Kampionati i 9-të Botëror i Fluturimeve të Lira
Kampionati i 9-të Botëror i Fluturimeve të Lira, 200 pilotë do të“pushtojnë” qiellin e Vlorës!
200 pilotë nga e gjithë bota do të jenë protagonistë të Kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira, që do të zhvillohet në Vlorë në fillim të muajit Maj.
Ky aktivitet i jashtëzakonshëm, që do të startojë në datën 5 maj, do të krijojë një dimension tjetër për turizmin. “Shetitorja” do të jetë pista e këtij kompeticioni, çka do të krijojë edhe një raport tjetër me investimet e kryera përgjatë bregdetit.
Gjatë një konference shtypi që zhvilluan sot, Kryetari i Bashkisë, Dritan Leli dhe fluturuesi i njohur, Alket Islami, një nga organizatorët e këtij aktiviteti, u ndalën tek rëndësia e Kampionatit Botëror të Fluturimeve të Lira dhe impakti që do të ketë ai për turizmin në Vlorë dhe në të gjithë vendin.
Kryerbashkiaku Leli, theksoi se, Bashkia do të jetë mbështetësja kryesore e këtij aktiviteti të nivelit botëror, që do t’i japë impuls turizmit në Vlorë dhe gjithë bregdetin. “Me këtë aktivitet ndërkombëtar, turizmi do të shënojë një “bum”, çka na bën ne optimistë për pritshmëritë e tij për sezonin që vjen”, theksoi Leli. Ai tha se, sot do të promovohet zhvillimi i këtij kampionati, ndërkohë që në javët në vazhdim do të punohet për organizimin dhe për t’u paraprirë të gjitha përgatitjeve që ai të finalizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Janë aktivitete që promovojnë Vlorën dhe profilin tonë turistik dhe, për këtë arsye ne i mbështesim ato”, nënvizoi kryetari i Bashkisë, Dritan Leli.