privat brenda njësisë administrative të bashkisë;
d) të mbajë të dhëna të sëmundjeve, dëmtuesve dhe zjarreve në pyjet e kullotat e bashkisë;
dh) përgatitjen e projekteve për investimet në pyje e kullota;
e) drejtimin dhe mbikëqyrjen e punës për përmirësimin e zonave të gërryera dhe luftimin e
gërryerjeve, të rrëshqitjeve e të ortekëve brenda territorit të bashkisë;
ë) ndjekjen, bashkëpunimin, harmonizimin dhe kryerjen e veprimtarive kërkimore në pyje e
kullota;
f) mbikëqyrjen e zhvillimit të florës e faunës së egër dhe propozimin e metodave për
mbrojtjen e llojeve të rrezikuara, të rralla ose në rrezik;
g) sigurimin e mbështetjes teknike nëpërmjet këshillimit të pronarëve privatë dhe të
komunitetit;
gj) organizimin e trajnimeve dhe të shërbimeve këshillimore për pronarët privatë;
h) kontrollin dhe marrjen në dorëzim të punimeve të kryera në pyje e kullota, pavarësisht nga
burimi i financimit;
i) mirëmbajtjen dhe funksionimin e infrastrukturës në fondin pyjor bashkiak;
j) hartimin dhe zbatimin e një programi për trajnimin e punonjësve të shërbimit pyjor dhe
aftësimin e tyre profesional;
k) mbështetjen e zhvillimit të agropylltarisë në bashki.
Neni 12
Funksioni dhe detyrat e Policisë Pyjore
(ndryshuar pika 1, me ligjin nr. 36/2013, datë 14.2.2013)
1. Policia Pyjore është organ i specializuar i shërbimit pyjor, me funksione kontrolluese.
Struktura e Policisë Pyjore, gjatë kryerjes së shërbimit, përfiton status të njëjtë me atë të Policisë së
Shtetit.
2. Policia Pyjore kryen këto detyra:
a) kontrollon zbatimin e dispozitave ligjore dhe të akteve nënligjore në fuqi për pyjet, kullotat,
zonat e mbrojtura, florën e faunën e egër, veprimtarinë e gjuetisë dhe veprimtaritë e tjera që zhvillohen
në fondin pyjor kombëtar nga subjektet private e publike, juridike e fizike, si dhe propozon heqjen e
licencave kur subjektet veprojnë në kundërshtim me këto dispozita;
b) parandalon, zbulon dhe lufton dëmtimin, pushtimin, shpërdorimin, tjetërsimin, shkretimin
dhe degradimin e pyjeve e të tokës pyjore, cenimin nga ndërhyrjet e pakontrolluara në fondin pyjor
dhe në mjedisin natyror;
c) organizon punën për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve;
ç) parandalon dhe merr masa në rastet e shfrytëzimit dhe të tregtimit të paligjshëm të
materialit drusor, të prodhimeve pyjore e jopyjore, të krimit në sektorin e pyjeve, kullotave, zonat e
mbrojtura e pyjet me funksion të veçantë, të florës e faunës së egër, të bimëve mjekësore, aromatike,
eterovajore e tanifere natyrore, të prodhimeve pyjore e jopyjore të fondit pyjor kombëtar, si dhe çdo
veprimtari tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj;
d) kontrollon veprimtaritë e subjekteve që grumbullojnë, përpunojnë dhe tregtojnë prodhimet
e përftuara nga shfrytëzimi i pyjeve (trupa, lëndë ndërtimi, shtylla miniere, degë voze, dru zjarri,
qymyr druri etj.) dhe prodhimet gjysmë të përpunuara (dërrasë, elemente etj.) në qendrat e përpunimit
(gatrat, sharrat, cirkularet etj.) në magazinat dhe sheshet e depozitimit;
dh) bllokon veprimtarinë e ushtruar nga çdo person fizik a juridik, që nuk shlyen detyrimet
ligjore në afatet e caktuara dhe/ose që nuk respekton kushtet e kontratave;
e) mbron dhe mbështet veprimtarinë e administratës menaxhuese të shërbimit pyjor;
ë) kryen, në bashkëpunim me organet e Policisë së Shtetit, organet tatimore, doganore e
8
financiare, të Policisë së Ndërtimit dhe me organet e qeverisjes vendore, veprimtaritë dhe funksionet
që parashikohen nga ligje të tjera;
f) kontrollon zbatimin e punimeve që kryhen sipas projekteve në pyje, kullota, rezervate të
gjuetisë dhe zona të mbrojtura;
g) ndërpret të gjitha punimet, që nuk janë në përputhje me projektet e hartuara e të
parashikuara në kontratat e nënshkruara;
gj) kontrollon e mbikëqyr mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit nga subjektet private e
publike, juridike ose fizike, që ushtrojnë veprimtari në fondin pyjor kombëtar;
h) kontrollon zbatimin e rregullave të sigurisë dhe të shëndetit të punëtorëve, që punojnë në
pyje;
i) mbikëqyr zbatimin e legjislacionit për përdorimin dhe vjeljen e prodhimeve pyjore nga
burimet pyjore e jopyjore, në pronësi apo në përdorim të bashkive ose në pronësi private.
3. Inspektorët e Policisë Pyjore kanë të gjitha të drejtat për të hyrë, kontrolluar, inspektuar dhe
për të marrë masat përkatëse të procedimit, si dhe të bllokimit apo sekuestrimit, në rastet e shkeljes së
ligjit. Inspektorët e Policisë Pyjore gjatë kryerjes së detyrës gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore.
KREU IV
FUNKSIONET E PYLLIT, PËRBËRJA E PRONËSIA E FONDIT PYJOR KOMBËTAR DHE
KADASTRA
Neni 13
Funksionet e pyllit
(shtuar një paragraf, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
Funksionet e pyllit janë:
a) ekonomike, që kanë të bëjnë me prodhimin e materialit drusor dhe jodrusor, të bimëve
mjekësore, aromatike e eterovajore, si dhe me habitatet e shpendëve dhe të kafshëve të egra apo me
prodhime të tjera natyrore të fondit pyjor kombëtar;
b) ekologjike, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e florës dhe faunës së egër, të ruajtjes së
burimeve gjenetike, hidrologjike, kundër gërryerjes e biotipike dhe me mbrojtjen e parcelave pyjore
eksperimentale;
c) publike, që kanë të bëjnë me veprimtaritë mbrojtëse, argëtuese, çlodhëse, sportive, turistike,
edukative, higjieno-sanitare, estetike apo kërkimore e shkencore.
Pyjet janë edhe objekt i sekuestrimit të karbonit. Ministria është organi përgjegjës për
zbatimin e dispozitave të Protokollit të Kiotos. Karboni i sekuestruar llogaritet dhe tregtohet, sipas
rregullave dhe procedurave të parashikuara në Protokollin e Kiotos, ku Republika e Shqipërisë është
palë.
Neni 14
Përbërja e fondit pyjor kombëtar
Fondi pyjor kombëtar përbëhet nga këto formacione bimore e jobimore:
a) pyjet dhe drurët pyjorë;
b) shkurret;
c) sipërfaqet e zëna nga brezat pyjorë mbrojtës, grupet e veçuara të drurëve;
ç) bimësia barishtore, mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore;
d) tokat pyjore, bujqësore (të dhëna në përdorim ose në pronësi të organeve të shërbimit
pyjor), liqenet natyrore, tokat e lagëta dhe lagunat (për mbarështimin dhe zhvillimin e faunës së egër,
pasuri kombëtare, dhe që krijojnë një mjedis ekologjik të harmonizuar me fondin pyjor);
dh) sipërfaqet e zhveshura si çeltirat, shkëmbinjtë, dunat e ranishtet, që ndodhen në sipërfaqen
pyjore dhe pranë tyre ( jo më larg se 500 m), por që krijojnë një mjedis ekologjik të harmonizuar me
të;
e) infrastruktura rrugore e komunikimit me të gjitha elementet bashkëshoqëruese, pritat e
9
pendat, lerat, koritat, çezmat, rrethimet apo gardhimet në zonat e mbrojtura, në pyjet me funksion të
veçantë, në rezervatet e gjuetisë, si dhe lehtësitë e krijuara e të ngritura për personelin e shërbimit
pyjor dhe për pritjen e vizitorëve në to;
ë) ndërtesat, zyrat, magazinat, depot, stacionet pyjore, qendrat e informimit dhe të pritjes së
vizitorëve, ujësjellësat, linjat elektrike e telefonike (të ndërtuara nga shërbimi pyjor apo të dhëna në
pronësi të tyre), makinat, tabelat, shenjat e ndryshme treguese e sinjalizuese dhe ato të mbarështimit
pyjor.
Neni 15
Pronësia e fondit pyjor kombëtar
(shtuar pika 5, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007 dhe me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Fondi pyjor kombëtar, sipas pronësisë, ndahet në:
a) fond pyjor në pronësi publike;
b) fond pyjor në pronësi private.
2. Shfuqizuar.
3. Fondi pyjor publik ndahet në:
a) pyje e toka pyjore në pronësi të bashkisë brenda territorit administrativ ku ato ndodhen;
b) zona të mbrojtura, në pronësi të ministrisë përgjegjëse për pyjet.
