Kryeministri i Kosovës, viziton Vlorën

38640772_10155614237657541_5877483279367536640_o
38740237_10155614237927541_3548949335158816768_o
38752153_10155614238502541_4972396583334182912_o
38771762_10155614239082541_5918211243054727168_o
38785157_10155614238477541_2722711027429933056_o
38821118_10155614237432541_7003434450939805696_o

-Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, në Kosovë dhe diasporë, të vijnë për të pushuar në Vlorë, në këto ditë vere-

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi sot një vizitë në Vlorë ku u prit në një takim nga Kryetari i Bashkisë, Zoti Dritan Leli.
Gjatë këtij takimi, ku ishte i pranishëm edhe Ministri për Diasporën, Zoti Pandeli Majko, si edhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Kosovës, dy bashkëfolësit ndanë bindjen se, fryma e vëllazërimit mes dy vendeve do të rritet edhe më tej.
Kryebashkiaku Leli, e cilësoi një privilegj të madh për të që, kryeministri i Kosovës ndodhet në Vlorë. “Ky është një moment i rëndësishëm, sepse do të diskutojmë për problemet dhe hallet e përbashkëta, për të gjetur hapësirë për t’i kaluar ato”, u shpreh ai.
Leli vlerësoi rolin e Haradinajt për çështjen e shqiptarisë, duke e cilësuar punën e tij një kontribut të shkëlqyer për Kosovën dhe Shqipërinë.
Nga ana e tij, Kryeministri Haradinaj shprehu kënaqësinë që ndodhet në Vlorë, të cilën e cilësoi si zemra e shqiptarisë.
“Gjej rastin t’ju falënderoj për këtë vlerësim që me keni bërë”.
Kreu i qeverisë kosovare premtoi se, “Do të punojmë së bashku që fryma e vëllazërimit mes nesh të rritet më tej, ndërkohë që për shumë kosovarë Vlora mbetet një destinacion për pushimet e verës”.
Kryeministri, Ramush Haradinaj i dhuroi zotit Leli, emblemën e Kosovës. Ndërkohë, kryebashkiaku vlonjat, i dhuroi atij staturën e Ismail Qemalit, realizuar në terrakotë nga Zeqir Alizoti, si edhe albumin me foto “Vlora”, të Pirro Stefës.
Më pas, Kryeministri, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga kryebashkiaku, Dritan Leli, Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, Prefekti Flamur Mamaj dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar të Kosovës, bëri homazhe dhe vendosi një kurorë në varrin e Ismail Qemalit, pranë Sheshit të Flamurit.
Ai vlerësoi edhe një herë vizitën e tij në qytetin e Vlorës, në atë që e cilësoi “Zemrën e shqiptarëve”, duke theksuar se do të donte të ishte këtu në çdo ditë të vitit. “Sot jam vlonjat dhe ndihem më shumë se çdo herë shqiptar. Jam në Vlorë, në zemrën e shqiptarëve” u shpreh Haradinaj. Ai falenderoi Zotin Dritan Leli dhe stafin e tij, në emrin e vet dhe të popullit të Kosovës, për mundësinë për të qenë bashkë në nderim të historisë sonë të lavdishme e të çmueshme, por, siç u shpreh ai “.. edhe për mundësinë që ne, të ndërtojmë të ardhmen tonë po kaq të lavdishme, duke qenë më afër njeri tjetrit. Do të jemi çdo herë e më afër”.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë shqiptarëve, kudo ku janë, për të ardhur në Vlorë, për të pushuar në Vlorë. “Për mua, nuk do të kishte ditë të vitit që nuk do të vija në Vlorë, sot jam shumë i nderuar që jam. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, shqiptarëve kudo ku janë edhe atyre në diasporë, që të vijnë në Vlorë, në zemrën tonë. Jam i bindur që duke qenë më afër njeri tjetrit, e ndihmojmë veten”, citoi ai.

Nga ana tjetër, duke ju referuar të gjitha deklaratave që janë bërë këto ditë për këtë temë, Zoti Haradinaj ju përgjigj në mënyrë simbolike, duke theksuar qëndrimin e tij dhe vendosmërinë për të hequr doganën mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Ajo që unë jam pro deklaratave për këtë qëllim është që në 1 janar të heqim doganën mes Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh ai.

Ai përshëndeti Kryeministrin, Edi Rama, gjithë institucionet e Shqipërisë, gjithë politikën shqiptare edhe atë në opozitë, duke theksuar se, “Shqipëria është Atdheu ynë dhe duhet të jemi të gjithë pranë njeri tjetrit”.
Nga ana e vet, kryebashkiaku, Dritan Leli, e cilësoi historike vizitën e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në qytetin e Vlorës.
“Sot, në Vlorë, në një ceremoni simbolike, jemi të gjithë së bashku duke vlerësuar njeriun më të madh të Kombit, Ismail Qemalin. Unë jam i bindur se, çdokush me veprën që bën, në fund fare mund të bëjë histori. Ismail Qemali, bëri historinë e madhe të shqiptarëve dhe ne jemi sot duke e vlerësuar së bashku, duke u përpjekur që, secili nga ne, në rrugën e vet të bëjë historinë e tij për të mirën e vendit për të mirën e Shqipërisë”, theksoi Leli, duke e falenderuar kryeministrin Haradinaj për vizitën e tij në qytetin e Vlorës.
Gjatë vizitës në Vlorë, Kryeministri Ramush Haradinaj, vizitoi edhe Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, Muzeun Historik, si edhe Monumentin e Pavarësisë.

You may also like...