Titulli “Qytetar Nderi i Vlorës” për Ambasadoren e BE-së në Tiranë, Zonjën Romana Vlahutin
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Znj.Romana Vlahutin, u vlerësua me Titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, akorduar nga Këshilli Bashkiak, me propozim të kryebashkiakut Dritan Leli.
Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Bashkisë së Vlorës, me praninë e këshilltarëve dhe drejtuesve vendorë, të deputetes Vilma Bello e Prefektit Flamur Mamaj, Zoti Leli vlerësoi mbështetjen e Delegacionit Evropian në Tiranë dhe të Zonjës Vlahutin, në punën e tij dhe me financim të projekteve të rëndësishme në mbështetje të zhvillimit të qytetit. Ai vlerësoi projektin e rëndësishëm të Lungomares, të realizuar me fonde të BE-së, që e cilësoi fytyra e re e Vlorës dhe që e ka shndërruar këtë qytet në një mjedis me profil bashkëkohor dhe në një referencë të zhvillimit të turizmit në Shqipëri dhe rajon.
“Jam i nderuar që pata fatin të punoj me një zonjë të fortë, elegante dhe njëkohësisht kërkuese, në këto tre vite që unë drejtoj Bashkinë e Vlorës”, nënvizoi kryebashkiaku Leli.
Ai bëri një përmbledhje të CV-së dhe të kontributit të Zonjës Vlahutin, duke e cilësuar emërimin e saj në krye të Delegacionit të BE-së në Tiranë, në rrjedhën e një pune disaplanëshe. Kryebashkiaku Leli tha se, rruga e Zonjës Vlahutin nisi fillimisht si një gazetare në vendin e saj dhe në mediat më në zë ndërkombëtare, për të vijuar më pas si diplomate karriere, përfaqësuese e Kroacisë në Washington dhe Beograd, si përgjegjëse e politikave në Ministrinë e Punëve të Jashtme ku kontribuoi për menaxhimin dhe koordinimin e procesit përfundimtar të aplikimit dhe më pas të integrimit të Kroacisë në BE-. Sipas zotit Leli, ajo ka pjesë të rëndësishme të CV-së së saj një veprimtari të shënuar ndërkombëtare si analiste në grupin strategjik të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, si anëtare e Komisionit të Posaçëm të OKB-së, si Drejtore Politike e Misionit të OSBE-së në Kosovë, në postin e këshilltares së jashtme të Presidentit të Republikës së Kroacisë, ku ajo ka kontribuar për çështje të rëndësishme në procesin e integrimit të vendeve të rajonit tonë në BE.
“Falë përvojës së saj në proceset e negociimit me faktorët ndërkombëtarë, veëanërisht në mjedisin politik shpesh të trazuar të Ballkanit, njohjes si eksperte por edhe së brendshmi të rajonit tonë, Zonja Romana Vlahutin përfaqëson një personalitet me vlera të veçanta edhe për historinë shqiptare të integrimit evropian”, theksoi kryebashkiaku Dritan Leli në fjalën e vet.
Ai shtoi se, Ambasadorja Vlahutin ka kontribut të drejtpërdrejtë, krahas faktorëve të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, në mbështetjen që i ka dhënë popullit dhe politikës shqiptare për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, për arritjet në reformën e administratës publike, për arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Progresi i spikatur i Shqipërisë në këto 5 prioritete kyçe për zhvillimin e vendit dhe integrimit evropian, sipas tij, kanë përkushtimin e pamohueshëm të zonjës Romana Vlahutin.
Pasi nënvizoi se, zonja Vlahutin ka promovuar vlerat më të mira demokratike, veçanërisht ka dëshmuar respekt për vlerat dhe traditat tona kombëtare, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, kryebashkiaku Leli shtoi se, “në krye të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, në tërësinë e detyrave dhe angazhimeve të shumta, ajo ka qenë shpesh pranë qytetarëve të Vlorës, duke u bërë pjesë integrale e zhvillimeve të këtij qyteti në vitet e fundit”.
Ai u ndal tek fondet dhe projektet e BE-së në Vlorë, të cilat kanë kontribuar për rritjen e potencialeve të qytetit dhe mbi të gjitha për përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të Vlorës. Shetitorja, është njera prej këtyre investimeve, e cila i dha Vlorës një fytyrë të re. “Falë këtij projekti ne jemi bërë qendër reference për turizmin, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin”, evidentoi kryebashkiaku Leli, ndërkohë që përmendi edhe investime të tjera të realizuara me mbështetjen e BE-së, mes të cilave atë të sistemit të trajtimit të ujrave të zeza të qytetit.
Duke u ndalur në rëndësinë e këtyre investimeve, ai i cilësoi ato,” hallka të rëndësishme të zhvillimit infrastrukturor të Vlorës, që mbi të gjitha kanë impakt të rëndësishëm mbi jetën e qytetarëve”.