4. Fondi pyjor privat përbëhet nga:
a) pyje dhe toka pyjore në pronësi private;
b) drurë dhe grupe drurësh, që ndodhen brenda kufijve të tokave në pronësi private, pyje të
reja, të cilat krijohen në këto toka, dhe pjesët e fondit pyjor pronësi private.
5. Kuotat e karbonit, në procesin e sekuestrimit të tij, u përkasin pronarëve, sipas pronësisë që
kanë mbi fondin pyjor.
Neni 16
Kadastra Kombëtare e Fondit Pyjor
(ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Fondi pyjor kombëtar dhe infrastruktura integrale e tij regjistrohen në Zyrën e Regjistrimit
të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë referuar pronësisë së përcaktuar në pikën 3 të
nenit 15 të ligjit.
2. Fondi pyjor publik organizohet e trajtohet sipas ekonomive pyjore ose pellgjeve
ujëmbledhëse.
3. Kriteret për krijimin dhe organizimin e masiveve pyjore ose të pellgjeve ujëmbledhëse, si
njësi prodhimi, për sigurimin e vazhdimësisë së procesit të prodhimit pyjor në nivel rajoni,
përcaktohen nga ministria përgjegjëse për pyjet.
4. Fondi pyjor kombëtar trajtohet në përputhje me planet e mbarështimit dhe të inventarizimit.
5. Inventarizimi i pyjeve kryhet për një periudhë jo më pak se 10 vjet, sipas kritereve e
udhëzimeve të përcaktuara me urdhër të ministri përgjegjës për pyjet.
6. Të dhënat e kadastrës së fondit pyjor pasqyrohen çdo vit nga strukturat në varësi të
ministrisë përgjegjëse për pyjet, nëpërmjet programeve e sistemeve kompjuterike, duke krijuar bazën e
të dhënave në shkallë vendi, qarku dhe sipas ekonomive pyjore apo pellgjeve ujëmbledhëse.
7. Kadastra Kombëtare e Fondit Pyjor është një regjistër zyrtar, ku shënohen të dhënat
përkatëse për mënyrën e qeverisjes dhe ndryshimet periodike të fondit pyjor e kullosor.
8. Rregullat e hollësishme për krijimin dhe mbajtjen e Kadastrës Kombëtare të Fondit Pyjor,
për regjistrimin, përditësimin dhe ndryshimet në gjendjen e tij, miratohen nga ministri përgjegjës për
pyjet.
Neni 17
Heqja e sipërfaqeve (tokave) nga fondi pyjor kombëtar
(ndryshuar pika 1, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007, ndryshuar pika 1 dhe shtuar pikat 1/1 dhe 1/2
me ligjin nr. 15/2012, datë 16.2.2012)
10
1. Pjesë të fondit pyjor kombëtar, që kërkohen nga subjekte juridike ose fizike apo nga organet
e qeverisjes vendore, për t’u kthyer në truall, për zgjerimin e vijës kufizuese të ndërtimit dhe të
shtrirjes territoriale të periferisë së qytetit e të qendrave të banuara në zonat rurale, për ndërtimin e
strukturave turistike, të qendrave të pushimit apo ato shëndetësore ose për qëllime të tjera publike, për
rrugë automobilistike apo hekurudhore, për shpim dhe shfrytëzim të puseve të naftës e të gazit, për
veprimtari minerare e gjeologjike, për aeroporte dhe struktura të telekomunikacionit, për qëllime të
strukturave ushtarake, qendra industriale, hiqen nga fondi pyjor dhe nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve,
si më poshtë:
a) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe deri në 1 ha, me miratimin e ministrit;
b) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 1 ha e deri në 100 ha, me vendim të
Këshillit të Ministrave;
c) pyjet dhe tokat me bimësi pyjore, me sipërfaqe mbi 100 ha, me ligj të veçantë.
1/1. Pjesë të fondit pyjor kombëtar kthehen në kategorinë e resursit të tokës bujqësore, sipas
përcaktimeve të ligjit nr. 8752, datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionet e strukturave për
administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar. Ndryshimi i formës së përdorimit të fondit pyjor
në kategorinë e resursit të tokës bujqësore, pavarësisht madhësisë së sipërfaqes, bëhet vetëm për
mbjelljen e këtyre sipërfaqeve me kultura të drurëve, të cilët janë pjesë e programeve dhe të politikave
prioritare shtetërore afatgjata.
1/2. Kalimi i resursit të tokës së pafrytshme, që është në pronësi private apo të organeve të
qeverisje vendore, në fond pyjor, (pyll), dhe regjistrimi në Kadastrën Kombëtare të Pyjeve, bëhet me
kërkesë të pronarit apo organit të qeverisjes vendore. Kërkesa paraqitet pranë ministrisë veprimtaria e
së cilës mbulon pyjet, dhe miratohet nga ministri përkatës.
2. Rregullat për paraqitjen e kërkesës, mbajtjen dhe plotësimin e dokumentacionit teknik,
kriteret dhe procedurat e zvogëlimit të sipërfaqes dhe të vëllimit të fondit pyjor, përcaktohen me
vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Kufijtë e fondit pyjor kombëtar janë të përhershëm, të përcaktuar qartë dhe të shënuar në
terren, të hedhur në hartë me qëllim që të sigurohet mbikëqyrja e vazhdueshme e tyre, për të realizuar
mbrojtjen e frytshme nga degradimi, tjetërsimi, pushtimi dhe shkretimi.
Neni 18
Ndryshime në Kadastrën Kombëtare të Fondit Pyjor
1. Pronari duhet të marrë miratimin e organeve të shërbimit pyjor përpara ndryshimeve (rritjen
ose zvogëlimin e sipërfaqes dhe të vëllimit, ripyllëzimin) në fondin pyjor dhe në tokën pyjore që
zotëron.
2. Kur në fondin pyjor ose tokën pyjore, nga KRRTRSH-ja miratohen studime urbanistike për
zhvillime turistike, ministria përgjegjëse për pyjet pasi merr dijeni, bën shënimin përkatës në kadastrën
e pyjeve.
3. Pronarët e fondit pyjor dhe të tokës pyjore, brenda 6 muajve nga data e konstatimit, kanë
detyrimin që, për ndryshimet e bëra në fondin pyjor të njoftojnë struktura përgjegjëse për pyjet dhe
kullotat në bashki dhe kjo e fundit zyrën kadastrale të ministria përgjegjëse për pyjet, për të bërë
përditësimin në Kadastrën Kombëtare të Pyjeve, ndërsa për ndryshimet e ndodhura para hyrjes në fuqi
të këtij ligji dhe të papërditësuara, brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit.
Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit njofton drejtorinë përkatëse pranë ministrisë
përgjegjëse për pyjet për miratimin e veprimtarive në fushën e turizmit, të cilat zhvillohen në fondin
pyjor, në përputhje me ligjin “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.
Me miratimin e lejes së ndërtimit për zhvillime turistike në sipërfaqet e fondit pyjor apo të
tokës pyjore, këshilli i rregullimit të territorit të bashkisë njofton shërbimin pyjor për të bërë
përditësimin në kadastrën e pyjeve.
Neni 19
Dhënia në përdorim e fondit pyjor kombëtar
(ndryshuar pikat 1, 2 dhe 3, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007, ndryshuar paragrafi i tretë i pikës 1,
11
me ligjin nr.9989, datë 15.9.2008, shtuar pika 1/1, me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009, ndryshuar pika
3 me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Pjesë të fondit pyjor kombëtar dhe të pyjeve e tokave pyjore mund të jepen në përdorim për
punë kërkimore e studimore, për mbarështim të florës dhe faunës së egër e për gjueti, për baza
didaktike apo eksperimentale, për qëllime pushimi, argëtimi, shëndetësore, shoqërore dhe për
veprimtari turistike.
Pjesë jopyjore të fondit pyjor kombëtar mund të jepen në përdorim për veprimtari biznesi dhe
për kryerjen e operacioneve hidrokarbure, gjeologjike e minerare, për gurore e kariera, pa cenuar
vlerat dhe funksionet e tyre.
Ministri miraton dhe shpall listën e vendeve ose të shesheve të fondit pyjor publik, ku mund
të ushtrohen këto veprimtari, ndërsa për pyjet komunale, listën e shpallin bashkitë.
1/1. Dhënia në përdorim, sipas pikës 1 të këtij neni, përfshihet në kategorinë III.4, të shtojcës
së ligjit për licencat dhe bëhet sipas ligjit për licencat ose sipas dispozitave në vijim, të këtij ligji.
Këshilli i Ministrave vendos për përdorimin e njërës nga këto dy mënyra sipas ndarjes në nënkategori.
2. Plotësimi i nevojave të banorëve të komunave me lëndë dhe dru zjarri, për sigurimin e
bazës ushqimore për blegtorinë e për kullotje, si dhe për grumbullimin e prodhimeve drusore e
jodrusore bëhet nga pyjet komunale. Për komunat, që nuk kanë pyje komunale, këto nevoja mund të
plotësohen nga pyjet shtetërore, sipas rregullave dhe procedurave të udhëzimit, të miratuar nga
Këshilli i Ministrave.
