Vlora, Mbretëresha e Rivierës Shqiptare

Muzeumet e Vlorës

Çfarë ofrojnë muzeumet e Vlorës

Në qytetin e Vlorës ndodhen dhe funksionojnë 3 muzeume. Secili prej tyre përfaqëson vlera, problematikë dhe periudha të caktuara në historinë e rrethit. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, Muzeu i Relikeve Historike(Muzeu Historik) dhe Muzeu Etnografik, janë të vendosur në tre godina në pozicione të ndryshme në qytet. Madje, secila prej këtyre godinave përfaqëson dhe mbart në vetvete vlera të caktuara historike e arkitektonike. Gjatë këtij viti, këto tre objekte të rëndësishme janë vizituar nga rreth 12000 qytetarë vendas e të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë kosovarë. Ata i kanë pëlqyer këto muzeume, vecanërisht atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, ku kanë gjetur edhe pjesë të rëndësishme të historisë së tyre.

Muzeu i Pavarësisë Kombëtare

Image
Kliko mbi Foto
Është krijuar në vitin 1936 dhe është muzeu i parë shqiptar. Prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u shpall Muze Kombëtar. Vetë godina dhe gjithcka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë, janë hedhur themelet e shtetit shqiptar.
Për 6 muaj, aty u vendos dhe funksionoi Qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Pavarësisë Kombëtare, konsiderohet si një objekt muzeal i pëlqyeshëm. Ai përbëhet nga 2 dhoma dhe 2 korridorë. Në të janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe, pesha e së cilës i kalon caqet lokale.
Për herë të parë pas shumë dekadash, godina e Muzeut të Pavarësisë u rehabilitua plotësisht në vitin 2002, me rastin e 90 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Me këtë investim, ky objekt mori vlera të tjera dhe u bë më i pëlqyeshëm për vizitorët. Mjediset e tij i vizitojnë cdo ditë, dhjetra qytetarë.
Ai ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në afërsi të portit.

Muzeu i Relikeve Historike (Muzeu Historik)

Image
Kliko mbi Foto
Ndodhet në qendër të qytetit, në një godinë mjaft të vecantë, e cila më parë ka shërbyer për organet e qeverisjes vendore dhe organizatat e masave. Ky muze u krijua në vitin 1962.
Këtu janë ekspozuar dhe ruhen qindra objekte origjinale, të cilat përfaqësojnë dhe pasqyrojnë periudha të ndryshme historike, që fillojnë me antikitetin dhe vazhdojnë me ditët tona. Në këtë muze, vizitorët mund të shohin objekte arkeologjike që u përkasin qyteteve të ndryshme antike në rrethin e Vlorës si, Orikut, Amantias, Plocës,
Olimpias(Mavrovë) e më tej, Kioninës(Kaninë). Në mjediset e këtij muzeu ndodhen gjithashtu, objekte origjinale që i përkasin periudhës së mesjetës. Mes tyre, përfshihen dokumente origjinale për qytetin e Vlorës, armë, sende luftëtarësh të njohur në histori. Në Muzeun Historik, ka një kënd të vecantë ku pasqyrohet kontributi i popullit të rrethit të Vlorës për shpalljen e pavarësisë. Në të ndodhen njëkohësisht edhe 2 pavione të vecanta, që evokojnë Luftën e Vlorës në 1920, si dhe Lëvizjen Demokratike të Qershorit 1924. Në këtë muze, është vendosur edhe arkivoli origjinal ku prehej trupi i patriotit Avni Rustemi, në momentin që u varros e deri në castin kur u zbulua për t’u rivarrosur në të njëjtin vend. Arkivoli me trupin e tij u gjet rastësisht në mesin e viteve ’80-të të shekullit të kaluar, gjatë punimeve për rikonstruksionin e bulevardit Vlorë-Skelë. Gjatë gërmimeve në vendin ku ndodhet sot statuja e Avni Rustemit, punëtorët zbuluan papritur një mjedis të nëndheshëm me të paktën dy kthina, në njerën prej të cilave ndodhej arkivoli me trupin e Avni Rustemit, i ruajtur në një gjendje mjaft të mirë. Më pas ai u rivarros pothuajse në të njëjtin vend, ndërkohë që arkivoli origjinal u vendos në mjediset e Muzeut Historik. Arkivoli, mjaft hermetik dhe i mbuluar nga flamuri kombëtar, është një objekt mjaft i rrallë. Ai është ndërtuar prej plumbi dhe nje pjesë xhami.

Muzeu Etnografik

Image
Kliko mbi Foto
Është vendosur në një nga godinat më të vjetra të qytetit, që është ndërtuar në mesin e shekullit XIX. Kjo godinë është shpallur monument kulture. Muzeu është mjaft i pëlqyeshëm për vizitorët dhe në të pasqyrohen të vecantat e traditave të rrethit të Vlorës. Mes tyre, përfshihen traditat më të mira të kulturës materiale, të punuara nga banorë të rrethit të Vlorës, ku vecojnë ato të punimit të metaleve, drurit, veshjeve dhe qëndisjes, peshkimit. Në godinën ku është vendosur Muzeu Etnografik, në vitin 1908 u krijua klubi patriotik “Labëria” me president nderi Ismail Qemal Vlorën. Po ashtu, në vitin 1909 këtu u cel shkolla e parë në gjuhën shqipe për vashat e qytetit, e drejtuar nga patriotja Marigo Posio.

Comments are closed.