Ambasadori i Hungarisë: Projekte konkrete në turizëm dhe ekonomi
Vlora dhe Hungaria duhet të ndërtojnë bazat e një bashkëpunimi afatgjatë, që duhet të përfshijë turizmin, ekonominë dhe fusha të tjera me interes.
Ky bashkëpunim, që i ka themelet në traditat e së shkuarës, në historinë e hershme dhe atë të vonë, duhet të shërbejë si argument për të qenë pranë njëri-tjetrit. Këto u theksuan gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën në Vlorë, mes kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti, Dritan Leli dhe Ambasadorit të Hungarisë në Tiranë, Lorant Balla.
“Jam i dëshiruar për të pasur më tepër hapësira komunikimi, më tepër mundësi bashkëpunimi dhe më tepër mundësi për të zhvilluar projekte në të ardhmen”, theksoi Leli. Ai shprehu gatishmërinë e vet për të ndërtuar bazat e një bashkëpunimi që nisi sot, por që do të vijojë me intensitet në të ardhmen.
“E shkuara mund të shërbejë për të ndërtuar kolonat e bashkëpunimit për të ardhmen” u shpreh Leli, ndërkohë që shtoi se, është e nevojshme të ndërtohen marrëdhënie binjakëzimi dhe partneriteti me një qytet hungarez, për të shkëmbyer e ndarë përvoja e informacione, me synimin për promovimin e turizmit.
Sipas Lelit, turizmi në bashkinë e Vlorës ka përjetuar një “boom” cilësor gjatë vitit 2018. Ky ka qenë viti më i suksesshëm turistik në shumë dekada dhe fluksi i turistëve është rritur në mënyrë progresive, veçanërisht në tre vitet e fundit. “Vlora është qyteti që ka pësuar transformimin më të madh ndër gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë, gjatë këtyre 3.5 viteve që unë drejtoj këtë bashki”, theksoi kryebashkiaku vlonjat.
Nga ana e vet, Ambasadori i Hungarisë në Tiranë, Lorant Balla, nënvizoi se, bashkëpunimi e ka bazën në traditën historike, “në gjërat e përbashkëta që na lidhin nga e shkuara”. “Në këtë kontekst, unë jam dakord për të gjetur projekte konkrete që mund të jenë edhe në ekonomi edhe në turizëm”, citoi ai. Balla, njohës mjaft i mirë i gjuhës shqipe dhe traditave tona, vuri në dukje se, qeveria e vendit të tij, ka ofruar terrene sportive për fëmijët shqiptarë, ndërkohë që aktualisht po mbështet projekte konkrete për ujësjellësit në qytete të ndryshme të Shqipërisë, apo në fushën e turizmit.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se, këto vizita japin më shumë shanse për të promovuar vlerat e qytetit, për të bërë që Vlora të jetë një destinacion për turistët nga Hungaria.
Gjatë këtij takimi u evidentua fakti se, Vlora ka kushte dhe resurse për të zhvilluar më tej turizmin, duke synuar tregues edhe më të lartë. Vlora ka, veç detit edhe bukurinë natyrore, të mishëruar në pika të tilla si Llogoraja, apo dimensionin kulturor e atë historik, si Zvërneci etj., të cilat vlerësohen si resurse të pazakonta që nxisin interesimin dhe tërheqin vëmendjen e turistëve të huaj, mes të cilëve edhe atyre nga Hungaria.
Gjatë këtij viti, 30 mijë turistë hungarezë mbërritën në Shqipëri, një pjesë prej të cilëve në Vlorë, një shifër kjo, që ka ardhur në rritje, por që do të rritet edhe më tej në të ardhmen. Prandaj dhe duhen bërë të gjitha përpjekjet që, ata të orientohen drejt Vlorës, ku mund të gjejnë të gjitha kushtet dhe mundësitë për të kaluar pushime të këndshme dhe për të zbuluar e shijuar traditat në gatim, në arkitekturë, bukuritë natyrore etj. Në Vlorë po investohet e do të investohet edhe në të ardhmen. Janë në proces, projektet e rikonceptimit dhe rindërtimit të Bulevardit “Ismail Qemali”, të hapësirës së Vlorës së Vjetër etj.
Këto projekte do t’i japin një dimension tjetër qytetit, ndërkohë që, procedurat e konkretizimit të projektit të aeroportit, do të krijojnë një mundësi për të tërhequr flukse të tjera turistësh nga vende të ndryshme.