3. Dhënia në përdorim e pjesëve të fondit pyjor bashkiak bëhet në bazë të kontratave, të
nënshkruara nga kryetari i bashkisë. Kontratat përfundojnë në çastin kur KKT-ja miraton, për
sipërfaqen e fondit pyjor, objekt kontrate, studime urbanistike. Rregullat, procedurat e kërkimit, të
shqyrtimit e të miratimit të kërkesave për dhënie në përdorim të fondit pyjor kombëtar caktohen me
udhëzim të ministrit.
4. Kur në sipërfaqet e fondit pyjor ose toka pyjore realizohen studime urbanistike për
zhvillime turistike, me miratimin e studimit urbanistik nga KRRTRSH-ja, në këto sipërfaqe zbatohen
dispozitat e ligjit “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.
KREU V
RUAJTJA DHE ADMINISTRIMI I FONDIT PYJOR KOMBËTAR
Neni 20
Ruajtja e fondit pyjor kombëtar
1. Republika e Shqipërisë zbaton parimet dhe normat e konventave, të marrëveshjeve e
traktateve ndërkombëtare, në të cilat është palë, si dhe merr parasysh, njeh dhe respekton parimet dhe
normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare për pyjet.
2. Ruajtja e pyjeve dhe e mjedisit pyjor nga ndotja dhe dëmtimi me lëndë të gazta, të lëngëta,
të ngurta, radioaktive, lëndë dhe mbetje të rrezikshme, që krijohen ose shkarkohen nga objekte a
veprimtari industriale, bujqësore, komunale, tregtare, shoqërore e kulturore, ushtarake, të transportit
ose nga veprimtari të tjera, që cenojnë ekuilibrin e sistemeve ekologjike, natyrore ose dëmtojnë të
mirat materiale dhe vlerat kulturore e historike, është e detyrueshme për të gjitha organet shtetërore, të
pushtetit vendor dhe për personat fizikë a juridikë, vendas e të huaj.
3. Personat fizikë a juridikë, që kanë në pronësi, në administrim ose në përdorim pyje,
grumbuj drurësh ose dru pyjorë, brenda ose jashtë fondit pyjor kombëtar, janë të detyruar të sigurojnë
mbrojtjen e tyre.
4. Mbrojtja dhe miradministrimi i fondit pyjor kombëtar, pavarësisht nga forma e pronësisë,
nga dëmtimi, prerjet ose kullotjet pa leje, sëmundjet dhe insektet, zjarret, shkatërrimi, pushtimi apo
tjetërsimi janë detyrë e përhershme e organeve të shërbimit pyjor dhe e organeve të qeverisjes
vendore, pronarëve, subjekteve që kryejnë veprimtari në këtë fond dhe, sipas rastit, edhe të strukturave
të tjera shtetërore (Policia e Shtetit, ajo financiare, doganore, e ndërtimit), të ngarkuara me ligje të
tjera.
5. Strukturat e organeve të shërbimit pyjor përgatisin skemën për monitorimin afatgjatë të
12
kushteve të pyjeve, ku përcaktohen vazhdimësia dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre, masat për mbrojtjen
e pyjeve dhe të mjedisit pyjor nga ndotja atmosferike, ruajtja e ekuilibrave të sistemeve ekologjike
natyrore, duke shmangur sëmundjet dhe shfaqjen e insekteve në pyje, si dhe masat parandaluese nga
zjarri.
6. Mbrojtja e mbulesës pyjore dhe e ekosistemeve pyjore të vendit, për të ruajtur
prodhimtarinë, diversitetin biologjik dhe peizazhin është një bazë e rëndësishme për zhvillimin
ekonomik dhe shoqëror të sektorit pyjor e të kullotave.
7. Në rast se në fondin pyjor ose në një pjesë pylli dhe në shkurre bie zjarr, organet e shërbimit
pyjor, organet e bashkive, çdo subjekt shtetëror a privat, njësi apo repart ushtarak, shkollë, institucion
publik e privat, si dhe çdo shtetas kanë detyrë të njoftojnë dhe të marrin pjesë për shuarjen e tij.
8. Shpenzimet e nevojshme për shuarjen e zjarreve përballohen nga organi, që ka në pronësi
pyllin ose kullotën, dhe nga Buxheti i Shtetit, në rastin e një prone private me rëndësi kombëtare,
historike, kulturore, arkeologjike, ekologjike etj.
9. Organet e shërbimit pyjor, në bashkëpunim me bashkitë dhe me strukturat e shërbimit për
mbrojtjen nga zjarri dhe të shpëtimit, organizojnë punën për parandalimin e zjarrit në fondin pyjor
kombëtar.
Rregullat për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në pyje dhe në kullota, si dhe për krijimin e
njësive të shuarjes së zjarreve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
10. Në zonat pyjore, të caktuara për çlodhje, argëtim, turizëm dhe për pritjen e publikut,
organet e shërbimit pyjor caktojnë vendqëndrimet dhe rrugët e lëvizjes, si dhe vendet ku mund të
lejohet ndezja e zjarreve.
11. Në fondin pyjor kombëtar mbrohen dhe janë të patjetërsueshme të gjitha veprat
hidroteknike (pritat malore, gardhet, pendat), burimet ujore, liqenet natyrore, kënetat e lagunat,
përrenjtë e përroskat, veprat e ujit, koritat e ngrehinat e ndërtuara etj., të cilat krijojnë një kompleks të
domosdoshëm natyror e të harmonizuar me pyjet e tokën pyjore.
12. Procedurat, rregullat, pagesa për mbrojtjen e fondit pyjor privat nga Policia Pyjore dhe
marrëveshja tip caktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për pyjet.
Neni 21
Rehabilitimi dhe përdorimi i fondit pyjor kombëtar
(ndryshuar pika 12, me ligjin nr.9533, datë 15.5.2006)
1. Punimet mbrojtëse dhe ripërtëritëse në fondin pyjor kombëtar kryhen për të parandaluar ose
kufizuar veprimet shkatërruese në pyll.
2. Masa për zhvillimin dhe kryerjen e punimeve mbrojtëse e ripërtëritëse ndërmarrin edhe
pronarët, për drurët pyjorë, që ndodhen në tokat pyjore, në tokat bujqësore, në afërsi të pyllit, si dhe
për drurët, që ndodhen jashtë fondit pyjor kombëtar.
3. Rritja e prodhimtarisë së fondit pyjor kombëtar, nëpërmjet ripërtëritjes së pyjeve të
shfrytëzuara, përmirësimit të pyjeve ekzistuese, zbatimit të punimeve të mirëmbajtjes dhe atyre
sanitare, në përputhje me funksionin e pyjeve, të nevojave ekonomike dhe të shtimit të sipërfaqes së
fondit pyjor kombëtar, nëpërmjet pyllëzimit të tokave bujqësore, të braktisura e të pandara, të vendeve
të zhveshura e të gërryera, të tokave ranore e zhavorrishte e të tjera të kësaj kategorie, është detyrë e
administruesve dhe e përdoruesve të këtyre tokave.
4. Rehabilitimi i ekosistemeve pyjore, kullosore, i tokave pyjore të degraduara e të braktisura,
i peizazhit pyjor, i habitateve të florës e faunës së egër, kryhet nën drejtimin e strukturave të organeve
të shërbimit pyjor.
5. Ruajtja e ekuilibrit mjedisor, nëpërmjet ruajtjes ekologjike në ndërhyrjet në ekosistemet
pyjore e kullosore dhe përdorimi i standardeve bashkëkohore për përtëritjen e tyre dhe të mjedisit
natyror, është detyrë e organeve të shërbimit pyjor, e bashkive dhe e pronarëve privatë.
6. Rehabilitimi i terreneve të degraduara kryhet nëpërmjet nxitjes dhe mbështetjes së
agropylltarisë në pronat publike dhe private.
7. Shpenzimet dhe sigurimi i mjeteve e i pajisjeve për mbrojtjen e fondit pyjor kombëtar nga
zjarret, ndotjet dhe për luftimin e sëmundjeve, të insekteve e të barërave të këqija dhe parazitare
përballohen nga Buxheti i Shtetit, në bazë të kritereve të caktuara nga Këshilli i Ministrave.
13
8. Nuk lejohen grumbullimi dhe shitja e prodhimeve drusore e jodrusore jashtë mundësive të
tyre prodhuese e biologjike. Në raste të emergjencës për përballimin e fatkeqësive e të katastrofave
natyrore, sasitë që do të përdoren për grumbullimin dhe shitjen e këtyre prodhimeve, jashtë mundësisë
prodhuese e biologjike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Krasitja për gjethe, kullotja e bagëtisë dhe kositja apo grumbullimi i barit në fondin pyjor
publik bëhen me leje të organeve të shërbimit pyjor, ndërsa për pyjet në përdorim të bashkive e nga
administrata e saj, kundrejt pagesës përkatëse.