“ Për të gjitha këto arsye, jemi në këtë ceremoni për t’i ofruar Vlorës një qytetare të re, me propozimin tim dhe me mbështetjen e të gjithë këshilltarëve bashkiakë”, vijoi ai.
Nga ana e saj, Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Zonja Romana Vlahutin, vlerësoi vendimin e këshillit bashkiak të Vlorës për dhënien e Titullit “Qytetar Nderi”, duke theksuar se, për të është kënaqësi e veçantë të jetë qytetare e këtij qyteti dhe e BE-së gjithashtu. Për të, Vlora është një qytet që ka evoluar dhe është zhvilluar mjaft vitet e fundit.
“ Është një nder i vërtetë dhe një gëzim që unë sot shpallem “Qytetar Nderi i Vlorës”, që unë do të jem njëi prej jush”, u shpreh Zonja Vlahutin. Ajo solli në mënyrë simbolike në vëmendjen e të pranishmëve bashkëbisedimin e sotëm me një koleg, përpara se të mbërrinte në Vlorë, që kishte veçuar tek ajo disa tipare të ngjashme me ato të vlonjatëve, siç janë karakteri i fortë dhe natyra e drejtpërdrejtë. “Dikush, të cilit i bëra të ditur qëllimin e udhëtimit tim sot në Vlorë, më tha në rregull sepse ti ke mjaft ngjashmëri me njerëzit nga Vlora. Je e drejpërdrejtë, je kokëfortë dhe je e fokusuar për gjërat që kërkon të arrish. Ndaj jam vërtetë shumë e lumtur që jam sot këtu”, tregoi ajo për të pranishmit.
Ambasadorja Vlahutin veçoi punën e madhe që është bërë vitet e fundit për të ndryshuar Vlorën, e cila nga një kantier ndërtimi është shndërruar në një qytet të zhvilluar. Për të, vetë godina e rikonstruktuar e Bashkisë, projekti i përfunduar i Shetitores etj, janë dëshmi e këtij zhvillimi. “Sot, qyteti u është kthyer qytetarëve me bukurinë që e karakterizon”, nënvizoi Vlahutin, duke ju referuar punës që është bërë dhe projekteve të përfunduara me mbështetjen e BE-së në Vlorë.
Ajo veçoi se Vlora nuk është vetëm e bukur, por edhe e rëndësishme për historinë e shtetit dhe të kombit shqiptar. “Për mua, drita e Vlorës është drita e fëmijërisë time, e cila bashkëndahet në të njejtin det, Adriatik, por 145 milje detare, pak më sipër në veriperëndim”, citoi zonja Vlahutin në mënyrë simbolike ndërkohë që shtoi se, BE-ja ka investuar në Vlorës për qytetarët dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për ta dhe për të krijuar mundësi të reja ekonomike.
“Shpresoj me gjithë zemër që ju do t’i shfrytëzoni në maksimum këto mundësi dhe do t’i zhvilloni në mënyrë të mençur, çka do t’ju sjellë përfitime financiare dhe do t’ju ruajë bukurinë dhe mënyrën e jetësës që ju gëzoni”, u shpreh Zonja Vlahutin.
Ajo tha se, Shqipëria është vendosmërisht në rrugën e saj drejt çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE. “Është bërë shumë punë, por shumë punë ka ende përpara jush. Nuk ka përparim pa sakrificë, nuk ka përparim pa thënë të drejtën, nuk ka përparim pa kurajë. Por, po kështu nuk ka përparim pa ëndërruar pak. Dhe Vlora mund t’i bëjë të gjitha. Ka ende mjaft hapësirë për t’u zhvilluar. “Jam shumë e lumtur që jam qytetare e Vlorës, qytetare e BE-së”, përfundoi Zonja Vlahutin në mënyrë simbolike fjalën e saj.
Kryetarja e Këshillit të Bashkisë, znj. Vojsava Shkurtaj lexoi vendimin e këshillit bashkiak të Vlorës të datës 27 korrik të këtij viti, për dhënien e Titullit “Qytetar Nderi i Vlorës”, për Zonjën Romana Vlahutin, si një nga personalitetet më të shquara diplomatike, me kontribut të spikatur për Shqipërinë, me motivacionin : ”Për kontribut të vlefshëm në çuarjen përpara të projektit të Shqipërisë, për të përmbushur sa më shpejt standardet më të mira evropiane, për mbështetjen e parreshtur të transformimit urban, model që po përjeton qyteti i Vlorës, si nga institucioni që ajo ka përfaqësuar me dinjitet në këto katër vitet e fundit, ashtu edhe nga roli i saj personal në këtë proces, duke e shquar si një mike të përkushtuar dhe e veçantë për qytetarët vlonjatë”.