Mbretëresha e Rivierës Shqiptare

Shtrirja gjeografike

Ku shtrihet Bashkia e Vlorës?

Rrallë qytete në botë mund të kenë një pozicion kaq të volitshëm gjeostrategjik siç e ka Vlora, e cila lidhet me daljen e saj të menjëherëshme në det në (P) dhe mbështetjen në vargmalet në lindje.

Pararoja perëndimore e qytetit është ishulli i Sazanit dhe gadishulli i Karaburunit me të cilët Vlora mban “çelsat” e ngushticës së Otrantos. Vlora është qytet i lashtë dhe porti jugor i Adriatikut. Sipas regjistrimit të vitit 1999 popullsia e Vlorës është mbi 102.000 banor. Gjiri i Vlorës është i cekët ku thellësia shkon në 5 m pas 1 km larg bregut dhe 10 m pas 2 km larg bregut. Vlora ka një pozicion të favorshëm, në kryqëzimin e rrugëve tokësore, detare dhe ajrore në të gjithë rajonin.

Distanca nga kryeqyteti i vendit, Tirana, është 135 km, ndërkohë që vetëm 72 km e ndajnë nga Italia dhe 77 milje nga Greqia.

Pozicioni që ka Vlora garanton një lëvizje masive të turistëve vendas dhe të huaj.

Gjiri i Vlorës dallohet për resurset e shumta natyrore, për biodiversitetin e pasur dhe koridoret ekologjike. Është ndër zonat me potencialin turistik më të lartë të vendit, gjë që lidhet me daljen direkte në det, me pasuritë e shumtanatyrore, klimaterike, ujore, arkeolo-gjike, historike, kulturore, njerëzore dhe ekonomike.

Qyteti i Vlorës shtrihet ndërmjet Ujit të Ftohtë dhe Zvërnecit.
Rrafshi mbi të cilin ngrihet qyteti i Vlorës ka lartësi nga 6 m deri në 76 m mbi nivelin e detit dhe përfaqëson një nivel bazë kontinental, ende aktiv.

Ndërsa gjatësia e përgjithshme e vijës bregdetare është 90 km, nga grykëderdhja e Vjosës deri në Karaburun, e cila është shpallur nga Këshilli i Ministrave zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit.

Aktualisht, qyteti i Vlorës vazhdon të zgjerohet në të gjitha drejtimet e veçanërisht drejt Bregut të Detit, sidomos drejt Ujit të Ftohtë dhe Jonufrës.

Kushtet gjeomorfologjike midis Nartës dhe Plazhit të Vjetër nuk lejojnë avancimin e shpejtë të qytetit drejtë bregdetit. Këtu ndikon ekzistenca e sektorëve moçalor si dhe qëndrueshmëria e dobët e bazamentit të tokës. Njohja e ligjeve natyrore të zhvillimit të zonës bregdetare si dhe ndryshimet e provokuara nga ndërhyrja e njeriut përbëjnë sot një ndër problemet më kryesore për mbrojtjen dhe shfrytëzimin racional të saj.

Comments are closed.