10. Kullotja dhe kalimi i bagëtive në pyjet publike, në pyllëzimet e reja, në ngastrat pyjore të
shfrytëzuara a në ripërtëritje e sipër, në pyjet e ricunguara, në pyjet mbrojtëse e me funksion të
veçantë, në rezervatet e gjuetisë e të mbarështimit të faunës së egër, si dhe në ato të farërave kryhen
në përputhje me rregullat e caktuara nga ministria përgjegjëse për pyjet.
11. Gërmimet në fondin pyjor, publik e privat, dhe në rrjetin e përrenjve për të nxjerrë humus,
gurë, rërë, zhavorr, plisa bari ose të tjera si këto, vendosja e kaminave të qymyrit të drurit dhe e eshkës
së kovaçit, të furrave të gëlqeres apo hapja e guroreve bëhen me leje të organeve të shërbimit pyjor
dhe të institucioneve të tjera, të ngarkuara me ligj të veçantë, në kohën dhe vendin e caktuar, kundrejt
pagesës.
12. Ministria përgjegjëse për pyjet jep lejen për ushtrimin e veprimtarive në fondin pyjor, duke
bashkërenduar punën me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila, në përputhje me
dispozitat ligjore në fuqi, ka të drejtë të pajisë subjektet fizike e juridike me lejet përkatëse të ushtrimit
të veprimtarive në fushën që mbulon.
13. Qëndrimi i automjeteve, vendosja e rulotave dhe qëndrimi i kafshëve në pyjet me funksion
mbrojtës e të veçantë, në rezervatet e mbarështimit të florës e faunës së egër, në fidanishtet pyjore ose
në vendet e tjera të fondit pyjor, me rëndësi të veçantë, bëhen sipas rregullave të caktuara nga ministri
përgjegjës për pyjet.
14. Lejimi i ndërtimeve të thjeshta, jo me karakter tregtar, i ngrehinave, i gardhimeve dhe
kufizimi i lëvizjeve të vizitorëve, brenda territoreve të rrethuara të pjesëve të fondit pyjor publik dhe të
atyre të deklaruara me funksion mbrojtës e të veçantë, kryhet në përputhje me rregullat e përcaktuara
nga ministri përgjegjës për pyjet.
15. Vendosja në fondin pyjor publik e kampingjeve, e çadrave dhe e strehimeve të lëvizshme
(rulotat) ose e objekteve të tjera të kësaj natyre bëhet në vendet e caktuara nga organet e shërbimit
pyjor.
16. Organet e shërbimit pyjor, kur vërejnë se bimët dhe prodhimet pyjore janë të infektuara
nga parazitë karantinorë dhe se janë kryer shkelje të dispozitave ligjore bëjnë menjëherë bllokimin dhe
njoftojnë jo vetëm pronarin ose përdoruesin, por edhe eprorët për arsyet e bllokimit.
17. Pjesë apo ekonomi pyjore lejohen të trajtohen edhe për mbarështimin e faunës së egër dhe
për ushtrimin e veprimtarisë turistike e të gjuetisë sportive.
18. Personat juridikë e fizikë, të cilët kryejnë veprimtari të lejuara në fondin pyjor publik,
pavarësisht nga kontratat që kanë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, janë të detyruar të lidhin kontratë
mirëmbajtjeje dhe përdorimi të zonave të gjelbra pyjore, në përputhje me studimet e miratuara nga
KRRTRSH-ja, në bashkërendim me organet e shërbimit pyjor, për sipërfaqen pyjore a kullosore të
zënë me ndërtime dhe për territorin që përdorin apo që kanë me qira.
Për administrimin e fondit pyjor, brenda sipërfaqes së miratuar për zhvillimin e turizmit,
subjekti përkatës lidh marrëveshje për shërbimet dhe mirëmbajtjen e këtij fondi me ministrinë
përgjegjëse për pyjet për ruajtjen nga dëmtimet dhe prerjet e paligjshme, nga sëmundjet dhe insektet,
nga zjarret, si dhe për llojin e pemëve të reja që do të mbillen në territorin e caktuar.
Tarifat për shërbimet e mësipërme përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
19. Agjencitë turistike dhe të udhëtimit, që kryejnë veprimtari turistike në fondin pyjor publik,
në zonat pyjore të lejuara nga organet e shërbimit pyjor, zbatojnë parimet mjedisore dhe rregullat
kombëtare e ndërkombëtare në këtë fushë dhe kujdesen që turistët të respektojnë kodet e sjelljes në
natyrë.
20. Kryerja e manovrave ushtarake në fondin pyjor publik bëhet pas vlerësimit të ndikimit në
mjedis të këtyre manovrave, me leje të organeve të shërbimit pyjor dhe të agjencive rajonale të
mjedisit, në të cilën përcaktohen kushtet për zvogëlimin e efekteve të dëmshme në mjedisin pyjor.
14
Neni 22
Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor kombëtar
1. Pyjet në territorin e Republikës së Shqipërisë janë pasuri kombëtare. Shteti garanton me
këtë ligj barazinë e marrëdhënieve të pronësisë në fondin pyjor kombëtar.
2. Administrimi, zhvillimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi i fondit pyjor kombëtar janë detyra të
strukturave të organeve të shërbimit pyjor, të pronarëve, të institucioneve të tjera shtetërore dhe të
organeve të pushtetit vendor.
3. Qeverisja dhe administrimi i fondit pyjor kombëtar (publik, në përdorim a në pronësi të
bashkive dhe privat) bëhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
4. Fondi pyjor publik, vendor a privat, administrohet e trajtohet sipas planeve të mbarështimit,
të inventarizimit dhe të funksioneve të këtij fondi.
5. Të gjithë pronarët, administruesit, qiramarrësit dhe përdoruesit e fondit pyjor kombëtar e të
tokës pyjore detyrohen të kujdesen, vazhdimisht, për trajtimin dhe zhvillimin e fondit pyjor kombëtar
dhe për mbrojtjen e mjedisit pyjor.
6. Administrimi, shtimi dhe trajtimi shkencor i pyjeve mbrojtëse dhe i atyre me funksion të
veçantë, pavarësisht ku ndodhen, i drurëve e i shkurreve me vlera të veçanta, i bimëve mjekësore e
tanifere, brenda fondit pyjor publik dhe atij vendor, bëhen nën kujdesin e organeve të shërbimit pyjor.
7. Krijimi i pyjeve të reja, ngritja e zonave të reja apo zgjerimi i zonave ekzistuese pyjore
kryhen në mbështetje të projekteve dhe me leje të organeve të shërbimit pyjor.
8. Drurët, grumbujt e drurëve e të shkurreve, parqet dhe lulishtet në qytete, në qendra të
banuara e në qendra prodhimi mbrohen dhe trajtohen nga pronarët e tyre të ligjshëm.
9. Sipërfaqet dhe objektet në pronësi private, të cilat përfshihen në fondin pyjor publik,
mbeten pronë e pronarit të ligjshëm. Ato administrohen e përdoren prej tij dhe në rastet kur do të
zhvillohen veprimtari në to, menaxhohen sipas kërkesave të planit të mbarështimit pyjor.
10. Shteti nxit nismat individuale a kolektive për ripyllëzimin e tokave të braktisura, të
zhveshura, të shpyllëzuara dhe të gërryera, nëpërmjet sistemit të kredive lehtësuese, të përdorimit
afatgjatë, deri në privatizimin e tyre.
11. Çdo vit, në Buxhetin e Shtetit planifikohen fonde për investime, për rimëkëmbjen e
integritetit ekologjik të pyjeve e të kullotave, për ruajtjen dhe përmirësimin e ekosistemeve, të
habitateve, të gjendjes mjedisore dhe të biodiversitetit pyjor.
Neni 23
Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor në pronësi të bashkive
(ndryshuar pika 1, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Administrimi dhe zhvillimi i pyjeve vendore apo i pjesëve të tyre bëhen nga bashkitë, sipas
planeve të mbarështimit dhe të dispozitave të këtij ligji.
2. Për një administrim të qëndrueshëm e shumëfunksional të fondit pyjor vendor, për
rregullimin e përdorimit e të shfrytëzimit të pyjeve, të kullotave dhe të burimeve të tjera pyjore e
jopyjore, për mbrojtjen nga zjarri, dëmtuesit etj., brenda territorit administrativ të bashkive, krijohen
njësitë tekniko-administrative, në varësi të drejtpërdrejtë të organeve të qeverisjes vendore. Strukturat
e ministrisë përgjegjëse për pyjet ndihmojnë, kontrollojnë, këshillojnë dhe sigurojnë mbështetjen
teknike për këto njësi dhe për shoqatat e përdoruesve të pyjeve.
3. Organet e qeverisjes vendore kanë për detyrë të marrin masa dhe të planifikojnë fonde për
investimet në pyjet, në territorin që ata mbulojnë, për përmirësimin dhe planifikimin e mbledhjes e të
promovimit të pajisjeve të reja të përpunimit dhe të tregtimit të prodhimeve pyjore, si dhe për krijimin
e sektorit të agropylltarisë.
4. Shteti mbështet nismat individuale a kolektive të bashkive për shtimin e sipërfaqes së
pyjeve, për ripyllëzimin e tokave të braktisura, të zhveshura, të shpyllëzuara dhe të gërryera, në
pronësi të tyre, nëpërmjet sistemit të kredive me kushte lehtësuese.
5. Bashkia, çdo vit, nga të ardhurat e realizuara planifikon fonde për ruajtjen, mirëmbajtjen,
kryerjen e punimeve silvikulturore dhe përgjigjet për trajtimin shkencor të tyre.
6. Vjelja e materialit drusor dhe e prodhimeve të tjera nga pyjet vendore bëhet në përputhje
15
me këtë ligj.
7. Kriteret e transferimit dhe përdorimit të pyjeve nga bashkitë përcaktohen me vendim të
Këshillit të Ministrave.
Neni 24
Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor privat
1. Administrimi dhe zhvillimi i fondit pyjor privat bëhen nga pronarët, në përputhje me planet
e thjeshta të mbarështimit, të miratuara nga shërbimi pyjor.
2. Pronari privat nuk mund të vendosë e të kryejë një shndërrim të pyjeve, të kulturave pyjore
apo të ndryshojë zërin kadastral, në pronën pyjore të tij, pa marrë, paraprakisht, miratimin e organit
përkatës të shërbimit pyjor.
3. Shteti, brenda mundësive, mjeteve e fondeve që ka, mbështet plotësimin e nismës dhe të
përgjegjësive private, individuale e kolektive, për zgjerimin e sipërfaqes së pyjeve private, për
mirëmbajtjen dhe përmirësimin e burimeve pyjore dhe për krijimin e fermave private pyjore.
4. Administrimi dhe zhvillimi i pyjeve, i drurëve pyjorë apo i grumbujve pyjorë të veçuar, në
pronësi të komuniteteve fetare, bëhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
5. Vjelja e materialit drusor dhe e prodhimeve të tjera nga pyjet private bëhet në përputhje me
dispozitat e këtij ligji.
Neni 25
Pyjet me funksion mbrojtës dhe të veçantë
1. Pyjet, drurët dhe pjesët e fondit pyjor publik, të shpallura me funksion mbrojtës e të veçantë
(mbrojtës të klimës, tokës, ujërave, ajrit, të elementeve higjieno-shëndetësorë, me funksion të veçantë
pushimi, çlodhjeje, edukimi, turizmi, estetikë, kërkimore dhe shkencore, mbrojtës të natyrës dhe
trashëgimisë natyrore e kulturore), ruhen, zhvillohen, mbarështohen dhe administrohen, në përputhje
me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit “Për trashëgiminë kulturore”.
2. Kriteret për shpalljen e pyllit me funksion mbrojtës ose të veçantë përcaktohen me urdhër të
ministrit përgjegjës për pyjet.
3. Në pyjet apo në ato pjesë të fondit pyjor kombëtar, me funksion mbrojtës ose të veçantë,
kryhen punime përkujdesjeje dhe të prerjeve sanitare, në mbështetje të projekteve të hartuara dhe pas
miratimit nga organet e shërbimit pyjor.
4. Pyjet private ose pjesë të tyre mund të përfshihen në listën e pyjeve dhe të pjesëve të fondit
pyjor kombëtar, me funksion mbrojtës ose të veçantë, pas marrjes me shkrim të mendimit të pronarit të
tyre të ligjshëm.
5. Ministria përgjegjëse për pyjet publikon listën e pyjeve dhe të pjesëve të fondit pyjor
kombëtar, me funksion mbrojtës ose të veçantë.
KREU VI
TRAJTIMI, SHFRYTËZIMI DHE SHITJA E MATERIALIT DRUSOR DHE E PRODHIMEVE
PYJORE E JOPYJORE
Neni 26
Trajtimi dhe shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar
(ndryshuar pikat 2, 3 e 4, shtuar pikat 15 e 16, me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007, ndryshuar pika 2 me
ligjin nr.9989, datë 15.9.2008, shtuar pika 17, me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009, shfuqizuar pika 6
dhe ndryshuar pika 9 me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Shfrytëzimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera pyjore dhe jopyjore lejohet në
fondin pyjor shtetëror, vendor ose privat, për qëllime të përfitimit ekonomik dhe vetëm nëpërmjet
kryerjes së punimeve të parashikuara në planet e mbarështimit.
2. Personat fizikë dhe juridikë mund ta trajtojnë dhe shfrytëzojnë fondin pyjor kombëtar vetëm
kur kanë dalë fitues në procedurat e konkurrimit publik dhe kur lidhin kontratën me drejtorinë
16
përkatëse të shërbimit pyjor ose me bashkitë. Kërkesat, që duhet të plotësojnë subjektet për
pjesëmarrje në konkurrimin publik, përcaktohen me udhëzim të ministrit. Të drejtat, që sigurohen nga
kontrata për trajtimin dhe shfrytëzimin e fondit pyjor kombëtar, nuk mund t’u transferohen të tretëve.
Subjektet, që kanë lidhur kontratën, mund të ndërtojnë ose të vendosin instalime të përkohshme, sipas
skemave teknologjike, të miratuara nga struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki.
3. Materiali drusor, që shfrytëzohet çdo vit nga fondi pyjor kombëtar, caktohet brenda
mundësive vjetore të trajtimit dhe shfrytëzimit të pyjeve, të përcaktuara në planet e mbarështimit,
ndërsa në pyjet, me funksion mbrojtës e të veçantë, lejohet vetëm në rastet kur kryhen punimet e
përkujdesjes dhe të prerjeve sanitare.
4. Shfrytëzimi i ngastrave dhe i nënngastrave lejohet vetëm kur kërkohet teknikisht, në rastet e
prerjeve farore, dritësuese, përfundimtare apo prerjet në pyjet e dëmtuara nga katastrofat natyrore apo
zjarret, nën kontrollin e organeve të shërbimit pyjor.
5. Sipërfaqet e pyjeve të larta përshkohen me prerje kulturore, sipas fazës së zhvillimit, në të
cilën gjenden, dhe të kërkesave të silvikulturës.
6. Shfuqizuar.
7. Vjelja e prodhimeve pyjore në pyjet private kryhet në përputhje me dispozitat e këtij ligji
dhe të akteve të tjera nënligjore, duke mos cenuar mbrojtjen e tokës dhe të elementeve klimatike,
ekologjike e shoqërore. Pronari, paraprakisht, duhet të sigurojë lejen përkatëse dhe damkimin e
drurëve prej organeve të shërbimit pyjor.
8. Krijimi i rezervave strategjike të lëndës drusore në këmbë dhe ruajtja e trajtimi i pyjeve të
virgjra ose pothuajse të virgjra, duke i kaluar në konservim të plotë, bëhen në përputhje me kriteret
dhe procedurat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Strukturat përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki çdo vit hartojnë dhe dërgojnë për
miratim në ministrinë përgjegjëse për pyjet planin e shfrytëzimit të pyjeve dhe të prodhimeve të dyta
pyjore e jopyjore. Drejtoria përkatëse e ministrisë përgjegjëse për pyjet kontrollon zbatimin e këtij
plani.
10. Shfrytëzimi i fondit pyjor kombëtar organizohet në bazë të vitit pyjor, i cili fillon në datën
1 tetor.
Këshilli i Ministrave cakton kriteret dhe rregullat e shfrytëzimit të pyjeve dhe të shitjes së
materialit drusor e të prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore.
11. Prerja e drurëve pyjorë në fondin pyjor kombëtar bëhet pas shënimit të tyre me damkë të
veçantë nga organet e shërbimit pyjor. Ministri përgjegjës për pyjet, me udhëzim të veçantë, përcakton
mënyrën e përdorimit, madhësinë dhe formën e çekiç-damkës.
12. Në trajtimin dhe shfrytëzimin e fondit pyjor publik përdorimi i standardeve për prerjet
vjetore të lejueshme, ciklet e prerjeve, teknikat e shfrytëzimit dhe infrastruktura janë të detyrueshme.
13. Operacionet e trajtimit dhe të shfrytëzimit të pyjeve synojnë mbrojtjen e mjedisit pyjor e të
biodiversitetit.
14. Grumbullimi i prodhimeve të dyta pyjore, si rrënjë shqope, mareje, bushi etj., i thuprave të
shelgut, frashërit, vërrit etj., i rrëshirës së pishës, i halave e gjetheve, i rrënjëve e lëvores, i luleve,
frutave pyjore e sythave, i bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere, i kërpudhave dhe i
nënprodhimeve të tjera pyjore e jopyjore, u lejohet personave juridikë e fizikë, të pajisur me lejen
përkatëse, të lëshuar nga organet e shërbimit pyjor dhe në mbështetje të kritereve dhe të
kontingjenteve të caktuara nga ministria përgjegjëse për pyjet.
15. Kur subjekti privat i specializuar kërkon të ndërtojë, me shpenzimet e veta, rrugën, për
shfrytëzimin e ngastrave e të nënngastrave pa rrugë autopyjore, drejtoria përkatëse pyjore kompenson
shpenzimet për ndërtimin e rrugës, duke bërë korrektimin e tarifave bazë, në varësi të investimeve të
kryera për m3 lëndë drusore në këmbë. Në këto raste, subjekti gëzon të drejtën e shfrytëzimit të tyre
deri në prerjet përfundimtare, të përcaktuara në planet e mbarështimit.
16. Kur subjekti privat i specializuar kërkon të marrë sipërfaqe të gjëra nga fondi pyjor, për
afate të gjata kohore për të rehabilituar pyjet, kërkesa shqyrtohet, në mbështetje të dispozitave të ligjit
nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet.”
17. Dhënia në përdorim e të mirave publike, sipas këtij neni, nëse është kompetencë e
institucioneve qendrore, përfshihet në kategorinë III.4 të shtojcës së ligjit për licencat dhe bëhet sipas
ligjit për licencat ose sipas dispozitave të parashikuara në këtë nen dhe në nenet në vijim të këtij ligji.
17
Këshilli i Ministrave vendos për përdorimin e njërës nga këto dy mënyra, sipas ndarjes në nënkategori.
Neni 26/1
(shtuar me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009)
Veprimtaritë e shfrytëzimit në fondin pyjor, përveçse kur kryhen nga banorët dhe për nevojat
e tyre, sipas këtij ligji, mund të realizohen vetëm nga individë të certifikuar, në përputhje me
procedurat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Kur këto veprimtari kryhen nga subjekte, juridike ose
fizike, tregtare, u nënshtrohen licencimit dhe përfshihen në kategorinë III.7, të shtojcës së ligjit për
licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive bëhet sipas ligjit për licencat.
Neni 27
Shitja e materialit drusor dhe e prodhimeve pyjore e jopyjore
(ndryshuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007, ndryshuar pika 5 dhe 7, me ligjin nr.9989, datë
15.9.2008)
1. Shitja e materialit drusor në pyjet publike bëhet nga organet e shërbimit pyjor, me ankand,
në dy mënyra:
a) në formën e asortimenteve të gatshme, në anë të rrugës ose në sheshet e depozitimit;
b) në këmbë (të paprera).
2. Ankandet për shitjen e asortimenteve të gatshme në anë të rrugës, të prodhuara nga
subjektet private, për llogari të shërbimit pyjor, zhvillohen vetëm për pyjet e reja kur trajtohen me
prerje kulturale, me rallime, të tipit I e II, si dhe për zonat e mbrojtura, në varësi të nevojave të
trajtimit të ngastrave e nënngastrave pyjore, të fondeve të planifikuara për këtë qëllim dhe të kërkesave
të tregut.
3. Shfrytëzimi dhe prodhimi i asortimenteve të gatshme dhe magazinimi i tyre në anë të rrugës
apo në sheshe depozitimi realizohen nga subjekte private, të përzgjedhura, nëpërmjet tenderave, të
organizuara nga organet e shërbimit pyjor, në përputhje me rregullat dhe procedurat e legjislacionit në
fuqi. Tenderat zhvillohen për ngastrat dhe nënngastrat, për të cilat janë përgatitur projektet teknikoekonomike të trajtimit apo të shfrytëzimit dhe vetëm në rastet kur garantohen efektiviteti ekonomik,
miradministrimi dhe ruajtja e asortimenteve deri në shitjen e tyre.
4. Ankandet për shitjen e lëndës drusore në këmbë zhvillohen për pyjet e larta trungishte, pyjet
e ulëta cungishte, si dhe për shkurret, që kanë arritur moshën e shfrytëzueshmërisë, sipas fazave të
prerjes, të përcaktuara në planet e mbarështimit.
5. Kërkesat dhe rregullat për vjeljen e materialit drusor dhe shitjen me ankand të lëndës
drusore e të prodhimeve të tjera pyjore e jopyjore përcaktohen me udhëzim të ministrit.
6. Materialet drusore dhe çdo prodhim tjetër me origjinë pyjore, të sekuestruara në qendrat e
përpunimit apo në sheshet e depozitimit dhe të tregtimit, ruhen nga subjektet, të cilave u janë
sekuestruar, deri në shitjen e tyre nga organet e shërbimit pyjor.
7. Materiali drusor, i përpunuar ose i papërpunuar, si dhe prodhimet e tjera pyjore e jopyjore
transportohen nga pikat e grumbullimit dhe qendrat e përpunimit deri në destinacionin përfundimtar, të
shoqëruara me një vërtetim transporti, të lëshuar nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor, nga
bashkitë ose nga pronari privat, ku vërtetohet prodhimi i tyre, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Modeli i vërtetimit të transportit miratohet nga ministri.
KREU VI/I
MONITORIMI DHE TË DHËNAT
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
Neni 27/1
Monitorimi i pyjeve
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
Monitorimi i pyjeve, që përfshin monitorimin e treguesve cilësorë dhe sasiorë të tyre, të
18
biodiversitetit në pyje, të dukurive natyrore dhe të ndotjes e të dëmtimit të tyre, është proces i
përhershëm dhe i detyrueshëm.
Neni 27/2
Programi i monitorimit
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Në bashkëpunim me organet qendrore dhe vendore, me Fakultetin e Shkencave Pyjore e me
shoqatat e përdoruesve të pyjeve, ministria harton programin e monitorimit të pyjeve, si dhe
bashkërendon e kontrollon punën për zbatimin e tij. Ministri miraton programin e monitorimit.
2. Programi i monitorimit të pyjeve përcakton treguesit e cilësisë së pyjeve, të biodiversitetit,
të zhvillimit të ndotjes dhe dëmtimit, të dukurive natyrore, mënyrat e matjeve, të përpunimit të të
dhënave, si dhe raportimin e botimin e tyre.
Neni 27/3
Sistemi i të dhënave
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Për të siguruar grumbullimin, përpunimin dhe botimin e të dhënave për pyjet, Agjencia e
Mjedisit dhe Pyjeve, në bashkëpunim me strukturat menaxhuese të pyjeve, me Policinë Pyjore, me
qeverisjen vendore, me Fakultetin e Shkencave Pyjore e me shoqatat e përdoruesve të pyjeve, krijon
sistemin e të dhënave, të domosdoshme për monitorimin e pyjeve.
2. Sistemi i të dhënave përmbledh tërësinë e treguesve shifrorë, të matshëm e të
numërueshëm, që qartësojnë gjendjen e pyjeve dhe prirjet e proceseve që zhvillohen në to.
3. Në krijimin dhe përsosjen e sistemit të të dhënave, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve synon
përafrimin e plotë të tij me sistemet që përdor FAO-ja dhe që përcaktohen në direktivat e BE-së.
Neni 27/4
Grumbullimi i të dhënave
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Të dhënat për monitorimin e pyjeve kërkohen, hartohen dhe paraqiten sipas rregullave të
miratuara me udhëzim të ministrit. Personat fizikë e juridikë, publikë dhe privatë, paraqesin të dhënat
brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës.
2. Të dhënat shoqërohen me shpjegime për interpretimin e tyre, me rekomandime për
zgjidhjen e problemeve që dalin dhe dorëzohen në Agjencinë e Mjedisit dhe Pyjeve, në përputhje me
formatin që ajo kërkon.
3. Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve kontrollon cilësinë e monitorimit, të matjeve, zbatimin e
metodikave, kualifikimin e specialistëve që marrin pjesë, pajisjet e përdorura dhe vërtetësinë e
rezultateve.
Neni 27/5
Informimi dhe botimi i të dhënave
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve përpunon dhe dërgon për botim të dhënat dhe rezultatet që
dalin prej tyre, në media dhe shtyp, në një formë të kuptueshme për publikun.
2. Në bazë të të dhënave dhe të rezultateve të monitorimit, Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, në
bashkëpunim me strukturat menaxhuese, harton dhe boton raportin vjetor për gjendjen e pyjeve.
Përpunimi dhe botimi i të dhënave për vitin pararendës bëhen brenda tremujorit të parë të vitit
pasardhës.
3. Publiku dhe organizatat jofitimprurëse informohen për gjendjen e pyjeve, nëpërmjet botimit
të të dhënave nga strukturat menaxhuese të pyjeve, nga Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, nga organet e
qeverisjes vendore, si dhe duke kërkuar të dhëna pranë këtyre organeve.
19
4. Rregullat dhe procedurat për informimin e botimin dhe shpërndarjen e të dhënave janë sipas
legjislacionit në fuqi.
Neni 27/6
Tërheqja në vendimmarrje
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Gjatë procesit të vendimmarrjes për pyjet, organet shtetërore, qendrore dhe vendore,
sigurojnë pjesëmarrje dhe rol aktiv të komunitetit, të shoqatave të përdoruesve të pyjeve dhe të
organizatave jofitimprurëse.
2. Ministri miraton rregullat e procedurat, që realizojnë pjesëmarrjen e publikut në
vendimmarrjet e strukturave menaxhuese.
Neni 27/7
Shoqatat e përdoruesve të pyjeve
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Në procesin e zbatimit të këtij ligji, strukturat e menaxhimit të pyjeve dhe organet e
qeverisjes vendore përfshijnë edhe shoqatat e përdoruesve të pyjeve.
2. Ministri përcakton rregullat dhe procedurat për përfshirjen e shoqatave, sidomos në
hartimin, miratimin dhe zbatimin e:
a) strategjive, të planeve të veprimit dhe të programeve të zhvillimit të pyjeve;
b) planeve të mbarështimit e të programeve të monitorimit të pyjeve;
c) projektakteve normative për pyjet.
3. Përfaqësues të shoqatave të përdoruesve të pyjeve marrin pjesë në borde e komisione, që
krijohen për administrimin dhe mbrojtjen e pyjeve, në nivel vendor dhe qendror.
Neni 27/8
Lidhjet me biznesin
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
Lidhjet me biznesin realizohen në rrugë institucionale, nëpërmjet dhomave të tregtisë dhe të
industrisë, si dhe të organizatave profesionale të biznesit, të cilat paraqesin pikëpamjet e veta për
hartimin dhe zbatimin e programeve të administrimit, të zhvillimit, të mbrojtjes e të shfrytëzimit të
pyjeve.
KREU VII
BURIMET FINANCIARE DHE PËRDORIMI I TYRE
Neni 28
Funksionimi dhe përgjegjësitë financiare për pasurinë pyjore e kullosore
Shërbimi pyjor funksionon në përputhje me ligjin organik të Buxhetit të Shtetit dhe është
përgjegjës për administrimin e pasurisë dhe të të ardhurave të realizuara nga veprimtaria ekonomike në
sektorin e pyjeve e të kullotave, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve të tjera ligjore e
nënligjore në fuqi.
Neni 29
Burimet financiare
Burimet financiare të shërbimit pyjor sigurohen nga:
a) Buxheti i Shtetit;
b) burime të brendshme;
20
c) donacione e grante të ndryshme.
Neni 30
Përdorimi i burimeve financiare
Burimet financiare të krijuara sipas nenit 32 përdoren për:
a) investime në sektorin e pyjeve dhe të kullotave;
b) mbrojtjen e faunës dhe të biodiversitetit të pyjeve dhe të kullotave;
c) parandalimin e sëmundjeve, të dëmtuesve dhe të zjarreve në pyje dhe kullota;
ç) kërkime shkencore në pyje dhe kullota;
d) krijimin e kushteve për kryerjen e veprimeve turistike dhe çlodhëse;
dh) shpërblimin e punonjësve për gjobat dhe sekuestrot e vendosura dhe të vjela sipas
kritereve të caktuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 31
Ndarja e burimeve financiare
(ndyshuar me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
Burimet financiare, të krijuara sipas nenit 32, të ligjit, derdhen 100 për qind në buxhetin e bashkisë.
Neni 32
Bazueshmëria ligjore e burimeve fianciare
Sigurimi dhe përdorimi i të gjitha llojeve të burimeve financiare bëhen në përputhje me aktet
ligjore e nënligjore në fuqi.
Neni 33
Të ardhurat e siguruara nga pyjet vendore
(shfuqizuar me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
Neni 34
Tarifat në fondin pyjor publik
(ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Tarifat për të gjitha veprimtaritë, që zhvillohen në sektorin e pyjeve dhe të kullotave, për
shërbimet publike e mjedisore, që zhvillohen në fondin pyjor publik, si dhe ato të vlerësimit të dëmeve
në pyje miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Organi përgjegjës për vjeljen e të ardhurave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave është
struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki.
KREU VIII
KËRKIMI SHKENCOR NË FONDIN PYJOR KOMBËTAR
Neni 35
Veprimtaritë kërkimore e shkencore
1. Veprimtaritë kërkimore e shkencore në fondin pyjor kombëtar, për pyjet e tokat pyjore,
kullotat, gërryerjet, pyllëzimet e përmirësimet, ripërtëritjen natyrore e problemet gjenetike, farërat e
fidanët pyjorë, zjarret dhe luftimin e sëmundjeve e të dëmtuesve, florën e faunën e egër, bimët
mjekësore e tanifere natyrore, përgatitjen dhe zbatimin e programeve të monitorimit për zhvillimin e
qëndrueshëm të pyjeve kryhen nga personat fizikë e juridikë, të cilët plotësojnë kërkesat dhe kushtet
për zhvillimin e veprimtarive kërkimore e shkencore.
2. Zhvillimi i veprimtarive kërkimore e shkencore, të parashikuara në pikën 1 të këtij neni,
kryhet brenda fushave përkatëse të sektorit të pyjeve dhe të kullotave, në mbështetje të programeve
21
kërkimore-shkencore kombëtare.
3. Institucionet kërkimore, studimore dhe shkencore në fushën e pyjeve e të kullotave
sigurojnë konsulencë, oponencë dhe asistencë teknike për ministrinë përgjegjëse për pyjet, në aspekte
të veçanta, brenda fushës së veprimtarisë së tyre.
4. Ministri përgjegjës për pyjet dhe ministri përgjegjës për shkencën harmonizojnë
programimin dhe zbatimin e punës kërkimore në pyje e kullota, si dhe paraqesin kërkesat për buxhetin
përkatës.
Neni 36
Bazat prodhuese dhe eksperimentale
të zhvillimit dhe kualifikimit
1. Bazat prodhuese, eksperimentale, të ekstensionit, si për kërkimin shkencor dhe për
kualifikimin e nxënësve e të studentëve, të punëtorëve, të specialistëve të pyjeve dhe të fushave të tjera
në sektorin pyjor dhe për mjedisin në tërësi ngrihen me miratimin me shkrim të ministri përgjegjës për
pyjet, në bazë të kërkesës së institucioneve kërkimore e pedagogjike.
2. Grumbujt e drurëve dhe të llojeve pyjore, të caktuara për konservim, germoplazmë, in situ
dhe ex situ, për grumbullim, përpunim, shpërndarje dhe certifikim të materialit mbjellës,
administrohen nga shërbimi pyjor.
KREU IX
PARASHIKIMET NDËSHKIMORE
Neni 37
Përgjegjësitë për moszbatimin e ligjit
(ndryshuar pika 2, dhe shtuar pika 4, me ligjin nr. 36/2013, datë 14.2.2013)
1. Shkeljet e dispozitave ligjore sjellin, sipas rastit, përgjegjësi administrative dhe penale.
2. Inspektorët e Policisë Pyjore, kur vërejnë shkeljen e këtyre dispozitave, mbajnë
procesverbal, në përputhje me kërkesat e ligjit për inspektimin.
3. Të drejtën e vendosjes së gjobës për kundërvajtjet administrative, të parashikuara në nenin
38 të këtij ligji, e kanë inspektorët e Policisë Pyjore.
4. Punonjësit e tjerë të shërbimit pyjor, punonjësit e pushtetit vendor që mbulojnë pyjet dhe
pronarët privatë, në rastet kur konstatojnë shkelje të dispozitave të këtij ligji, janë të detyruar të
njoftojnë menjëherë Policinë Pyjore për të kryer procedurat e nevojshme.
Neni 38
(ndryshuar me ligjin nr. 9791, datë 23.7.2007 ndryshuar pikat 1, 2 dhe 3, me ligjin nr. 36/2013, datë
14.2.2013)
1. Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative
dhe dënohen me gjobë si me poshtë:
a) prerja pa leje e pyjeve, e pyjeve të reja, e filizërisë dhe e fidanishteve, si dhe dëmtimi i tyre
e i tokës pyjore, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 80 000 ( tetëdhjetë mijë) deri në
100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) prerja e drurëve pa damkën e organeve të shërbimit pyjor, kur pasojat materiale janë të
lehta, dënohet me gjobë 80 000 ( tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
c) përdorimi i paligjshëm i fondit dhe i tokës pyjore dënohet me gjobë 80 000 (tetëdhjetë mijë)
deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ç) prerja pa leje apo dëmtimi i pyjeve, në pronësi private, nga pronarët apo nga subjektet, të
cilave u janë dhënë në përdorim ose me qira, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 30
000 (tridhjetë mijë) deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë;
d) kullotja e bagëtive në pyjet e reja, në pyllëzime, në filizëri e fidanishte, në parcelat
gjenetike e eksperimentale e në pyjet mbrojtëse, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë
22
5 000 (pesë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
dh) grumbullimi i prodhimeve pyjore e jopyjore, si rrëshirë, boçe, hala, gjethe, bar, lëgushë,
humus, plisa, rrënjë e lëvore, lule, fruta, sytha e herbë, kërpudha, bimë mjekësore, eterovajore,
tanifere, patavra, cungje, kucka, fashina, thupra, hunj, bandiera, zhuka e kallamishte, gurë, zhavorr e
rërë, pa lejen përkatëse të organit të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 5 000 ( pesë mijë) deri në 10
000 (dhjetë mijë) lekë;
e) nxjerrja e rrënjëve të shqopës, bushit, maresë dhe prerja e thuprës së shelgut e të llojeve të
tjera të drurëve pyjorë, gjatë periudhës së vegjetacionit, dënohen me gjobë 20 000 (njëzet mijë) deri
në 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë;
ë) krasitja për gjethe dhe kositja e grumbullimi i barit në fondin pyjor, pa lejen e organeve të
shërbimit pyjor, dënohen me gjobë 8 000 (tetë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
f) mbledhja e prodhimeve të dyta pyjore e jopyjore e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere,
e bimëve të rralla e të kërcënuara e të tjera të kësaj natyre, jashtë periudhës teknike të vjeljes e me
mënyra që sjellin degradimin, kërcënimin, rrallimin, zhdukjen apo dobësimin e funksioneve të tyre,
dënohet me gjobë 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
g) ndërhyrjet me punime të ndryshme në ligatinat dhe dunat bregdetare, pjesë përbërëse të
fondit pyjor kombëtar, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë 30 000 (tridhjetë
mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
gj) ndezja e zjarreve jashtë vendeve të caktuara nga organet e shërbimit pyjor dënohet me
gjobë 7 000 (shtatë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
h) prishja apo përdorimi i çekiç-damkës e i damkës nga persona të paautorizuar dhe nga një
zonë pyjore në tjetrën, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë 30 000 ( tridhjetë
mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
i) prishja, fshirja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, gjeodezike e topografike, i tabelave
paralajmëruese apo treguese, të vendosura në fondin pyjor kombëtar, dënohen me gjobë 15 000
(pesëmbëdhjetë mijë) deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë;
j) ndërtimi i furrave të gëlqeres dhe i kaminave të qymyrit të drurit në fondin pyjor, pa
miratimin e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 7 000 (shtatë mijë) deri në 10 000 (dhjetë
mijë) lekë;
k) ngritja e ndërtimeve të thjeshta, gardhimeve, kampingjeve, brenda territoreve të gardhuara
të fondit pyjor dhe të atyre të deklaruara me funksion mbrojtës e të veçantë, në kundërshtim me
rregullat e përcaktuara në këtë ligj, dënohet me gjobë 20 000 (njëzet mijë) deri në 30 000 (tridhjetë
mijë) lekë;
l) hedhja e mbetjeve urbane dhe e inerteve brenda në pyll ose në tokën pyjore dhe jashtë
vendeve të caktuara, kur pasojat materiale janë të lehta, dënohet me gjobë 30 000 (tridhjetë mijë) deri
në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
ll) parkimi i automjeteve, vendosja e rulotave në pyjet me funksion mbrojtës e të veçantë, në
parqet kombëtare, në rezervatet e mbarështimit të florës e të faunës së egër, në fidanishtet pyjore ose
në vendet e tjera të fondit pyjor, me rëndësi të veçantë, pa miratimin e organeve të shërbimit pyjor,
dënohen me gjobë 3 000 (tre mijë) deri në 5 000 (pesë mijë) lekë;
m) ndryshimi i zërit kadastral apo i kulturave pyjore nga pronari privat, pa miratimin e
organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 7 000 (shtatë mijë) deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
n) mosraportimi nga pronari i ndryshimeve përkatëse në fondin pyjor dhe në tokën pyjore,
brenda 6 muajve nga data e vënies re, dënohet me gjobë 3 000 (tre mijë) deri në 5 000 (pesë mijë)
lekë;
nj) transferimi i të drejtave, të siguruara nga leja e ushtrimit të veprimtarisë në fondin pyjor
kombëtar, dënohet me gjobë 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
o) transporti me kamionë i materialit drusor nga pylli dhe prej shesheve të depozitimit për në
qendrat e përpunimit e të shitjes, i pashoqëruar me lejen tip të transportit, dënohet me gjobë 80 000 (
tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
p) mosruajtja e materialit drusor dhe e çdo prodhimi tjetër, me origjinë pyjore, të sekuestruar, i
cili ndodhet në qendrat e përpunimit apo në sheshet e depozitimit e të tregtimit, nga subjektet, të cilave
u është sekuestruar, deri në shitjen e tyre, dënohet me gjobë 8 000 (tetë mijë) deri në 10 000 (dhjetë
mijë) lekë;
23
q) tregtimi ose tjetërsimi i materialeve drusore dhe i prodhimeve të tjera, pyjore e jopyjore të
fondit pyjor kombëtar, pa lejen e organeve të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë 80 000 ( tetëdhjetë
mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
r) tregtimi i materialit drusor dhe i prodhimeve të tjera të pyllit, të infektuara nga sëmundjet,
barërat e këqija e parazitare ose të prekura nga insektet, dënohet me gjobë 30 000 (tridhjetë mijë) deri
në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
rr) mosnjoftimi i inspektoratit për shkeljet e konstatuara nga subjektet e përcaktuara në pikën 4
të nenit 37 përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me 10 000 (dhjetë mijë) lekë gjobë.
2. Kur shkeljet e këtij ligji kanë sjellë pasoja të rënda, Policia Pyjore bën kallëzim penal.
Kriteret për ndarjen e shkeljeve me pasoja të lehta apo me pasoja të rënda caktohen me vendim të
Këshillit të Ministrave.
3. Sipas nevojave të rastit, krahas dënimit kryesor me gjobë, merren edhe masa urgjente në
përputhje me ligjin për inspektimin.
Neni 39
Sekuestrimet
Mjetet dhe gjithçka tjetër, që shërben për kryerjen e kundërvajtjes administrative dhe çdo
përfitim pasuror, i vënë nëpërmjet kundërvajtjes administrative, sekuestrohen dhe kalojnë në llogari të
organeve të shërbimit pyjor.
Neni 40
Vendimi për kundërvajtjet administrative dhe ankimi
(ndryshuar pika 3, me ligjin nr.9533, datë 15.5.2006, ndryshuar me ligjin nr. 36/2013, datë 14.2.2013
dhe nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
1. Vendimi për kundërvajtjet administrative merret nga Policia Pyjore, në zbatim të
legjislacionit në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
2. Ndaj vendimit të dhënë, në zbatim të pikës 1, të këtij neni, bëhet ankim, në përputhje me
legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
3. Procedura e ekzekutimit të vendimit të dënimit me gjobë bëhet në përputhje me ligjin për
kundërvajtjet administrative.
Neni 40/1
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007 dhe nr. 36/2013, datë 14.2.2013)
1. Për çdo rast të kryerjes së kundërvajtjes administrative apo veprës penale në pyje, nga
inspektori vlerësohet edhe dëmi që është shkaktuar.
2. Struktura menaxhuese e sipërfaqeve pyjore, pronë shtetërore, ose bashkia përkatëse që ka
në pronësi sipërfaqen pyjore, në të cilën ka ndodhur kundërvajtja, janë të detyruara të kërkojnë, në çdo
rast, shpërblimin e dëmit nga kundërvajtësi. Këtë të drejtë e gëzon edhe pronari privat për sipërfaqen
në pronësi të tij.
3. Në zbatim të këtij neni, Policia Pyjore njofton subjektet e parashikuara në pikën 2 të këtij
neni për dënimin e konstatuar dhe u përcjell atyre të gjithë praktikën përkatëse.
4. Kriteret dhe mënyra e caktimit të vlerës së dënimit të shkaktuar miratohen me vendim të
Këshillit të Ministrave.
Neni 40/2
Likuidimi i gjobës
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007 dhe shfuqizuar me ligjin nr. 48/2016, datë 5.5.2016)
Neni 40/3
Lidhja e kontratës
(shtuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
Personat juridikë e fizikë, që kanë bërë instalime, ndërtime dhe ushtrojnë veprimtari në fondin
24
pyjor publik, pa lidhur kontrata me drejtorinë përkatëse të shërbimit pyjor, duhet t’i lidhin ato brenda 3
muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Pas këtij afati, Policia Pyjore bën mbylljen e përhershme të
veprimtarive dhe çmontimin e instalimeve.
KREU X
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 41
Shfuqizimi i dispozitave ligjore
Ligji nr.7623, datë 13.10.1992 “Për pyjet dhe Policinë Pyjore”, i ndryshuar, ligji nr.8302, datë
12.3.1998 “Për administrimin e të ardhurave që krijohen në pyje dhe kullota – pasuri shtetërore” dhe
çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Neni 42
Aktet nënligjore
(ndryshuar me ligjin nr.9791, datë 23.7.2007)
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7 pika 4, 9
pika 3, 17 pika 1 shkronja “b” e pika 2, 19 pika 2, 20 pika 9, 21 pika 8, 23 pika 7, 26 pikat 2, 8 e 10,
27 pika 5, 38 pika 2 dhe 40/1 pika 2.
2. Ngarkohet ministri të nxjerrë urdhrat dhe udhëzimet në zbatim të neneve 5 pika 6, 8 pika 2,
16 pikat 5 e 8, 17 pika 1 shkronja “a”, 19 pika 3, 20 pika 12, 25 pika 2, 26 pika 11, 27 pika 7, 27/2
pika 1, 27/4 pika 1, 27/5 pika 4, 27/6 pika 2 dhe 27/7 pika 2.
DISPOZITË KALIMTARE E LIGJIT NR. 36/2013, DATË 14.2.2013
Dispozitë kalimtare
Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri
në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.
DISPOZITË KALIMTARE E LIGJIT NR. 48/2016, DATË 5.5.2016
Dispozitë kalimtare
Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për pyjet, brenda 3 muajve nga data
e hyrjes në fuqi të këtij ligji, miraton transferimin e pyjeve në pronësi të bashkive.
Neni 43
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4591, datë 1.6.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred
Moisiu